Në fund të shekullit XV,
marrëdhëniet midis Turqisë dhe shteteve
evropiane u keqësuan përsëri. Turqia
gjithnjë e më tepër përpiqej të
zgjeronte sundimin e saj drejt Evropës qëndrore
e perëndimore. Për të përballuar
këtë rezik, shtetet evropiane, përpiqeshin
të organizonin ekspedita të mëdha ushtarake
kundër perandorisë otomane. Në kuadrin
e këtyre ngjarjeve ndërkombëtare, Shqipëria
zinte një pozitë me rëndësi të
posaçme si një vend nga ku kalonin rrugët
më të shkurtëra midis Lindjes dhe Perëndimit.
Turqia kërkonte të nënshtronte krejtësisht
këtë vend dhe ta kishte si urë kalimi
kundër Italisë. Shtetet evropiane, nga ana
e tyre, piqeshin t'i shfrytëzonin kryengritjet
e shqiptarëve jo vetëm për të
penguar përgatitjet ushtarake të turqve
kundër Italisë, por edhe për të
lehtësuar ekspeditat që ato projektonin
të kryenin kundër Turqisë duke zbarkuar
në Shqipëri.
Kjo rrethanë pati pasoja të rënda
për popullin shqiptar. Nga njëra anë
turqit përdornin çdo mjet për të
qetësuar vendin duke i shkaktuar dëme të
mëdha ekonomisë së Shqipërisë.
Nga ana tjetër, shtetet evropiane i nxitnin popullsitë
shqiptare të shpërthenin në kryengritje,
u premtonin ndihma materiale e politike, por pastaj
o nga paqja që bënin me Sulltanin o nga
mosmarrëveshjet që lindnin midis tyre, hiqnin
dorë nga projektet dhe premtimet dhe kështu
i tradhëtonin kryengritësit shqiptarë,
mbi të cilët shpërthente pastaj më
me furi reaksioni turk.
Më 1494 inisiativën për të zbarkuar
në Ballkan e mori mbreti i Francës, Karli
i VIII, i cili bashkë me ushtritë e tij
zbriti në Itali dhe në fund të atij
viti mori Napolin. Përgatitjet e Karlit të
VIII ngjallën entusiazëm në popujt
e shtypur të Ballkanit dhe qenë një
nxitje për shqiptaret që të rrëmbenin
persëri armët kundër turqve.
Kryengritja që filloi në Shqipëri
mori përpjestime të mëdha veçanërisht
në krahinën e Himarës dhe në rrethin
e Durrësit. Në kuvëndet e tyre, kryengritësit
vendosën të sulmonin turqit, të përkrahnin
zbarkimin e ushtrive frënge dhe t'u bënin
thirrje princave shqiptarë të mërguar
në Itali që të ktheheshin dhe të
viheshin në krye të kryengritjes. Për
t'i ftuar princat e mërguar dhe për të
marrë kontakt me Karlin e VIII, u nis për
në Itali kryepeshkopi i Durrësit Martin
Firmano. Por, kur kthehej nga Italia, gjatë rrugës,
Martini u kap në det nga Venedikaisit, të
cilët nuk e shikonin me sy të mire as ardhjen
e ushtrive frënge në Itali, as zbarkimin
e tyre në Ballkan dhe as kryengritjen në
Shqipëri në një kohë kur Republika
e Shen-Markut ishte në paqe me Turqinë.
Kundrshtimet që gjeti në Itali e detyruan
Karlin e VIII të hiqte dorë nga ekspedita
dhe të kthehej në France më 1495. Me
largimin e rrezikut frëng, në verën
e vitit 14955, disa sanxhakbejlerë u mblodhën
në Vlorë dhe që këtej filluan
ekspeditat ndëshkimore kundër shqiptarëve
për të rivendosur sundimin e tyre në
krahinat e kryegritësve. Por edhe me këto
ekspedita lëvizja e armatosur në Shqipëri
nuk u shtyp.
Më 1497 Turqia hyri në luftë me Poloninë.
Njëkohësisht ajo filloi përgatitjet
për të sulmuar Italinë, për këtë
qëllim turqit filluan të ndreqin rrugë
përmes Greqisë e Shqipërisë në
drejtim të Adriatikut dhe të ndërtonin
një flotë të madhe.
Synimet turke, veçanërisht ndërtimi
i flotës, këtë radhë e tronditën
Republikën e Shën-Markut, e cila filloi
të mos i lëshonte pe Turqisë. Më
1498 marrëdhëniet midis tyre u acaruan edhe
më tepër. Venediku tani kishte nevojë
për kryengritjen e shqiptarëve prandaj filloi
t'i nxiste që të rrëmbenin armët
kundër turqve. Për këtë qëllim
Republika nxori nga burgu Martin Firmanon dhe në
qershor të vitit 1499 e nisi për në
Shqipëri duke e shoqëruar me emisarët
e saj.
