Romani më voluminoz në letërsinë
tonë "Lulja e Kripës" (1978) i
Jakov Xoxës, shtrirjen e gjerë në jetë
e fillon me përshkrimin e atmosferës dhe
të njerëzve në koloninë e kripores
në afërsi të fshatit Naforë (në
bregdet), në vitin 1940. Lidhja e njerëzve
me zejen e kripës dhe kripën është
njësoj si ajo me tokën, një lidhje
jetike ekzistenciale. Natyra dhe bota e njerëzve
të Naforës është e pleksur në
thellësi me ngjizjen mitologjike të liqenit
të kripur të hyrë si bërryl në
det. Mbi këtë vizion jetik gërshetohen
prirje, konflikte, drama të shumta motivesh dhe
karakteresh. Duhet theksuar se romani i tretë
dhe i fundit i Jakov Xoxës si realizim artistik
ngrihet përsëri në shkallë të
romanit të parë, "Lumi i vdekur",
kjo dhe për arsye se vendosia e ngjarjes në
fillim të viteve '40 i lejon autorit hapësirë
krijuese manovrami, për të shmangur pjesërisht
frymën e parimeve të realizmit socialist.
Në vëllimin e parë të romanit
"Lulja e Kripës", autori i përgatit
personazhet e tij për një ngjarje të
madhe dhe, sa më pranë saj janë ata,
aq më i rreptë është sprovimi
i tyre dhe më dramatik përcaktimi.
Në hapin e parë ata të lenë përshtypje
të caktuara, të veçanta dhe sa më
shpesh që takohemi, aq më me saktësi
e ndjejmë zërin e tyre të brendshëm,
të veçantë; fillojmë ta ndjejmë
përcaktimin e tyre të veçantë.
Pas disa qindra faqesh lexuesi nis e ndien rrjedhat
e afërta të historisë, por edhe ato
më të largëta, shëmbëllyeshëm
me natyrën krijuese të romanit "Lumi
i vdekur" dhe "Juga e bardhë".
Ky përcaktim dhe profilizim i personazheve nuk
arrihet përmes dëshmive të shpejta,
por përmes shtrirjes së gjerë epike,
që realizohet shkallë-shkallë dhe që
merr me vere të gjitha jehonat e mëdha dhe
të vogla së bashku.
Dy vatrat amë që integrojnë dhe venë
në lëvizje rrjedhat e rrëfimit tek
romani "Lulja e Kripës" janë familjet:
e Dosarajve dhe Sopajve. Këto dy epiqendra që
së bashku shprehin tërësinë e
botës shqiptare, gjithashtu kanë degëzimet
e tyre jehonash të veçanta dhe karakteristike
për kohën. Tre djemtë e vëllait
të arhondit të madh, Grigor Dosarit, me
formim, me nxitje, motive e bindje të ndryshme,
përfaqësojnë këto lëvizje:
tek Peri përshtypje dhe ndikim të brendshëm
bëjnë librat; Llambroja karakterizohet nga
të vërejturit e mprehtë të botës
që e rrethon, kurse Pavlo Dosari është
besnik i përvojave dhe i konvencioneve të
brendshme familjare. Cili prej tyre do të mishërohet
më natyrshëm në përputhje me botën
dhe individualitetin e vet, por dhe me rrjedhat e
ngjarjeve të kohës?
Kjo vatër qëndrore që përgatitet
për degëzime individuale, në degëzimin
e parë ngjiz embrionet e tri vatrave të
reja fabulare për vëllimin e dytë.
Drama më ekspresive gjithësesi është
ajo e bashkëshortëve Llabro dhe e Patra
Dosarit. Brutaliteti i rrethanave bën që
Patra, nga një grua e devotshme deri në
përsosmëri shpirtërore të shndërrohet
në një shtrigë që e tmerron Naforën
me mallkimet e saj për shterpësi. Sikur
nga kjo hapësirë epike e shtrirë në
këtë vepër madhore të Xoxës,
të veçohej vetëm kjo jehonë
e personazhit Patra, do të mjaftonte që
të ndriçohei fuqishëm një hapësirë
shqiptare e Naforës. Por, ndërhyrja flagrante
e autorit do të ushtrohet tek vëllezërit
Sopi.
Milto Sopi, kryesori i kripores, një intelektual
që ka marrë pjesë aktive dhe në
ngjarjet e Qershorit të vitit 1924, që ka
jetuar në qendra të ndryshme të Evropës
dhe në Rusi si emigrant komunist, pra intelektual
i shkolluar, njësoj si shumë intelektualë
të asaj kohe në Evropë me bindje majtiste,
kthehet i zhgënjyer në Shqipëri.
Ç'është ky zhgënjim dhe ç'filozofi
ka për mbështetje? Nga debatet e ashpra
që zhvillon me të vëllanë, me
Petritin, me teknikun e kripores dhe njërin nga
figurat kryesore të lëvizjes komuniste në
këtë mjedis, del se përcaktimi fillestar
i Miltos për idealin e bindjet komuniste nuk
paskëshin qenë në përputhje me
botën, me kërkesat, me natyrën dhe
strukturën e tii shpirtërore. Dhe në
vend që kjo linjë e intelektualit të
zhgënjyer të zhvillohet në përputhje
me bindjet e fundit të tij, autori do të
ndërhyjë duke u distancuar dhe duke e nxirë
Milton në rrafshin etik. Kështu, ndriçimi
i drejtë dhe i gjithanshëm i këtij
profili të intelektualit shqiptar të para
luftës, në letërsinë tonë
vazhdon të presë autorin e vet. Në
veprat e rrëfimit epik, zakonisht, krahas rrafshit
të drejtpërdrejtë të fabulës,
sajohet dhe boshti që lidhet natyrshëm me
rrjedhën aktive të narracionit. Prandaj
lexuesi ka një përfytyrim të qartë
për ecurinë e rrjedhave pasive dhe mund
t'i kapë lehtë lidhjet brenda linjave të
këputura. Te shkrimtari Jakov Xoxa kjo ligjshmëri
e vetvetishme e natyrës krijuese kultivohet dhe
ngrihet në parim të fuqishëm shprehës.
Kështu psh. në këtë roman voluminoz
linja e personazheve Maji dhe Arta, edhe pse shfaqet
dhe është e pranishme vetëm në
faqet e para dhe të fundit të romanit, kjo
linjë ndjehet si prani sugjestive e pashqiptuar
gjatë tërë veprës. Ajo depërton
si e tillë në vetëdijen e lexuesit,
ngulitet fuqishëm gjatë tërë rrëfimit
me praninë e rrjedhës së saj në
heshtje. E fiksuar që në fillim vetëm
përmes disa vijave të shkurtra dhe të
fuqishme, linja në fjalë ndihet në
një mijë faqet e ardhshme, pa bërë
zë. Ajo imponohet njësoj krahas rrjedhave
të përcjella këmba këmbës
gjatë tërë rrëfimit. Përmes
kësaj veçorie krijuese të Xoxës
mund të shihet sublimimi mjeshtëror i natyrës
së realizmit klasik dhe të realizmit bashkëkohor,
ku shquhet dhe talenti i romancierit të madh
të letërsisë shqiptare.