Subjekti i dy poemave homerike "Iliada"
dhe "Odisea" është nxjerrë
nga cikli i legjendave heroike mbi luftën e Trojës,
ndërmjet grekëve dhe trojanëve. Sipas
gojëdhënës, princi Trojan Paridi rrëmben
gruan e mbretit të Spartës, Menelau, Helenën
e bukur (1). Për tu hakmarrë dhe për
të larë këtë dhunë që
iu bë njërit prej mbretërve të
saj, u ngrit në këmbë tërë
Greqia. Menelau dhe vëllai i tij Agamemnoni,
mbret i Mikenës, mblodhen një ushtri të
madhe nën komandën e përgjithshme të
Agamemenonit. Për dhjetë vjet rresht qëndroi
e nuk u dha Troja e rrethuar nga armiqtë. Vetëm
me anën e dredhisë, të fshehur në
kalin e drunjtë, luftëtarët grekë
mundën më në fund të futeshin
në qytet. Troja u dogj e u rrënua nga themelet,
kurse Helena iu kthye të shoqit.
Këto ngjarje nuk përmenden në "Iliadë"
jepen skena të veçanta vetëm Brenda
51 ditëve të fundit të luftës
së gjatë dhjetëvjeçare rreth
mureve të Trojës. Në qendër të
poemës është zemërimi i Akilit,
që është tërhequr nga lufta dhe
qëndron i veçuar në shtatoren e tij,
sepse Agamemnoni i ka rrëmbyer atij skllaven
e bukur Brisedë që heroi e donte aq shumë.
Kjo poemë e gjatë prej 15696 vargjesh, që
në dy vargjet e para na fut menjëherë
në temë:
Këndo, hyjneshë, mërinë e Akil
Pelidit
Që shumë hidhrime e hobe akejve u solli…
Momenti i zemërimit është fillimi
që end pëlhurën e gjerë të
luftimeve të ashpra ndërmjet akejve dhe
trojanëve dhe që përcakton fatin e
tyre. Zeusi i thotë Tetidës, se trojanët
do të fillojnë sa kohë që Akili,
biri i saj do të qëndrojë i tërhequr
nga fusha e luftës. Trojanet, të udhëhequr
nga kryetrimi i tyre Hektori, zmbrapsin njëri
pas tjetrit sulmet e akejve, të cilët gati
sa si hedhin në det dhe su vënë zjarrin
anijeve të tyre. Por sukseset e trojanëve
në luftë nuk janë kaq të lehta.
Në këngët e tjera të "Iliadës"
tregohen heroizmat e prijësave akej si Diomedi,
Ajaks Telamoni, Menelau, Odiseu etj. Gjithësesi
kjo nuk e ndryshon rrjedhën e luftimeve.
Akili, i shqetësuar nga epërsia e trojanëve
në fushën e luftës, pranon që
miku i tij Patrokili të njgeshë armët
e tij dhe të dalë t'u presë hovin trojanëve.
Por s'shkon shumë dhe vritet nga Hektori. Akili
pikëllohet nga humbja e mikut të tij më
të dashur dhe si një re e zezë lëshohet
dhe bën kërdinë në njësitë
trojane. Ata që i shpëtojnë dorës
së tij gjakatare, mbyllen Brenda mureve të
kalasë. Vetëm Hektori mbetet tani përballë
Akilit.
Njerëz e perëndi janë ngritur peshë
e shikojnë teatrin e dylutimit që përfundon
më në fund me vrasjen e Hektorit. Por ende
Akili s'e ka shuar etjen e hakmarrjes, prandaj trupin
e Hektorit të vrarë e lidh pas qerres së
tij dhe e heq zvarrë egërsisht nëpër
pluhur e baltë. Duke u shkaktuar kështu
një pikëllim të thellë prindërve
dhe luftëtarëve trojane.
Pas tërë këtyre ngjarjeve plot mizori
e gjak, një notë thellësisht njerëzore
do të përshkorjë tani këngën
e XXIV, që i jep fund "Iliadës".
Mbreti plak i Trojës, Pirami, vjen në shtatoren
e Akilit dhe i lutet ti kthejë trupin e të
birit. Akili preket nga lutjet e thekshme të
plakut fatkeq, që qëndron i gjunjëzuar
në këmbët e tij. E merr përdore,
e ngre, dhe të dy së bashku qajnë për
fatkeqësinë që iu bien njerëzve
mbi krye nga zotat e pamëshirshëm.
Luftën e përgjakshme që bënë
grekët për të plackitur Trojën
aty nga fundi i shek. XII, fantasia e poetit e ka
shndërruar në një luftë për
tu hakmarrë e për të vënë
në vend nderin e tyre të cënuar nga
Paridi që rrëmbeu Helenën. U krijua
kështu një dramë epike, e thurrur në
vargje, që është dramë e fuqishme
njerëzore, plot pasione; dashuri dhe urrejtje,
gëzime e hidhërime, humbje e fitore.
