Faqja Kryesore  >> Historia  >> Pushtimi turk
 

Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Kryengritja e Himarës (1472)

Megjithëse kryengritja u shtyp, turqit ndeshën, gjatë regjistrimit të tokave, në rezistencën e armatosur të malsorëve shqiptarë. Në disa nga këto krahina, rezistenca mori përpjestime të mëdha. Njëra nga këto, ishte krahina e Himarës. Krahina e Himarës, përfshinte në shek. XV, viset jug-perëndimore të Shqipërisë, krahinat e sotme të Himarës, Kurveleshit dhe Tepelenës, një zone prej afërsisht 50 fshatrash, në pjesën më të madhe fshatra malore. Pasi nuk mundën ta thyenin rezistencen e himarioteve, sundimtarët turq u munduan t'i nënshtronin ata me anën e bujarëve shqiptarë renegatë. Një nga këta renegatë, Komjan Arianiti, ndodhej në oborrin e Sulltanit dhe pretendonte të vendoste sundimin e vet në viset e dikurëshme të Arianitëve, nën hijen e sulltanit. Sulltani e dërgoi këtë renegat në Himarë me titullin sanxhakbej, por himariotët nuk e pranuan dhe në fillim të vitit 1486, pasi e kapën të gjallë, e vranë dhe filluan kështu kryengritjen e armatosur.

Për të shtypur kryengritjen sulltani nisi atë vit për në Shqipëri ushtri të reja turke, nën komandën e dhëndërit të tij, Sinan Pashës, por ky nuk mundi ta shuante lëvizjen. Më 1488 kryengritja u përhap edhe në Shqipërinë e mesme. Këtë vit, në luftime me turqit, shqiptarët korrën disa fitore të rëndësishme dhe çliruan një pjesë të madhe të vendit. Për t'i grumbulluar krahinat e çliruara në një principatë, kryengritësit shqiptare dërguan përsëri një delegacion në Itali për të thirrur Gjon Kastriotin. Për ardhjen e tij në Shqipëri këtë radhë, burimet historike nuk janë të sigurta. Kryengritja vazhdoi deri më 1492. Gjatë këtyre viteve kontrolli i turqve u kufizua vetëm rreth kështjellave ku ndodheshin garnizonet ushtarake.

Në verën e vitit 1492 ushtritë turke të kryesuara nga vetë sulltan Bajaziti i II, u nisën nga Sofia në drejtim të Shqipërisë dhe duke kaluar përmes Manastirit dhe luginës se Shkumbinit, u vendosën në krahinen e Tepelenës, Gjirokastrës dhe Sarandës. Njëkohësisht flota turke arriti në brigjet e Himares. Synimi i turqve ishte t'i merrnin Venedikut ishullin e Korfuzit dhe pastaj të zbarkonin përsëri në Itali, si më 1480, në tokat e Mbretërisë së Napolit. Por Venediku dhe Napoli morën masa të shpejta dhe sulltan Bajaziti u detyrua të hiqte dorë nga synimet e tij dhe të përsëriste paqen e mëparëshme me to.

Me ardhjen e ushtrive turke, himariotët filluan sulmet kundër tyre, sidomos kundër karvaneve që furnizonin ushtrinë turke. Sulltan Bajaziti vendosi që para se të kthehej në Stamboll të nënshtronte me anën e një operacioni ushtarak popullsine e kësaj krahine që vazhdonte të mos e përfillte autoritetin turk.

Sulmi i turqve filloi në korrik të vitit 1492. Pasi shtinë në dorë kështjellat e Himarës dhe Sopotit, pashallarët e sulltanit kërkuan të hynin në viset e brëndëshme duke shfarosur himariotët. Por himariotët, sikurse vepronin gjithnjë në raste të tilla, i lanë vendet e pambrojtura dhe bashkë me pleqtë, gratë dhe fëmijët u grumbulluan në malet e Labërisë. Që nga lart ata lëshonin mbi ushtarët turq shkëmbinjtë e malit. Armët e tyre ishin shtizat në trajtën e gjuhës së gjarpërit, të cilat i hidhnin me dorë, dhe harqet të punuara në dru, me të cilat lëshonin shigjeta me majë të hekurta, të mprehta e të helmatisura.

Pas sulmesh të vazhdueshme, turqit i detyruan himariotët të përqëndroheshin në dy maja mali. Njëri grup me gjithë rezistencën heroike u shtërngua të dorëzohej. Turqit pranuan marrëveshjen për t'i lënë himariotët të lirë të iknin. Por marrëveshjen e shkelën dhe mbi himariotët e dorëzuar bënë kërdinë, burrave ua prenë këmbët e duart dhe pastaj i hodhen tatëpjetë malit. Gratë e fëmijtë që gjetën në atë mal, afro 8.000 vetë, i nisën si skllevër për në Vlorë.

Turqit u përpoqën të asgjësonin edhe rezistencën që vazhdoi në malin tjetër. Luftimet vazhduan deri në fund të gushtit i pa asnjë rezultat për turqit. Afrimi i vjeshtës dhe shpenzimet e mëdha që kryente perandoria për të mbajtur një ushtri të madhe në këmbë kundër një pakice shqiptarësh e shtërnguan Sulltan Bajazitin e II, të kërkonte një marrëveshje me himariotët. Në fillim himariotët pranuan pasi ky u premtoi atyre një sërë privilegjesh të njohura nga tradita me emrin "venome". Në bazë të marrëveshjes, sulltani do ta linte autonome këtë krahinë dhe nuk do të dërgonte qeveritarë turq, himariotët fitonin të drejtën të qeverisnin vendin e tyre, si edhe më parë, në bazë të kanuneve tradicionale, të krijonin gjyqet e tyre dhe të mbanin lirisht armët. Si shpërblim himariotët zotoheshin të mos ngrinin krye dhe të paguanin vetëm haraçin si shënjë bindjeje.

Marrëveshja e lidhur me Sulltanin ishte në favor të himariotëve. Me venomet që morën, ata larguan rrezikun e vendosjes së qeveritarëve turq dhe të sistemit të timareve e zameteve në krahinën e tyre.

Venomet që u njohu himariotëve, sulltani nuk i respektoi gjithnjë. Por sa herë që turqit i cënonin ato, himariotët rrëmbenin armët dhe hidheshin në kryengritje, turqit detyroheshin përsëri t'u akordonin privilegje të cilat kishin gjithnjë si bazë kushtet e caktuara në marrëveshjen e vitit 1492. Nga ana e tyre edhe himariotët, pagesën e haraçit, megjithëse e premtuan shpesh herë nuk e paguan ose kur e paguan ua dhanë turqve në sheshin e jataganit që do të thoshte se ata nuk ishin raja por të nënshtruar duke ruajtur të drejtën t'i mbanin armët në krahë. Këto venome himariotët i ruajtën për shekuj me radhë.

Pas marrëveshjes me himariotët, sulltani me një pjesë të ushtrisë së tij u largua nga Shqipëria, pjesa tjetër zhvilloi luftime në krahinat e ndryshme të vendit dhe arriti më në fund të rivendoste sundimin turk. Por rivendosja e këtij sundimi qe përsëri e përkohëshme.

Pushtimi Turk

Regjimi i Timareve
Ekspedita Turke në Otranto
Kthimi i
Gjon Kastriotit
Kryengritja e Himarës
Kryengritja 1494-1506
Rrënimi i Vendit
Mërgimi i Shqiptarëve
Rënia Kulturale


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003