Faqja Kryesore  >> Historia  >> Pushtimi turk
 

Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Rrënimi i Vendit

Ekspeditat e shumta turke i shkaktuan Shqipërisë mjerime të mëdha. Luftat e gjata që u zhvilluan midis shqiptarëve dhe turqve dhe në mënyrë të veçantë masakrat në masë që kryen ushtritë e tërbuara të osmanllijve,e kishin pakësuar në një shkallë të konsiderueshme popullsinë e vendit. Bashkë me çfarosjen në masë të popullsisë trime, turqit i shkaktuan një rrënim të plotë dhe ekonomisë së vendit, veçanërisht të atyre krahinave ku u zhvilluan luftime të shpeshta. Një përmbysje të madhe pësuan edhe qytetet. Kur ranë në duart e turqve, ato në fakt u rrënuan dhe popullsia e tyre u dëbua ose iku vetë për t'i shpëtuar kthimit në skllavëri. Disa prej tyre, si Drishti, Deja, Shurdhahu, Spinarica, Shirgji nuk u rimëkëmbën më. Qytetet e mëdha e të lulëzuara si Durrësi, Shkodra, Berati, Kruja, Lezha u kthyen në fshatra. Në Krujë, Vlorë e Lezhë puthuajse nuk mbeti asnjë nga banorët e mëparshëm, në Durrës e Shkodër, nga banorët e shumtë të dikurshëm, tani nuk kishte veçse disa dhjetra familje. Në këto qytete tani kishte kryesisht garnizone ushtarake. Në qytete nuk kishte më zejtarë dhe tregëtia pothuajse ishte e paralizuar. Në fshatrat e zvogëluara ose të mbuluara nga gërmadhat, sipërfaqe të mëdha tokash kishin mbetur djerr, të cilat u mbuluan dalëngadalë nga pyjet dhe nga moçalet.

Veç kësaj me vendosjen e pushtimit turk u vështirësuan marrëdhëniet tregëtare dhe kulturale që Shqipëria kishte zhvilluar për shekuj me radhë me Evropën perëndimore dhe me ato vende fqinjë, të cilat mbetën jashtë kufijve të Perandorisë Otomane. Anijet e huaja nuk guxonin më t'i afroheshin bregdetit të Shqipërisë. Shqipëria tani ishte një vend i izoluar dhe popullsia e rrënuar u detyrua t'i përballonte nevojat e veta me ekonominë e saj të shkatërruar. Këto rrethana ndikuan në forcimin e ekonomisë natyrore të fshatarëve dhe të malsorëve dhe vonuan në këtë mënyrë zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit.

Dëm të madh pësoi populli shqiptar edhe në pasuritë e tij të artit e të kulturës. Vala shkatërrimtare e hordhive turke, bashkë me qytetet rrënoi edhe veprat më të bukura të arkitekturës, si kështjellat, kathedralet, kishat, manastiret, pallatet e fisnikëve dhe ndërtesat publike të trashëguara nga shekujt e kaluar. Bashkë me to u shkatërruan ose humbën veprat e piktorëve e të skulptorëve. U dogjën ose u prishën dokumentat dhe dorëshkrimet me vlerë të pazëvendësueshme. Nga gjithë ky rrënim, vetëm një pjesë e vogël e monumenteve të artit mundi të shpëtonte.

Pushtimi Turk

Regjimi i Timareve
Ekspedita Turke në Otranto
Kthimi i
Gjon Kastriotit
Kryengritja e Himarës
Kryengritja 1494-1506
Rrënimi i Vendit
Mërgimi i Shqiptarëve
Rënia Kulturale


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003