Fatos Arapi lindi në qytetin
e Vlorës. Po atje ai kreu shkollën e mesme,
ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari
(Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe
të Ekonomisë. Ka punuar shumë vjet
gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji
të Tiranës. Disa herë ka fituar çmime
kombëtare e ndërkombëtare për
poezi. Vepra e Fatos Arapit është e pasur
në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi.
Përveç poezisë ku ai qëndron
në rreshtat e parë, F. Arapi ka shkruar
disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës,
1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane:
Dhjetori i shqetësuar,1970; Shokët,1977;
Deti në mes,1986; disa drama: Partizani pa emër,1962;
Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front
diku,1995; ka bërë disa përkthime:
Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov,
1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji
e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një
numër të madh artikujsh e studimesh të
ndryshme. Poezitë e para F. Arapi i botoi në
gjysmën e dytë të viteve pesëdhjetë,
dhe, përkatësisht në vitet 1962 e 1966
botoi vëllimet "Shtigje poetike" dhe
"Poezia dhe vjersha". Që në hapat
e parë ai paralajmëroi një zë
të vëçantë në artikulimin
gjuhësor të botës dhe të njeriut,
një vizion të vetin mbi realitetin. Fillimet
poetike të Fatosit do të jenë tematikisht
të rrudhura e të reduktuara, duke u kushtëzuar
nga rrethanat politike të kohës. Në
frymën e hovit ndërtimor dhe të entuziazmit
për çlirimin e vendit, që mbizotëronte
brenda parimeve krijuese të realizmit socialist
poeti shpaloste besimin se Shqipëria ecte drejt
një rruge të re, të lirë, dhe
ky besim bënte të përballohej më
lehtë durimi dhe sakrifica. Brenda këtij
vizioni, Fatos Arapi shpesh do t'i përqeshë
e përbuzë burokratët dhe demagogët,
si në poezinë "Antiburokratike",
apo do të sjellë disa veçanti përmbajtësore
dhe ekspresive si në poezinë "Pse erdha
në jetë". Siç shihet, poeti
i thurr ode lirisë dhe "mejtimit të
lirë" siç e quan ai. është
synim dhe ideal madhor, pas të cilit poeti magjepset
dhe përbetohet.
Parë nga kjo perspektivë vetë çensurimi,
mund të bëhen interpretime të shumëfishta:
se shoqëria e re është ajo që
sjell dhe garanton lirinë, apo, se poeti sikur
e ndien të rrezikuar lirinë, prandaj del
në kundërshtim të brendshëm me
kohën e vet. Cilido nga interpretimet duhet marrë
parasysh dhe për faktin e leximit zyrtar të
poezisë. Por, edhe në rrafsh të artikulimit
gjuhësor, në përzgjedhjen e figurës
dhe të figuracionit, Arapi do të kërkojë
mundësi të reja në thurrjen e vargut
dhe artikulimin e fjalës. Eshtë ndjerë
e hutuar mbase dhe vetë çensura përballë
vërshimit të figurshëm në stilin
"Nata shkon shaluar mbi kurriz të maleve",
"Nata e ngarkuar me alarme...", te poema
mjaft e ndjerë dhe e suksesshme e asaj kohe "Alarme
të përgjakura".
Në fillim të viteve shtatëdhjetë,
e sidomos me veprën e botuar më 1972 "Më
jepni një emër", besimi dhe entuziazmi
mbi të nesërmen e sigurtë sikur fillon
të meket. Do të vërehet kjo në
dy rrafshe: në përsiatjet për idenë
e ekzistencës, (në çastet e dëshpërimit
personal) dhe, në prirjen e figurshmërisë
së mbyllur, për të mos qenë deri
në fund i lexueshëm. E tillë mund të
jetë dhe poezia, titullin e së cilës
mban vëllimi "Më jepni një emër".
Vërehet se shumë dilema shqetësuese
fshihen nëpër vargje, shumë çështje
dhe kategori vihen para pikëpyetjeve, ose të
paktën shumë çështje të
ekzistencës mbesin të hapura... Dhe pikërisht
gjatë viteve shtatëdhjetë, syri zyrtar
do të dalë publikisht me alarmin nga rreziku
i një poezie të tillë. Qoftë në
frymën e entuziazmit dhe të besimit të
fillimit, qoftë në kuadër të shenjave
të para për zvetënimin e këtij
besimi, poezia e Fatos Arapit për gjatë
gjysmë shekulli arriti ta ruajë tërësinë
e qëndrueshme estetike dhe etike. Në planin
tematik, poezia e tij nuk e vuri poezinë në
shërbim të politikës së ditës.
Në rrafshin e shprehjes, ai vazhdoi të jetë
origjinal duke e zgjeruar hapësirën krijuese
dhe artikulimin figurativ. Zakonisht vetëm me
një lëvizje, me një shpërthim
befasues, poezia e Fatos Arapit sugjeron thellësí
dhe hapësira universale përfytyrimi, duke
e vendosur objektivin poetik brenda konteksteve të
reja ekzistenciale, ku shquhet mprehtësia e mendimit.
Edhe figura, prandaj del përherë e re, çuditërisht
e freskët, e ngarkuar me përmbajtje dhe
ndjeshmëri të papërsëritshme.
Është një gjuhë poetike e aftë
ta ndjekë e ta artikulojë të fshehurën,
të padukshmen, të ndrydhurën në
mjedisin që e rrethon, me tërë tragjedizmin,
trishtimin dhe egërsinë bashkë. Mund
të thuhet se figura në poezinë e Arapit
është ndër më efikaset dhe ekspresivet
në poezinë bashkëkohore shqiptare.
Në mpleksjen ndërvarëse: nga njëra
anë realiteti, nga ana tjetër imagjinata,
emocioni dhe intelekti, lind kjo lirikë. Prandaj
lexuesi e gjen, e zbulon veten me ndjesinë se
dhe ai kështu e përjeton botën përreth,
por nuk ka mundur ta formulojë ashtu. Nga përplasja
e poetit: (imagjinata, emocioni, filozofia) me realitetin,
reflektohet synimi drejt përsosjes së njeriut.