Vdiq edhe nji tjetër! Qanje shokë,
të ngratin!
Banja t'madhe gjamën! Vdiq tue sosë afatin!
Si, pat hjekë e vuejtun, mbasi shumë qe
rrekë
Tue luftue me morden! Vdiq: e lanë me vdekë!
Shtrydhë e shterrun forcash djerreve t'Bedenit,
fill andej përplasun brrakave t'liqenit;
ra e u'mek djaloshi… Vinte i imët kah shtati,
s'ishte për tê kazma, s'ishte për
tê shati
Se ktij qielli i fali çka s'i dha secilit:
frymën e muzikës, zanin e bilbilit.
Oh sa herë ndër muzgjet e robnis ai zâ
Zemrën qi lëngonte balçëm ai
ju bâ
Dridhej nën zâ letas, mallshëm, melodija,
tash ndër kangë shkodrane, tash n'Ave Maria.
Prante zhurma e dhomës, që të gjithë
veshtojshin
Tretun ndër kujtime t'ambla qi ato zgjojshin…
Gac, o shok i vuejtjes, nxânsi im i lashtë,
mâ s'ta gjegja zanin, mâ nuk t'ndesha
jashtë!
N'imshtën e Burrelit vorrin ku ta banë
Kur ushton gjethnaja, Gac ti ndoshta fshân?
Fshâj nji kangë lirije qi t'u mbyll n'krahanuer!
Fshâj nji jetë artisti qi pa fryt u-buer!
Fshâj e përmbas teje le t'ankojë shojqnija
qi na njofti vlerën, mbarë t'ankojë
rinija!
------------------------------------------------------
Koment
Këtë elegji poeti ia kushtoi një ish
nxënësi të tij dhe shok burgu, Gac
Çunit ish-mësues në Kastrat të
Shkodrës, që kur vdiq në burgun e Burrelit,
nuk i kishte mbushur të tridhjetat. Ai ishte
turbekuloz, megjithatë u kishte bërë
ballë me trimëri vuajtjeve të burgut.
Në mars 1956, pak muaj para se të lirohej,
ai pati një sulm apendiciti. Drejtori i burgut
e la të vdiste pa e çuar që të
operohej. Në burg Gac Çuni kishte kompozuar
këngë patriotike, njëra prej tyre ishte
kënga për tre të rinj shkodranë
të vrarë në gusht 1948 prej Partisë
Komuniste. Caci kishte kompozuar edhe këngë
të tjera mbi motive popullore. Njëra ndër
këto: "Kanga e kaçurrelit",
është bërë sot popullore në
Shqipëri.