Por kësaj radhe republikës nuk i vajti
mbarë puna në Shqipëri. Midis krerëve
shqiptarë dhe emisarëve venedikas lindën
mosmarrëveshje në lidhje me qëllimet,
vendin dhe përpjesëtimet e kryengritjes.
Republika nuk donte një lëvizje të
përgjithëshme. Ajo kërkonte të
provokonte një kryengritje lokale në Shqipëri
që ta përdorte si presion kundër turqve
dhe ta përqëndronte në rrethin e Lezhës,
ku përgatitej të zbarkonte. Perkundrazi
shqiptarët kërkonin një kryengritje
të përgjithëshme që synonte çlirimin
e vendit. Mosmarrëveshjet midis emisarëve
venedikas dhe krerëve shqiptarë u çfaqën
në mbledhjen që u bë në gusht
të 1499 në shtëpinë e Martin Firmanes
në afërsi të Durrësit. Krerët
shqiptarë bashkë me Martin Firmanon nuk
i pranuan kushtet e Venedikut. Mosmarrëveshjet
u acaruan në atë shkallë sa republika,
me anën e bajlit të saj, e helmoi Martin
Firmanon.
Një muaj më vonë, në shtator
1499, në rrethet e Lezhës shpërtheu
kryengritja e shqiptarëve kundër garnizoneve
turke, rrugët përmes Shkodrës e Dukagjinit
u prenë, funksionarët turq u dëbuan.
Si dhe më parë, kryengritësit thirrën
nga mërgimi pasardhësin e Skënderbeut,
që të vihej në krye të lëvizjes.
Këtë radhë, në vend të Gjon
Kastriotit që ishte i sëmurë, iu drejtuan
birit të këtij, Gjergj Kastrioti, të
mbiquajtur Skënderbeu i ri.
Për të futur princin Kastriotas nën
influencën e vet Senati i Venedikut shpalli se
merrte përsipër organizimin e ekspeditës
që do të sillte Gjergj Kastriotin në
Shqipëri, dhe e ftoi atë në Venedik
ku e mbajti me premtime e mashtrime të ndryshme
më tepër se një vit.
Repubika e nisi Gjergjin në Shqipëri vetëm
në pranverë të vitit 1501 kur Durrësi,
që ishte nën zotërimin e saj, u rrezikua
seriozisht nga sulmet e ushtrive turke. Qëllimi
i Senatit ishte që të acaronte kryengritjen
e shqiptarëve në rrethin e Lezhës për
t'i detyruar Turqit të largonin ushtritë
e tyre nga rrethimi i Durrësit. Ekspedita e përbërë
prej 150-200 stadiotësh e kryesuar nga Gjergji
i ri dhe e shoqëruar nga një proveditor
(qeveritar) venedikas, zbarkoi më 5 mars 1501
në ishullin e Lezhës të cilën
e kishin çliruar kryengritësit shqiptarë.
Por ndihmat venedikase që ai pruri me vehte ishin
mjaft të pakta. Në përpjekjen e parë
që patën me turqit, ushtarët e Gjergj
Kastrioit u thyen keq. Veç kësaj midis
proveditorit venedikas që mbronte synimet e republikës
dhe Gjergjit që mbajti anën e krerëve
të kryengritjes shqiptare, filluan të lindnin
mosmarrëveshje, të cilat sollën si
rezultat rënien e hovit të kryengritjes.
Kjo u dha rast turqve të dëndësonin
sulmet e tyre. Pas disa muajsh ushtritë turke
të komanduara nga sanaxhakbeu i Elbasanit pushtuan
më 13 gusht 1501 Durrësin. Për të
evituar humbjen e Lezhes, Ulqinit e Tivarit, Venediku
filloi bisedimet me turqit, me të cilët,
më 14 dhjetor 1502. nënshkroi marrëveshjen
e paqes.
Me nënshkrimin e paqës, Senati i Venedikut
i braktisi fare kryengritësit shqiptarë.
Pak më vonë, nga fundi i shkurtit 1503,
Gjergj Kastrioti, pas dy vjet qëndrimi në
Shqipëri u largua në Itali. Turqit i vazhduan
përpjekjet e tyre për t'u shkëputur
venedikasve Ishullin e Lezhës dhe zotërimet
e tjera që kishin në Shqipëri.
Pas shumë presionesh turqit e shtinë në
dorë më 1506 Lezhën dhe rrethin e saj.
Zotërimet e Venedikut në Shqiperi u kufizuan
vetëm në Ulqin dhe në Tivar.
Me shtypjen e kësaj kryengritje mori fund lufta
e madhe shqiptare-turke që vazhdoi më tepër
se 60 vjet. Në Shqipëri u forcuan pozitat
e pushtuesve turq dhe të regjimit të tyre
feudal-ushtarak. Filloi kështu periudha e gjatë
dhe e rëndë e zgjedhës turke, periudhë
gjatë së cilës shqiptarët e vazhduan
në formën e kryengritjeve lokale luftën
e tyre për çlirimin e vendit nga zgjedhja
e huaj.