Realizmi dhe fryma kritike ndaj bukurive
të jetës shoqërore dhe politike të
kohës shprehen, sidomos në komedinë
e Çajupit. "Katërmbëdhjetë
vjeç dhëndërr" është
një pjesë në vargje. Më shumë
se një të tërë si komedi, Çajupi
ka krijuar disa skena plot humor të këndshëm
përmes të cilave vë në lojë
mendësi të prapambetura dhe zakone anakronike
të jetës së fshatit shqiptar. Janë
probleme që Çajupi i pat rrahur dhe në
krijime të tjera, por këtu ato tingëlluan
në harmoni me një atmosferë humori
popullor që përshkron tërë veprën
dhe që përbën një nga veçoritë
dhe meritat e saj.
Shigjetat e këtij humori godasin zakonin prapanik
të martesave të të rinjve me moshë
të papërshtatshme për njëri tjetrin,
zakon që e kishin sjellë kushtet ekonomike
të jetës në fshatrat malore. Tana do
të martojë të birin katërmbëdhjetëvjeçar
me një vajzë më të madhe se ai:
ajo "nuk do nuse për sisë, po për
punët e shtëpisë". Kjo bëhet
shkak për një varg situatash e skenash komike
dhe batutash plot humor që fshikullojnë
mendësi të mykuara patriarkale e zakone
të prapambetura. Dritëshkurtësia e
një nëne, që është bartëse
dhe viktimë e patriarkalizmit, dembelizmi i burrave
të malësisë dhe kapadaillëku i
tyre, grindjet e kota dhe thashethemet e një
mjedisi të prapambetur, figura groteske e një
prifti qejfli, të gjitha vihen në lojë
me një ton hokatar që përshkron dialogun
e personazheve.
Personazhi më i realizuar është Tana,
tipi i gruas fshatare, të cilën kushtet
e jetës e detyrojnë të ngulë këmbë
për një martesë që nuk i sjell
lumturi të birit, duke u bërë qesharake
në sy të fshatit e të njerëzve
me çiftin që sajon dhe me dasmën
e tyre. Po këto kushte e shtyjnë nga ana
tjetër, të shpotisë të shoqin
dembel dhe indiferent për problemet jetike të
familjes. Këto cilësi, të bashkuara
në një personazh të vetëm, e bëjnë
Tanën e Çajupit një tip interesant,
të vizatuar me pak viza por të dhënë
në mënyrë të gjallë, plot
humor e kolorit, në sfondin e një jete tipike
fshatare, të katundeve malore të Shqipërisë
së Jugut.
Me "katërmbëdhjetë vjeç
dhëndërr" Çajupi krijon komedinë
realiste të zakoneve; ajo ka hyrë në
fondin klasik të veprave komike, për shkak
të humorit të këndshëm, të
gjuhës plot kolorit popullor, të personazheve
dhe të shkathtësisë së dialogut.
Situatat komike e ngjarjet që paraqet autori
ngjajnë si skena të marra nga jeta e përditshme,
me aq realizëm thjeshtësi dhe e natyrshmëri
janë dhënë ato në këtë
vepër.
Vepra tjetër dramatike e Çajupit "Pas
vdekjes" është një komedi politiko-shoqërore.
Demaskimi i demagogjisë së xhonturqve dhe
i bejlerëve që u bënë vegël
e tyre, problem që Çajupi e pat trajtuar
edhe te pamfleti "Klubi i Selanikut", është
vënë në qendër të kësaj
vepre. Edhe ngjarjet zhvillohen në zyrat e gazetës
"Liria" të këtij klubi, por kuptohet
se përmbajtja e komedisë është
shumë më e gjerë dhe më e thellë.
Ajo zbulohet përmes një situate komike,
të gjetur me mjeshtëri prej shkrimtarit.
Doktor Adhamudhi vjen në zyrat e "Lirisë"
t'i tregojë Skëndo beut abetaren e tij shqipe.
