Si të kthehem prapa kur udhën
s'e di?
Prej pikëllimi lumi buçitës i natës
E unë rrah brigjet e errëta këtu.
Akeronti rrjedh po karont nuk ka.
Tregomë një va ku te kaloj.
Ti i njeh guvat dhe vorbullat e frikshme.
Tregomë një va, vëllai im,
Ku të kaloj Akerontin
Dhe të arrij.
Akeront rrjedh po karont nuk ka.
---------------------------------------------
Kjo poezi gjendet në mesin e tetëmbëdhietë
poezive të ciklit "Vllasi', që i kushtohet
vëllait të vdekur të poetit. Kjo poezi
lidhet përkatësisht me vdekjen e mistershme
dhe të paligjshme të tij. Karakteristikë
stilistike e kësaj poezie është inversioni
(kemi episode të përmbysura), që mbështetet
dhe stimulohet nga ritmi i brendshëm, nga përsëritjet
e pasuara me heshtje (të zëshme), ndërsa
"paqartësitë" vihen në funksion
të ironisë.
Nga vargjet e poezisë si nga nëntoka shpërthen
dhe përhapet një gjëmë, brenda
së cilës jehon vërshueshëm dhimbja
dhe vaji, të cilat përplasen në kupë
të qiellit, përpëliten dhe që
andej të vetmuara, pa shpresë rikthehen
nga e para ... kështu përjetë e mot.
Është kjo gjëma e vëllait të
vdekur të pavdekur që trishtueshëm
kërkon një vesh për ta dëgjuar.
Pas ndëshkimit të Zeusit për të
mos e pranuar shpirtin përtej, shpirti i Vllasit
kërkon çmendurisht mbështetje. I
mbetur qyqe as këtej, as andej, Vllasi lëshon
vajin përbetues dhe akuzues, që ngre peshë
botën e të gjallëve, dhe pikërisht
të poet-vëllait, që edhe pse i rrahur
nga valët e jetës, nuk është në
gjendje t'i tregojë një shteg kalimi vëllait,
d.m.th. nuk mund ta ndihmojë atë as të
vdekur. Mosekzistenca e karontit lidhet me mesazhin
dëshpërues filozofik: S'ka përtej,
s'ka as këtej ... Poeti kështu dhimbshëm
metaforizon dhe vetë realitetin pa rrugëdalje
në të cilin ai jeton
---------------------------------------------------------------