Atdheu është dhimbje, është
dhimbje.
Një prill i pikëlluar në shpirt.
Atdheu është kryqi, është kryqi.
E mban - dhe të mban ty - në shpirt.
Atdheu është toka e premtuar.
Ti shkel si një zot dhe s'e ke ndën këmbë
Atdheu s'ka fjalë, ka sy të trishtuar
Vdes dashuria në dashuri që të çmend.
Atdheu është buka e urritur,
të ikën nga duart e dot nuk e ngop
ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur
me sytë n'errësirë vetveten kërkon.
Atdheu është varr i hapur, është
varr.
Një jetë drejt tij shkon me besë që
bind.
Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë
Në një pikë loti lirinë e lind.
Atdheu yt i vogli, i vogli,
Ai hyjnori i pavdekshmi - loti.
------------------------------------------
Poezia Atdheu ka katër katrena dhe një distik
të pavarur në fund. Struktura e saj e veçantë
është në lidhje me tendosjen emozionale,
që e bën fare të ndryshme këtë
poezi nga ajo pjesë që emërohet si
lirikë atdhedashurie. Të gjashtëmbëdhjetë
vargjet e katrenave sistemohen si njësi të
mbyllura, të pavarura, që përfundojnë
me pikë, të cilën e imponon goditja
shpirtërore dhe intelektuale e poetit në
ballafaqim me gjendjen e atdheut. Secili varg s'ka
nevojë për atë që pason dhe megjithatë
ata pasojnë njëri-tjetrin si goditjet që
pëson nga realiteti poeti. Brenda secilës
goditje ndjehet e ngjeshur si përzierje shija
e hidhur dhe e ëmbël që reflekton Atdheu,
ledhatimi dhe kafshimi, nëma dhe urata bashkë,
përgjërimi dhe revolta, dënimi dhe
shpërblimi përherë i ndërsjelltë.
Përmes vargjeve të kësaj poezie arrihet
identifikimi i fuqishëm i brendshëm i poetit
dhe i Atdheut: Atdheu është kryqi që
e mban dhe të mban mbërthyer; Eshtë
hyjnori Atdhe dhe Atdheu varr i hapur. Deri kur kështu?
është klithma e fuqishme e të kryqëzuarit,
poetit atdhedashës.
------------------------------------------------