Sulltan Mehmeti i II, pasi shtiu në
dorë kalatë e fundit në Shqipëri
dhe siguroi paqen me Republikën e Shën-Markut,
po atë vit (1479), ngarkoi gjeneralin e vet Gjedik
Ahmet Pashën, të cilin e kishte nxjerrë
nga burgu, të fillonte përgatitjet për
të realizuar ëndërrën e tij të
vjetër, pushtimin e Romës dhe të Italisë.
Bazë e përgatitjeve për ekspeditën
në Itali u caktua sanxhaku i Vlorës. Që
këtej, pas një viti përgatitjesh dhe
me ndihmën financiare të Venedikut, në
pranverën e vitit 1480, rreth 10 mijë ushtarë
turq, me Gjedik Ahmet Pashën zbarkuan në
Itali kundrejt Vlorës, në tokat e Mbretërisë
së Napolit, dhe pas një rrethimi të
shkurtër, më 11 gusht 1480 pushtuan keshtjellën
e Otrantos. Zbarkimi i turqve në Itali, tronditi
gjithë Evropën e krishterë. Per t'i
bërë ballë rrezikut turk, u formua
nën kryesinë e mbretit të Napolit por
pa pjesëmarjen e Venedikut, një koalicion
evropian.
Ekspedita turke në Itali, vuri në lëvizje
dhe shqiptarët, të cilët të organizuar
në çeta filluan të sulmonin garnizonet
dhe karvanet e turqve. Gjatë vjeshtës së
atij viti kur Gjedik Ahmet Pasha me gjithë përpjekjet
e tij, nuk mundi të pushtonte kështjella
të tjera dhe kur ushtritë e koalicionit
filluan veprimet ushtarake kundër turqve të
rrethuar në Otranto, shqiptarëve u lindi
shpresa për t'u çliruar nga zgjedha otomane.
Nga ana tjetër, mbreti i Napolit, Ferdinandi,
aleati i vjetër i Skënderbeut, filloi të
interesohej për rritjen e lëvizjes së
armatosur në Shqipëri, pasi kjo ndodhej
në prapavijat më të afërta të
ushtrive turke. Rifilluan kështu kontaktet midis
shqiptarëve dhe Mbretërisë së
Napolit.
Gjatë dimrit turqit përgatitën një
ushtëri të re për ta dërguar në
Itali sapo të vinte pranvera e vitit 1481. Por
në maj, vdiq sulltan Mehmeti i II, dhe në
Turqi plasi lufta për fron, midis dy djemve të
tij, Bajazitit dhe Xhemit. Nga kjo luftë e brëndëshme,
ekspedita në Itali u pezullua. Pasi siguroi fronin,
Bajaziti, e ktheu vëmendjen nga Italia. Këtë
radhë si komandant i ekspeditës, u ngarkua
bejlerbeu i Rumelis Sulejman Pashë Eunuku.
Shqiptarët përfituan nga kriza politike
që shpërtheu në Turqi. Ata u ngritën
në masë, rrethuan qytetet dhe vunë
në rrezik garnizonet turke në Shqipëri.
Kjo e detyroi Sulejman Pashë Eunukun që
të përdorte një pjesë të
ushtrive të tij për të forcuar mbrojtjen
e qyteteve. Por veprimet e shqiptarëve, me gjithë
sukseset që arritën qenë të paorganizuara
dhe të palidhura midis tyre. Kryengritësit
ndjenin nevojën për një udhëheqje
të vetme. Sytë e shqiptarëve u drejtuan
te Gjon Kastrioti, si trashëgimtar legjitim i
Skënderbeut.