Krijimtaria e Çajupit si poet
është e gjerë, por vepra e tij kryesore
është "Baba Tomorri", një
nga përmbledhjet poetike më të rëndësishme
botuar gjatë Rilindjes. Interesi i gjallëqë
zgjoi ajo, pritja që iu bë nga lexuesi e
kritika e kohës, lidhet me forcën e fjalës
poetike të Çajupit me rininë e frymëzimit
të tij si poet që do të shprehte aspiratat,
ëndërrat dhe idealet e një faze të
re të lëvizjes kombëtare , e cila në
fillim të shekullit tonë njohu një
ngritje të përgjithshme që shpuri në
kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912
dhe në fitoren e pavarësisë.
"Baba Tomorri" shënonte një nga
kulmet e poezisë së Rilindjes, pra me "Baba
Tomorrin" i hapeshin shtigje të reja poezisë
shqiptare, frynte në të një flladi
ri dhe hynte në të një notë e
re, më e fortë dhe më konkrete nga
fryma sociale. Prandaj "Baba Tomorri" si
vepër qëndron në kapërcyell të
dy epokave, me rrënjë të forta në
traditën romantike të Rilindjes, si vazhdim
i saj, dhe me vështrim nga horizontet e një
poezie të ardhshme realiste dhe sociale. Fryma
popullore, me të cilën janë gatuar
vjershat e "Baba Tomorrit", u dha atyre
një vulë origjinaliteti të veçantë,
një tingëllim aq magjepës për
veshin e lexuesve, sa ato u bënë shpejt
popullore dhe pushtuan zemrat e tyre.
Përmbledhja poetike "Baba Tomorri"
përbëhet nga tri pjesë që autori
i titullon: "Atdheu", "Dashuria"
dhe "Përralla të vërteta e të
rreme".
Motivi atdhetar, dashuria për baltën dhe
gurët e mëmëdheut dhe malli për
ta, kujtimi i së kaluarës heroike dhe krenaria
për traditat e të parëve, dëshira
për ta parë atdheun të lirë dhe
thirrja për të rrokur armët kundër
pushtuesit, i japin poezisë së Çajupit
atë tharm frymëzimi dhe atë patos luftarak
që e bën të hyjë thellë në
shpirtin e shqiptaritdhe ta trondisë atë.
Tema atdhetare fiton në poemën e Çajupit
një përmbajtje konkrete e të prekshme,
sepse ai shprehu ndjenjat dhe mendimet e njeriut të
thjeshtë, të bujkut e të bariut, lidhur
me baltën e mëmëdheut dhe me varret
e stërgjyshëve. Mëmëdheu është
si toka ku njeriu lind, mëson gjuhën e nënës,
njeh prindërit, ku rron me ëndrra dhe me
shpresa, ku dëshiron të ketë varrin.
Ky vend për shqiptarin është Shqipëria.
Ku i duket balta
Më e ëmblël se mjalta,
shkruan poeti. Atdheu i jep njeriut nder, i jep kuptim
dhe vlera morale jetës së tij. Poezia e
Çajupit këto ide të Rilindjes i shprehu
me një gjuhë të thjeshtë, me një
një varg që rrjedh i çlirët,
si në këngët e popullit, me një
fjalor poetik konkret dhe me një ndjenjë
aq të sinqertë e aq të çiltër,
sa e bën aty për aty për vehte lexuesin
dhe i ngulitet në mendje e në zemër.
Jeta është e bukur në atdhe kur njeriu
gëzon lirinë, liria është gjëja
më e shtrenjtë për njeriun, do të
shkruante poeti, por shqiptarët e kishin humbur
atë dhe kishin rënë në një
robëri të rëndë shekullore:
Pesëqind vjet kemi rruar
me pahir,
Lidhurë këmb' e duar
me zinxhir!
Shkruante Çajupi në poezinë "Shqiptar",
duke lëshuar kushtrimin:
Çvish rrobat e robërisë,
Mëmëdhè,
Vish armët e trimërisë,
se ke ne!
Në këto vargje të përziera, katërrokëshi
thyen rrjedhën e tetërrokëshit, duke
i dhënë një ritëm të ri shprehjes
poetike, kurse aliteracioni i jep një timbër
të veçantë. E gatuar me frymën
kryengritëse, poezia atdhetare e Çajupit
ishte kështu një kushtrim lufte; në
të shpirti luftarak dhe motivi atdhetar i poezisë
së Rilindjes gjeti shprehjen e vet më të
gjallë dhe më të hapur. Poezia atdhetare
e Çajupit është kështu poezia
e toneve të forta, një poezi e trazuar që
vlon nga malli e dashuria për vendlindjen dhe
nga zemërimi e thirrja për luftë.
Ajo shënoi kulmin e poezisë atdhetare të
Rilindjes, prandaj dhe u bë himn atdhedashurie
edhe vetëmohimi për çetat e lirisë,
gjatë Rilindjes e më pas.