Te Homeri cdo gjë kthehet në poezi, edhe
kur ai u këndon luftimeve të përgjakshme,
edhe kur i këndon ndarjes së dhimbshme të
Hektorit nga e shoqja dhe i biri, kur vajton heronjtë
e rënë në luftë ose kur përshkruan
agimin me gishta trëndafili, natyrën e bukur
ku poeti sheh madhështinë e mistershme të
gjithësisë. Nuk është më
Zeusi zot i saj, por poeti, vështrimit të
të cilit nuk i shpëton asgjë, as hyjnitë
në qiell, as njerëzit në tokë.
Homeri është poeti më i madh dhe i
pari që thurri një tragjedi, - ka thënë
filozofi i lashtë grek Platoni.
Poemat homerike janë ndërtuar me mjeshtëri
të rrallë nga pikëpamja e thurrjes
së ngjarjeve. Kompozicioni në "Iliadë"
është i thjeshtë. Filli i tregimit
ecën përpara dhe drejt. Ku më i shpejtë
dhe ku më i ngadalësuar nga episode të
dorës së dytë, që lidhen me episodin
kryesor, me mërinë e Akilit. Kjo veçori
e shtjellimit të ngjarjeve, që në stilistikë
quhet vonesë, është karakteristikë
e mënyrës epike të të treguarit.
"Iliada" është më e thjeshtë,
ka me pak vonsa ose digresione se sa "Odisea".
Kompozicioni i secilës poemë kushtëzohet
nga përmbajtja e saj. "Odisea" ka një
thurrje më interesante e më të koklavitur.
Këtu veprimi fillon nga mesi, kurse për
ngjarjet e mëparëshme njihemi nga tregimi
i vetë Odiseut te mbreti Alkino i Feakëve.
Por talenti i madh i poetit duket, sidomos në
krijimin e karaktereve, të cilët janë
sa të shumtë, aq edhe të ndyrshëm
nga njëri-tjetri.
Karakteret e personazheve që dalin më në
pah në "Iliadë", janë të
fuqishëm e si të derdhur në Bronx.
Mbi të gjithë heronjtë, ngrihet si
një piramidë e lartë dhe shquhet nga
të tjerët për guxim dhe heroizëm,
Akili. Edhe pse vdekja i qëndron vazhdimisht
mbi krye ai nuk tutet, por lëshohet me vërtik
si një shqiponjë dhe e mbyt në gjak
fushën e përleshjes. Akili është
ideali i epokës homerike.
Ky hero. Kaq i rreptë dhe gjakatar në luftë
ka një zemër të ndjeshme e bujare.
Ai qan si fëmjë kur shikon në këmbët
e tij plakun Priam që i lutet ti kthejë
trupin e të birit.
Midis luftëtarëve trojanë, Hektori
është heroi që i përgjigjet më
tepër Akilit për nga guximi e trimëria.
Ai u prin trojanëve dhe hidhet aty ku rreziku
është më i madh, i frymëzuar nga
dashuria e pakufishme për atdheun. Si figur¨r
letrare, Hektori është më i plotë
se Akili, është personazhi me simpatik e
më i dashur i "Iliadës". Në
ndryshim nga Akili, Hektori është treguar
në rrethana të ndryshme, në të
cilat ai zbulon virtytet e tij të larta. Ai është
jo vetëm trimi më i çartur ndërmjet
të gjithë luftëtarëve trojanë,
por edhe i matur, i përmbajtur e tepër njerëzor;
baba i dhembshur dhe bashkëshort besnik e i dashur,
mik i çiltër për shokët e fort
i ndjeshëm ndaj halleve dhe fatkeqësive
të të tjerëve, Në vajtimet e saj
mbi trupin e heroit të vrarë nga dora mizore
e Akilit, Helena shpreh ndjenjat më të bukura
për të, dhe disa nga tiparet e tij si urtësinë
e maturinë. Përkundrazi kur ndonjëri
nga kunetërit, ose kunatat << … o e nderuara
vjehërr/ mua më përbuztë ndër
këto saraje/ … ti urtë e butë njerzishëm
i qortoje…>>
Mbreti i Argosit dhe i Mikenës, Agamemnoni është
tipi i sundimtarit kryeneç dhe despot, por
edhe trim, si Menelau, Diomendi, Ajaksi e shumë
luftëtarë të tjerë akej…
Paridi shkaktari i luftës së Trojës,
është një djalosh i bukur mendjelehtë,
"mashtrues grash", siç e quan i vëllai,
Hektori. Ai është qitës i shquar me
shigjetë, herë i guximshëm e herë
frikacak.
