Satira e tij u tregua e pamëshirshme
ndaj veseve të kohës. Pa kompromis, ai goditi
dukuritë e shëmtuara negative dhe mbartësit
e tyre, cilëtdo që qenë ata. Këto
vese e dukuri ai nuk i luftonte vetëm brenda
individit, por në rrafshin e gjithë shoqërisë
kombëtare. Ai nuk fal askënd që të
abuzojë me postin që mban dhe të zhvatë
financën kombëtare, të marrë ryshfete,
të bëjë veprime prej kopuku e dallkauku,
të trajtojë Atdheun si çiflikun e
tij, si tapet për karrigen e tij. Në radhë
të parë ajo është satirë
kundër tradhtarëve, atdhemohuesëve,
parazitëve të kombit. Në radhë
të dytë është satirë kundër
elitës zyrtare dhe veseve klasore të saj.
Këtu Fishta na shfaqet si realist i fuqishëm.
Vepra artistike më e përkryer artistikisht
e Fishtës mbahet "Palokë Cuca",
(1912), bashkë me "Gomarin e Babatasit"
(1913) që e botoi me pseudonimin Gegë Toska,
janë dy kryeveprat e satirës sonë.
"Palok Cuca" është poema e heroit
komik. Në thelb, Fishta mbron me këtë
vepër shkollën kombëtare. Ai stigmatizon
e neverit atë kategori të caktuar njerëzish,
që nëpërmjet klerit italian u italianizuan
në atë masë, saqë ndihen inferiorë
ndaj kulturës dhe gjuhës italiane, aq sa
ta quajnë poshtëruese gjuhën amtare.
Nga njësia e familjes Fishta zgjeron rrethin
e objektit të satirës së tij në
njësinë e shoqërisë, duke e shndërruar
veprën në tablo të të gjithë
shoqërisë. Për të tallur, përqeshur
e goditur Fishta gjen mjetet shprehëse më
të përshtatshme. Këtë e realizon
përmes fabulës së shtruar në trajtën
e tregimit poetik. Një ngarje të caktuar
ai e shtjellon me hollësi, e shqyrton nga të
gjitha këndet, duke zbërthyer të gjitha
mangësitë, shëmtitë, të këqijat
që burojnë prej saj dhe infektojnë,
sëmurin atmosferën shoqërore e kombëtare.
Konkretësia e mjediseve përmes detajizimeve,
gjer në hollësitë më intime e
më të turpshme, shndërrohet në
qëllim artistik në vetvehte. Përgjithsimet
artistike të fuqishme realizohen me një
gjuhë të gjallë, plot kolorit. Përmes
një qesëndie që gërryen ngadalë
e qetë, në mënyrë të shkallëzuar
ai vë pranë në të njëjtin
tekst mjedisin konservator, primitiv, arkaik, me atë
pseudomodern, pseudoqytetërues të kohës,
duke zbuluar anët e shëmtuara të tyre.
Ngjyrimet më popullore satirike, formulat më
të spikatura vihen pranë krahasimeve e metaforave
nofka, pranë situatave krahasuese e metaforike
fyese. Fjalët e shprehjet e huaja, krahas fjalëve
shqipe, si kudo në satirën e tij, krijojnë
një atmosferë gjuhësore satirike të
veçantë. Sidomos kontrastet mes barbarizmave
orientale e atyre oksidentale. Ai vëren se si
shartohen në një pemë pa rrënjë
të kategorisë mediokre të pseudoelitës,
aziatizmi me oksidentalizmin e rrejshëm: te folurit
e personazheve është edhe mjeti më
demaskues i kategorive njerëzore që ata
përfaqësojnë. Kritika është
shprehur me të drejtë se këtu, më
shumë se kudo gjetkë, realisti e ka tejkaluar
romantikun e klasicistin, satirikun, epikun e lirikun.
"Gomari i Babatasit", u botua në situatë
që përkonte me beteja të ashpra politike
rreth formës që do të merrte organizimi
i ardhshëm shtetëror. Kritika fishtjane
me ashpërsinë e saj, që nuk fal askënd,
lëshoi mbi kokat e deputetëve, ministrave,
gjithfarë zyrtarëve të kohës,
talljen, fyerjen, sharjen, nëmën e mallkimin,
ironinë, sarkazmën, satirën. Nën
moton "Populli i falë ata që e mundojnë
por nuk ka për të falë ata që
e rrejnë", ai shpartallon klikën zyrtare,
të cilën i vetmi ideal që e bashkonte,
ishte marrëveshja e tyre me gjithë mjetet
që u kishte dhënë pushteti në
dorë, të zhvatnin trupin dhe shpirtin e
shtetit të mjerë të sapofromuar dhe
ta linin me turpe e shëmtitë jashtë,
ndaj syve të botës. Poeti Babatasi arkeolog,
njeriu i kthyer në gomar e anasjelltas, muzeu
formal, injoranca që ka veshur petkun e dijes,
së qytetërueses, mjedisi i trashëguar
anadollak që belbëzon me gjuhën "oksidentale",
janë mjetet më efikase përmes të
cilave Fishta arrin të nxjerrë në pah
kontrastet që kthenin në regresin më
poshtërues shoqërinë. Klika që
kërkonte të majmej dhe populli që më
kot shpresonte, njeriu që s'dilte dot prej thelbit
të vet prej gomari, që ngul këmbë
në të vjetrën dhe nuk bën asnjë
hap drejt të resë, drejt qytetërimit.
Fishta gris pa mëshirë fasadën, që
dëshiron të krijojë burokracia shtetërore
e sapolindur. Një shtet që po formohet nuk
mund të durojë në themelet e veta zhvatës
makabër, shtinjakë, hipokritë e servilë.
Ai prek ato plagë, që më vonë
shoqërisë shqiptare iu bënë pjesë
e natyrshme biologjike e qënies, iu bënë
sëmundje, pa të cilat nuk e kuptonte dot
ekzistencën e vet. Duke e kuptuar që atëherë
rrezikun, poeti nuk e ruan aspak gojën, përmes
fjalorit dhe vizioneve më lakuriqe, të zhveshura
nga çdo paragjykim, bën autopsinë
e saktë të shoqërisë që po
lindte me vese fizikee shpirtërore, nga më
fyeset për një komb që krejt ndryshe
e meritonte t'i shpërblehej gjaku dhe mundi mbinjerëzor,
që i kishte kushtuar së ardhmes së
vet.