Faqja Kryesore  >> Letersi  >> Moderne  >> Jakov Xoxa
 

Jakov Xoxa

 

   E Vjetër

 
 

   E Bejtexhinjve

 
 

   E Rilindjes

 
 

   E Pavarësisë

 
 

Ju ndodheni ketu Moderne

 
 

   Antike Greke

 
 

 



Autorët e kësaj periudhe

 

  Petro Marko

 
 

Ju po shikoni kete autor Jakov Xoxa

 
 

  Martin Camaj

 
 

  Kasëm Trebeshina

 
 

  Fatos Arapi

 
 

  Dritëro Agolli

 
 

  Ismail Kadare

 
 

  Anton Pashku

 
 

  Azem Shkreli

 
 

  Arshi Pipa

 
 

  Esat Mekuli

 
 

  Lluka Perone

 
 

  Vorea Ujko

 
 

  Nazmi Rrahmani

 
 

  Ali Podrimja

 


 

Lumi i Vdekur (fragmenti II)

Vita, si të gjitha vajzat e bujqve myzeqarë, ishte rritur në mes të pocaqisë dhe varfërisë. Po jeta ka rrugën e vet, që e ka filluar kush e di se ku e kush e di se si, saqë njeriu ngre supet përpara çudive të saj. Grizarakja ishte zhvilluar aq mirë, sa që të kujtonte atë lekoin e bukur të kënetës, që çel si për mrekulli të botës mbi ujët e pocaqisur të moçalit.
Shtatin e kishte pak si më të vërvitur për moshën e saj dhe për kockën pakëz të shkurtër të femrës myzeqare. Këmbët e gjata, (ja, tani, atje, në buzë të qerres, kërcinjtë e saj të varur jashtë sa nuk mirrnin dhè), i dukeshin akoma më gjatë nën fustanin e vjetër, shkurtuar shumë, se shumë ishte rritur brënda këtij viti të fundit. Thimkat e gjinjëve të vegjël, si ai bisku i fasules që ngre kokën e fryn tokën e ardhur nga vakësia e pranverës, ia kishin hedhur kraharorin përpjetë. Vetëm kurrizi i mirrte pak përpara, sikur t'i ishte thyer nga barra e punëve të shtëpisë. Po jo, në këtë moshë, s'ka çi bën puna shtait të një vajze si Vita. Shpatullat e mbledhura varfërisht e sipër të futur e të fshehur nën vehte krahërorin e përhedhur, do të kenë ndonjë shkak tjetër.
Vita ishte vajza më e madhe e shtëpisë së Shpiragajve. Si vajza më e rritur në mes atyre djemve në moshë, ajo ndjente një lloj drojtje, turpi, për ato shenjat e femrës që me ditë po i piqeshin e me orë po i shquheshin. Andaj nisi, një nga një, t'ia fshehë botës: në fillim, nën qepallat e gjata, si halë gruri, mbuloi sytë levarashë, pastaj zgjati fustanin nja dy gisht, për të fshehur kufíjtë e kofshëve dhe më vonë, kur pa se s'po ia dilte me të ndrydhur e me të shtypur të gjoksit që po shpërthente pa e pyetur atë, përktheu kurrizin përpara dhe mundi, një farë kohe, t'i bëjë ballë sulmit të moshës së bukur, po të paturpshme. Po a e dini? ... Vita sikur t'i kishte bërë të gjitha këto për të hequr më tepër sytë e botës: Qerpikët e ulur përgjysmë mbi gropëzat e syve, që lëshuan mbi mollëzat e faqeve një hije të lehtë, thelluan akoma më tepër gjallërinë e bebzave të saj të zjarrtë, pothua ashtu si thellon e nxinë nata grykën e pusit; teksa kurrizi, përkulur pakëz përpara e pajtuar aq mirë me sytë e ulur përgjysmë, i mësoi një të ecur të drojtur, që mori, me kohë, hijen e nazes.
Gjithë djelmuria e Grizës shkallonte pas asaj çupe. Duke fshehur bukuritë që natyra ia kishte falur me të dy duart ajo shtonte akoma më shumë, pa e ditur, nepsin e çapkënëve dhe remashëve të fshatit. Por gjer ahere asnjë s'ia kishte ngritur dot sytë dhe shtatin: siç duket, qerpikët e Vitës kishin qëlluar shumë të rëndë.
Çuditej e linte mëndjen vajza me ato çupat e qytetit: Si bajamet e pranverës edhe ato... që s'presin sa të çelin lulet e para, për të ndjellur në gjirin e tyre bletët që do t'i trazojnë dhe gudulitin!...
Kurse ajo?... Ajo turpërohej edhe nga njerëzit e shtëpisë, edhe nga vehtja e saj.
Po gjer kur do ta fshihte e ndrydhte kraharorin?...
Ja pse buza e poshtme, shpërveshur posi fiera e njomë e trëndafilit në pisk të vapës, po i mirrej atë kohë; ja pse po i mbusheshin me lot atë orë. Shiu i dendur që po fshinte qiellin, fushën, rrugën, thua se donte ta shuante nga bebëzat e vajzës gjithçka që kishte gëzuar e jetuar gjer atë ditë, (njëlloj si shuhen nga dërrasa e zezë, me një të fshirë, shkronjat e bardha) i bëhej se po ja ndrydhte akoma më shumë gjirin, zemrën.
Më duket sikur po e marrim kot nëpër gojë myzeqarkën e vogël. Gjer më sot asaj s'i kishte rrahur zemra për asnjë nga djemtë e fshatit...
Po ah!... Kjo drita e bardhë e dashurisë së parë është posi rrezia e yllit të ditës: duket në qiell e mbush botën me dritë edhe pa dalë dielli mirë...
Karvani i qerreve qëndron përpara hanit të Bishtanakës.

--------------------------------
Përshkrimi i Vitës është nga kurorat më të bukura që i rri mbi krye romanit të Jakov Xoxës dhe një nga perlat e prozës shqiptare. Bukuria fizike dhe varfëria duket se nuk kanë asnjë lidhje me njëra tjetrën. Kontrasti ndërmjet shëmtisë së karvanit me lecka dhe pamjes së mjerë të familjes së Shpiragajve, vjen e bëhet më i fuqishëm pas çdo metafore e krahasimi, me të cilat shkrimtari përshkruan pamjen e jashtme të Vitës. Bukuria fizike lidhet me pjesën më të bukur të vajzërisë me virgjinitetin dhe pastërtinë e botës shpirtërore, me turpin e natyrshëm, por dhe të vetëdijshëm të kësaj vajze fshati. Drita e bardhë e dashurisë nuk pyet për errësirën e fatit nënvizon në fund shkrimtari, paçka se lexuesi parandjen për Vitën si çastet e ëmbla dhe ato të hidhurat.
---------------------------------------------------


1923 - 1979

Jeta dhe Vepra

Analiza
Lumi i Vdekur

 

 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003