Një vend të veçantë zënë
në poemë figurat e grave, e sidomos Helena.
Në vizatimin e saj, Homeri është treguar
artist i madh dhe njohës i thellë i shpirtit
njerëzor.
Helena është në poemë simbol i
bukurisë së përsosur hyjnore. Dikur
e rrëmbyer nga pasioni i dashurisë, tani
e ndien veten fajtore ndaj dhe përjeton një
dramë të rëndë në ndërgjegjjen
e saj. Në një bisedë me të vjehrrin,
plakun Priam, ajo i shpreh me dhembje pendimin që
e bren.
Përveç kësaj , ajo e ndien se Paridi,
për të cilin sakrifikoi cdo gjë dhe
i përgjigjej idealit të saj, tregohet frikacak
përballë Menelaut dhe Helena nis ta neveritë,
por e plotfuqishmja Afërditë, hyjneshë
e dashurisë, e hedh përsëri në
krahët e tij.
Homeri nuk na e përshkruan drejtëpërsërdrejti
bukurinë e Helenës, por na e jep vetëm
efektin që shkakton ajo në shpirtin e atij
që e sheh. Pleqtë trojanë, që
rrinë dhe kundrojnë nga bedenat e kalasë
së Trojës, kur panë Helenën që
po vinte s'larku/ sa shpejt nën zë mes tyre
zun' të thoshin:/ Nuk duhen sharë, për
besë trojanë e akej,/ që për këtë
grua hoqën aq mundime/ vite me radhë; me
të vërtetë përqaset/ për
bukuri me zonjat perëndesha.
Ndryshe nga Helena, Andromaka, gruaja e Hektorit,
është mishërim i besnikërisë
bashkëshortore. Nga faqet më të bukura
e më prekëse të "Iliadës",
ku tregohen virtytet e saj të larta morale si
grua, nënë, bijë, janë skenat
e ndarjes nga i shoqi, Hektori, dhe vajtimi plot dhembje
e gjëmë mbi trupin e tij të vrarë.
Në galerinë e figurave të personazheve
ka edhe shumë të tjerë që kanë
rolin e tyre e të gjithë së bashku
plotësojnë tablonë e gjerë të
dramës së madhe që luhet rreth mureve
të Trojës.
Një vend më vete zënë figurat
e hyjnive, të cilat janë ndarë edhe
ata në dy kampe. Ata lëvizin nga qielli
në tokë dhe kryejnë veprime çudibërëse.
Por forcë lëvizëse e ngjarjeve janë
luftëtarët, të cilët me heroizimin
e sakrificat e tyre përcaktojnë fatin e
luftës. Mbi të gjithë hyjnitë
e Olimpit qëndron Zeusi i plotfuqishëm.
Ashtu si njerëzit edhe ata kanë sërën
e tyre, disa qëndrojnë më lart, disa
me ulët, Zeusin e nderojnë edhe e kanë
frikë edhe njerëz edhe hyjni. Poeti, fuqinë
e Zeusit e ka dhënë me vargje shumë
të bukura.
Ai… vërenjti të zezat vetulla, e në
kokë të pavdekshme leshrat hyjnore si dallgë
iu lëkundën, të madhit mbret; sa u
drodh i tërë Olimipi.
Homeri në poezinë e tij ka mundur të
gërshetojë botën fantastike të
hyjnive me botën reale njerzore, të mbinatyrëshmen
me të natyrshmen. Cdo gjë në poemat
homerike tingëllon e besueshme. Dhe kjo i bën
ato vepra të një bukurie të rrallë
dhe të një arti të fuqishëm realist.
Të njohura, sidomos në "Iliadë",
janë similituadat dhe krahahsimet, të cilat
për nga bukuria dhe forca e tyre, është
bërë zakon të quhen "krahasime
homerike". Stili epik i "Iliadës"
përmes të cilit heronjtë, madje dhe
sendet duhet të bëhen sa më të
afërta e në të njëjtën kohë
sa më monumentale, kërkon përdorimin
e epiteteve të shumtë. Kështu Akili
cilësohet hyjnori, këmbëshpejti, Atena
sykaltra, Odise mendtaku, Menela zemëradhi, Hektor
lavdimadhi, i ndritëshmi, Paridi mashtrues grash,
Helenë krahëbardha. Herë mendjezeza,
Prijam gojëmbli, Ares gjakatari; Eos (Agimi)
gishtatrëndafili etj.
Për Zeusin, që ka në duart e tij pushtetin
mbi njerezit e perëndisë ka shumë epitete
si shungullues, rrufehedhës, stuhishpërthyes;
mizor, etj.