Ti mbyll derën pas e nisesh
Në mesin e rrugës takon ditën
Që të pyet e hutuar: - Nga të shkoj?
Shpresën e ushqejnë me shpresë, -
Pastaj shpresës i vrasin shpresën.
Vetëm pasqyrat ndryshojnë,
Teknologjia përsosëse e tyre, -
Fytyrat janë po ato.
Jo, ti, - hija jote shkrin në gotën me ujë
Diellin dhe kokrrën e aspirinës, -
Ke dhimbje të forta koke.
E di: zembereku i zemrës sime
Eshtë pluhurosur , - kur do të vijë
Ajo,
Me frymën e saj t'i fryjë,
Të ndjej ecjen tingëlluese të kohës.
Në qiellin e Tiranës, një unazë
e zjarrtë
Fluturon nga syri në sy -
Kërkon gishtin e nuses.
Kërciti gonxhe e zambakut tek çelej,
Dhe marsi eci para meje.
Të paktën, o zot, akoma jemi njerëz
Respektojmë dallëndyshet dhe vdekjen.
---------------------------------------
Kjo poezi mban datën e vitit 1997. Poezia ka
22 vargje monokolonë dhe është shkruar
si apostrofim i vetës së dytë, pra
është zëri i subjektit lirik që
bën dialog të brendshëm. Poeti përcjell
zëshëm lëvizjen e vet tek kapërcen
pragun e shtëpisë për të dalë
në qytet. Ky është veprimi i parë.
Veprimi i dytë është ballafaqimi me
rrugën, realitetin. Hutimi, gjendja pa kuptim,
pa krye të godet: S'di nga të shkoj! Veprimi
i tretë është zhgënjimi: kostatimi
se pasi të kanë ushqyer me shpresë,
ta vrasin atë. Papritmas kemi një lajthitje,
një përçartje nga dhimbja e kokës:
shërohet me diell apo aspirinë? jashtë
çdo vullneti mekanikisht ndodh lëvizja
brenda poetit. Ai bëhet i vetëdijshëm
se zembreku i orës është pluhurosur,
ashtu si zembreku i kohës së Atdheut të
tij. Po ama megjithë shpresën e vrarë,
qytetari tiranas përsëri ka aftësinë
të shpresojë: A do të vijë Ajo?
Për një çast të duket se është
fjala për një të dashur, mbase dhe
është ashtu, dhe a ka më të dashur
për një shtetas shqiptar të presë
kohën e mirë për veten. Dhe prapa shpinës
së tij hapet një dekor shpresëdhënës,
i realizzar ky me figura të goditura simbolesh:
Unazë e zjarrtë, gishti i nuses, gonxhe,
zambak, dallëndyshe. Kështu poezia mbyllet
me një vetëngushëllim tragjik, si për
të theksuar se nuk është koha më
të gënjejmë vetveten, aq më tepër
me poezi.
-----------------------------------------------------