Atje doktori sheh rastësisht një nekrologji
për deputetin Haxhi Aliu, që ende s'ka vdekur
dhe i lind dëshira të dijë edhe ai
se ç'do të shkruhet për të pas
vdekjes. Këtë dëshirë e shfrytëzon
me zgjuarsi shërbëtori i klubit Zeneli,
i cili fut në vrullin e shakasë së
tij dhe të tjerë, mësonjësen Lulushe
dhe gazetarin Vurko, që i vjen rrotull asaj.
Por dy janë personazhet më të goditura
të veprës: dr. Adhamudhi dhe Zeneli.
Përmes doktor Adhamullit Çajupi ka demaskuar
tipin e politikanit sharlatan që bën lojën
e xhonturqve dhe hiqet si atdhetar. Por, përmes
këtij personazhi, shkrimtari ka vënë
në lojë edhe një mendësi të
caktuar, mendësinë e atyre njerëzve
mendjemëdhenj që, ndonëse e kanë
kokën e zbrazët dhe shpirtin e varfër,
kujtojnë se asnjë punë atdhetare ose
punë tjetër, nuk vlen se s'kanë qenë
ata të pranishëm në të. Ç'është
fjala vjen; Kongresi i Manastirit për doktor
Adhamudhin kur s'ishte ai atje? Asgjë, sipas
tij. Ky kompleks nuk është bërë
rastësisht objekt satire në komedinë
e Çajupit, por sepse ishte një mendësi
e përhapur që dëmtonte lëvizjen
atdhetare e kulturore të shqiptarëve gjatë
Rilindjes e më pas.
Zeneli është një tip molieresk, që
përfaqëson njeriun e thjeshtë të
popullit me zgjuarsinë e tij karakteristike dhe
me shpirtin praktik. Ky shërbëtor hokatar,
që vë në lojë njerëzit e
tipit të Adhamudhit, sjell në vepër
mençurinë dhe humorin popullor.
Çajupi si poet lirik i solli lirikës shqiptare
një ndjesi të re poetike, në këtë
vepër i hapi udhën komedisë politike
në letërsinë shqiptare. Vepra u botua
pas vdekjes së shkrimtarit, dhe u bë një
nga pjesët e repertorit të qëndrueshëm
të teatrit shqiptar.
A.Z. Çajupi zë një vend të veçantë
në historinë e letërsisë shqiptare.
Pas Naimit, ai është një nga figurat
më të rëndësishme të epokës
së Rilindjes Kombëtare dhe një nga
përfaqësuesit e epokës së re që
po niste për letërsinë shqiptare. Realizmi
fryma kritike, lidhja e ngushtë e frymëzimit
të tij me folklorin janë disa nga tiparet
që e përshkruajnë veprën e tij.
Çajupi si poet lirik i solli lirikës shqiptare
një ndjesi të re poetike, një ndjenjë
të freskët e të çiltër,
të shprehur me një thjeshtësi që
të magjeps. Kur shkruan për bariun që
i bie fyellit mbas stuhisë, ose kur bie në
mendime për shkurtësinë e jetës
dhe pashmangshmërinë e cdekjes , shkruan
Konica për lirikën e këtij poeti të
pavdekshëm, vargjet e tij të bëjnë
për vete me ëmbëlsinë dhe ritmin
e tyre.
Si dramaturg Çajupi i dha përmbajtje e
vend të ri komedisë në letërsinë
shqiptare; fryma e kritikës sociale e politike
dhe humori popullor e pasuruan ketë zhanër
pak të lëvruar më parë. Dy veprat
e tij "Katërmbëdhjetë vjeç
dhëndërr" dhe "Pas vdekjes"
qëndrojnë në themelet e komediaografisë
shqiptare.
Si publiçist, ndonëse botoi pak në
shtypin e kohës, Çajupi është
nga krijuesit e stilit satirik në publiçistikën
shqiptare.
Si përshtatës Çajupi hapi udhën
e krijimit të vërtetë, në gjuhën
shqipe të vlerave të letërsive të
tjera, sidomos përmes fabulave të La Fontenit
dhe disa lirikave nga poezia gjermane e sankritishtja.