Më mbresëlënëset
nga lirikat meditative janë (ato të emëruara)
si: cikli i Tiranës dhe ato mbi ciklin Vllasi.
Të parat janë vargje të frymëzuara
nga dritëhijet e mjedisit urban të qytetit
të poetit, Tiranës, nga ngjyra dhe shija
e përditshmërisë. Në poezinë
e Arapit gjatë dhjetëvjetëshit të
fundit, Tirana do të shndërrohet në
figurë që ngërthen në vete një
kohë nga më dramatíket, të ngarkuar
me tonet më ekstreme ekzistenciale për qenien
kolektive. Kështu, herë në funksion
të metaforës, herë në atë
të simbolit, Tirana do të jetë vatër
dhe burim i pashtershëm i vibrimeve trishtuese
të botës krijuese. Pikërisht brenda
këtij cikli tematik që shënon kurorën
krijuese të poetit, do të gjejmë të
fokusuar artistikisht shpirtin e parehatuar shqiptar
të kohës, me një energji të paartikuluar,
gjysmë të egër, në një kërkim
të ethshëm e dramatik të vetes, me
një vullnet gjysëm të verbër,
si agresion dhe vetëagresion. Këtë
kohë të ngarkuar me dhembje, trishtim dhe
shpresa, tiranase dhe shqiptare, lexuesi do ta përjetojë
si "dokument" të fuqishëm historik.
Në poezinë "Koha" poeti bën
disa pyetje me vlerë historike e njerëzore:
E ka nga marrëzia koha shqiptare, që, si
një mëz i harbuar shkumbon mbi shqiptarët
si pa i vënë re ata? As do t'ia dijë
fare për orën e ndalur, orën zero,
siç do të thotë poeti me një
rast tjetër? A nuk i sheh ajo, lazdrania, fatet
shqiptare që s'lëvizin, m'u si mushka para
greminës? Koha shqiptare është në
një kërkim apo vetëkërkim dramatik
të vetvetes?
Poezia më karakteristike që ngjizet në
këtë katrahurë shqiptare, por njëkohësisht
ka një besim të thellë në të
ardhmen, është poezia "Gloria viktis"
(vargjet janë shkruar gjatë janarit 97,
në Tiranë dhe Vlorë). Eshtë Odë
humbësve; janë humbësit që gabojnë
duke u nisur verbërisht në beteja të
reja, kështu derisa të çlirohen nga
ngasja e hidhur e brendshme dhe ta pastrojnë
pastaj tërë hapësirën tiranase
dhe shqiptare. janë pra, ata që gabojnë
dhe nisin lojën tragjike e të përgjakshme.
Mos janë pikërisht këta, humbësit
e përhershëm, shpëtimi shqiptar? Edhe
me kusht që të mbyten, vetë bashkë
me të tjerët, por, me kusht që uji
të lëvizë, të mos shndërrohet
përfundimisht në kënetë ... është
mesazhi i poetit.
Gjatë vitit 1996, Arapi shkroi vargjet mbase
më të zymta deri më sot në portretizimin
e kohës shqiptare (In tenebris). Vargjet e poezisë
kanë strukturë dhe perspektivë epistorale,
si letër shkruar Vllasit në Had (Vllas Arapi,
vëllai i poetit, i vrarë në mënyrë
misteriose pas mbarimit të Luftës së
Dytë Botërore). Poeti e ngushëllon
të mos ndjeië keqardhie, të mos ndjejë
mall për botën e njerëzve të këtejme,
sepse "këtu drita prej terri është".
Dhe ja, përsëri, në kuadër të
këtij trishtimi, një artikulim i përsosur
poetik: në bebëz të syrit na është
eklipsuar hëna duke u kërcënuar, si
çark i ngrehur që mund të shpërthejë
në çdo çast. Dhe, s'ka rrugë,
ku mund të nisesh, ku mund të arrish...
Edhe liria lind në pranga, lind skllave. Veç
tragjeditë, veç ato s'harrojnë të
mënojnë. Nuk ka nevojë as për
xhelatë, sepse këtu, sapo ta kalosh kufirin
e territ, më i tmerrshëm fanitet njeriu...
Po në kuadër të këtij rrethi tematik
po përmendim edhe dy
poezi: "Në Tiranë ka vetëm tiranë",
të shkruar këtu e dhjetë vjet të
shkuara, dhe "Mall për ty në Tiranë",
në vitin 1995. Në poezinë e parë,
sugjerohet një lojë fjalësh, duke nxjerrë
kuptimin dytësor përmes shndërrimit
të emërtimit Tiranë në cilësorin
tiranë. : është koha kur liria, ngathët-ngathët
shfaqet në horizont, kur dinjiteti shqiptar i
nëpërkëmbur për një gjysmë
shekulli, zgjohet i egër, agresiv, dhe vetëagresiv.
Hipokrite është shpresa në Tiranë:
ti i vdekur, e ajo të jep frymë, të
mban gjallë që sërish të të
vrasë. Poezia përfundon me një distik
në vete, ku shfaqet mbi ferr një Sovran
Krye-Engjëll, me vargun kulmor "E dua Tiranën
se të vret" , mbase në frymën
e Kutelit "Ta duash atdheun edhe kur të
vret".
Poezia e dytë ka vetëm katër vargje
dhe është thurrur në formë letre,
përsëri drejtuar Vllasit. E sjell portretin
e jashtëm të Tiranës në tetor,
të përbaltur e me llucë, që është
në harmoni me shpirtin e përmalluar të
poetit për vëllanë, të trishtuar
në vetmi e ngricë; gjysmën e shpirtit
ia rrezaton dielli, ndërsa gjysmën, ia mbulon
terri. Mos e nxit këtë mall të pashuar
për Vllasin, për botën e tij të
përtejme, zymtia trishtuese e Tiranës?...
Në këtë frymë, cikli i rrethit
tematik - Tirana, në poezinë e Arapit është
kapitull më i artikuluar i lirikës shqiptare.
Vizioni i përthyer, dramaciteti, vibrimet e brendshme
e të padukshme të botës shqiptare,
të kohës shqiptare, sajojnë dritaren
më mbresëlënëse , nga e cila vëzhgohet
kjo pjesë e kohës sonë, ajo e dhjetëvjetëshit
të fundit të shekullit që shkoi...