Një notë të re, të freskët
solli poezia e Çajupit edhe në lirikën
e dashurisë. Ai i këndon një dashurie
tokësore, duke e zhveshur poezinë dashurore
nga konvecionalizmi. Çajupi nuk përsiat
për dashurinë, ai e pasqyron atë si
një ndjenjë të jetuar, si një
kujtim të gjallë a përjetim të
sinqertë, të cilin e jep me thjeshtësinë
dhe konkretësinë e lirikës popullore.
Poeti i këndondashurisë së parë,
i këndon vashës që i prish gjumin;
i këndon mikes së jetës, bukurisë
së saj, u këndon gëzimeve dhe brengave
që i sjell njeriut një dashuri e përjetuar
thellë, si një ndjenjë e bukur që
pasuron jetën e njeriut.
Bukuria jote, leshërat e tua
Po si pendë korbi të gjata mi thua,
Ballëtë si diell, faqetë si mollë
Qafa jot'e gjatë, mesi yt i hollë.
…Gjithë më kënaqin, të tëra
t'i dua
Po zemra jote u bë gur për mua!…
Shkruan poeti në një nga lirikat e ciklit
"Dashuria", që është nga
më të bukurat e poezisë sonë dashurore.
Midis këtyre lirikave vend të veçantë
zë tufa e poezisë me titullin "Vaje".
Është një elegji e rrallë frymëzuar
nga klujtimi i bashkëshortes së vdekur,
një kujtim i thekshëm dhe cfilitës
për zemrën e plagosur të poetitqë
s'gjen shërim, një plagë që orë
e çast e lëndon jetimi i mitur pa dashurinë
dhe përkëdhelitë e nënës.
Ndë ç'kopshte me lule ke qëndruar
vallë?
Stë vjen keq për mua? Stë vjen mall
për djalë?
E gatuar me një ndjenjë të thellë
njerëzore, e derdhur në modelet e folklorit,
ajo u bë popullore dhe u këndua si këngë
popullore.
Ashtu si në jetën e njeriut, gëzimi
dhe hidhërimi janë pranë e pranëdhe
në poezinë e Çajupit këmbehen
shpesh, duke mbizotëruar në të notat
optimiste , gazi që i sjell njeriut dashuria.
Si një këngë plot dritë e ngazëllim
tingëllon vjersha "Kopshti i dashurisë".
Ky kopsht për poetin gjendet në atdhe, ku
do ta sjellë miken që ti gëzojnë
gëzimet e dashurisë, bukurisë dhe mirësitë
e vendlindjes, të jetës së thjeshtë
fshatarake e baritore të mëmëdheut.
Çajupi e zbriti lirikën e dashurisë
nga qiejt romantikë në tokë, në
jetën e përditshme të njeriut shqiptar,
Me këtë frymë tokësore e jetësore
do të emanciponte Çajupi mbarë poezinë
e tij, sidomos poezinë me motive shoqërore,
të cilat i trajtoi ndër të parat në
letërsinë tonë, si një shkrimtar
që i hap udhë realizmit.
Çajupi në poezinë e tij ngre zërin
kundër pabarazisë shoqërore, ai është
mik i demokracisë dhe armik i despotizmit politik.
Poeti merr në mbrojtje të drejtat e vegjëlisë,
tek e cila gjen vlerat morale që krijon puna
e ndershme. Vjersha "Misiri" e pasuron poezinë
e kohës me ide të reja, kundër shtypjes
e arbitraritetit të klasës së bejlerëve,
të sundimtarëve që e ngrenë lumturinë
e tyre mbi djersën dhe gjakun e njerëzve
të punës. Ai vuri gishtin në disa plagë
të rënda të shoqërisë shqiptare
të kohës, shkroi me dhembje për pozitën
e gruas në këtë shoqëri ("Fshati
im") dhe pasqyroi me realizëm dramën
e kurbetit ("Kurbeti") si një fatkeqësi
me pasoja tragjike në jetën e shqiptarit
dhe për fatet e kombit.
Në poemën "Baba Musa lakuriq"
që mbeti e pabotuar, Çajupi thelloi kritikën
edhe ndaj moralit të shoqërisë së
kohës dhe i zgjeroi shumë diapazionin tematik
të poezisë shqiptare. Veprën e përshkon
rryma satirike ndaj dogmës dhe klerit. Duke parodizuar
biblën, poeti shprehu skepticizmin e vet edhe
ndaj thelbit moral të njeriut dhe ndaj normave
të marrdhënieve morale atje ku bën
ligjin paraja dhe pasuria. Për poetin është
e padrejtë ajo ajo shoqëri ku blihet e shitet
njeriu, ku blihet e shitet dashuria.
I pasur të palltë varri,
ti që bleve dashurinë,
do të shkruante Çajupi. Ai aktualizoi
edhe shumë ide morale të fabulave të
La Fontenit, përmes përkthimit të tyre
mjeshtëror në gjuhën shqipe.