Faqja Kryesore  >> Historia  >> Shqiperia dhe Turqia
 

Historia e Shqipërisë - Shqipëria dhe Turqia

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Copëzimi Feudal i Shqipërisë

Deri në fund të shek. XIV turqit nuk e konsideruan Shqipërinë si një vend të nënshtruar. Ata bënë përjashtim vetëm për rrethin e Përmetit dhe të Korçës. Në këto krahina turqit bënë në vitet e fundit të shek. XIV regjistrimin e tokave dhe të fshatarëve që ishte kushti paraprak për vendosjen e regjimit të tyre feudal ushtarak dhe të administratës së rregullt turke. Pjesën më të madhe të Shqipërisë turqit osmanllj e konsideruan tokë vasale. Zotërit feudalë të mëparshëm i lanë në domenet e veta me kusht që të njihnin sulltanin për kryezot dhe të merrnin pjesë me ushtritë e tyre në luftat e Turqisë sa herë t'i thërriste kryezoti. Veç kësaj, feudalët shqiptarë vasalë duhej t'i dërgonin sulltanit një haraç të caktuar në vit. Siç duket, në këtë periudhë turqit nuk ndëhynin në administrimin e vendit. Por kur dyshonin për besnikërinë e feudalëve vasalë, atëhere nisnin nga Shkupi ushtritë turke të cilat dyndeshin në Shqipëri dhe pasi bënin plaçkitje e zullume të mëdha dhe ndiqnin sundimtarin feudal të pabindur, ktheheshin përsëri në Shkup.

Megjithëse e shpallën vasalë të sulltanit, feudalët arbëreshë nuk i respektonin kurdoherë detyrimet ndaj kryezotit. Por nga ana tjetër ata i vazhduan midis tyre luftat e vjetra për të zgjeruar domenet në kurriz të njëri-tjetrit. Turqit i lejonin grindjet dhe konfliktet e armatosura midis feudalëve kur ato nuk cënonin interesat e tyre. Bile, nga një herë, ata i nxitnin vetë këto grindje kur drejtoheshin kundër venedikasve ose feudalëve të lidhur me republikën.

Në pjesën e parë të shek. XV, autoriteti i turqve u trondit për disa vjet me radhë për shkak të disfatës së madhe që ata pësuan në betejën ë Ankarasë. Më 1402 turqit osmanllij u rrezikuan nga vala e hordhive barbare, të kryesuara nga Timurlengu, i të cilat u dyndën në tokat e Azisë së Vogël. Për t'i prerë hovin dyndjes së tyre, sulltan Jilldërimi grumbulloi gjithë ushtritë turke dhe, në të njëjtën kohë, thirri në ndihmë edhe vasalët me ushtritë e tyre. Nga vasalët shqiptarë, si duket, vetëm një pjesë, ndër ta Kojë Zaharia, Gjergj Dukagjini dhe Dhimitër Jonima, iu përgjigjën thirrjes së sulltanit. Në betejën që u zhvillua në Ankara, Bajazidi pësoi një disfatë katastrofale duke rënë edhe vetë rob në duart e Timurlengut. Pa marrë akoma vehten nga disfata, turqit u përçanë nga grindjet dhe luftat për trashëgimin e fronit që shpërtheu midis djemve të Bajazidit I dhe që vazhdoi shumë vjet. Si rrjedhim edhe presioni turk mbi Shqipërinë përkohësisht u lehtësua.

Dobësimi i fuqisë së turqve u dha rast zotërve feudalë arbëreshë të shkëputeshin nga vartësia e pastaj të vazhdonin përpjekjet për të rritur zotërimet. Si rrjedhim, në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XV Shqipëria u coptua në një numër më të madh zotërimesh feudale, kufijtë e të cilave zgjeroheshin ose ngushtoheshin sipas sukseseve ose disfatave që pësonin zotërit e tyre në luftë me njëri-tjetrin.

Në Shqipërinë e veriut, bujarët arbëreshë që dikur ishin vasalë të sundimtarëve, Balshë, Dukagjinët, Zahariajt, Jonimët, Spanët, Dushmanët, etj., ishin bërë sundimtarë më vehte. Për të përforcuar pushtetin e tyre ekonomik e politik ata kishin nevojë për qytetet e vendit, por këto kishin kaluar tashmë nën zotërimin e Venedikut. Kështu çështja e qyteteve u bë burim grindjesh midis tyre dhe republikës. Kjo, duke përfituar nga antagonizmat që ekzistonin midis bujarëve arbëreshë, ndoqi ndaj tyre politikën e ekuilibrimit të forcave, ajo nxiste kundër feudalit që forcohej feudalët e tjerë të cilët i bënte për vehte me anën e privilegjeve dhe subvencioneve.

Një nga bujarët arbëreshë që filloi të rrezikonte zotërimet e Venedikut në Shqipëri u bë Balsha i III. biri i Gjergjit të II Balsha, që vdiq më 1403. Balsha i III, i cili synonte të rimëkëmbte principatën e copëtuar, ndërmori një luftë të gjatë kundër venedikasve, sulmoi karvanet e tyre, rrethoi disa herë Shkodrën, e bllokoi atë për një kohë të gjatë, dhe me ndihmën që i dhanë qytetarët, të cilët të pakënaqur nga sundimi venedikas u hodhën në kryengritje, u shtiu në dorë më 1404 qytetin. Kundër Balshës së III republika nxiti bujarët fqinj që rrezikoheshin prej tij si Gjergj Dukagjinin, Dhimitër Jonimën dhe Kojë Zaharinë. Përë këtë qëllim ajo u dha të drejta, sidomos të drejtën për të përfituar pjesërisht të ardhurat në qytetet që aspironin (Dukagjinëve në Lezhë, Jonimëve në Shat, kurse Zahariajve u njohu të drejtën e zotërimit të cilën ata e kishin shtënë në dorë. Por këto masa nuk dhanë ndonjë rezultat. Më 1406 venedikasit u përpoqën të nxitnin edhe komandantin turk të Shkupit, Jigit Pashën, duke i premtuar një shpërblim prej 2 mijë dukatash, për të kryer një inkursion kundër Balshës, por edhe ky nuk u bind, ndoshta sepse turqve u interesonte dobësimi i pozitave të Republikës së Shën-Markut në bregdet. Atëhere Venediku po atë vit dërgoi kundër Shkodrës ushtrinë dhe flotën e vet dhe e ripushtoi qytetin.

Pas një paqeje të shkurtër që u nënshkrua midis tyre, Balsha i III, me përkrahjen e vjehrrit, Stefan Lazareviçit, despotit të Serbisë, e rifilloi luftën kundër Venedikut. Më 1411 ai e shtiu në dorë për të dytën herë Shkodrën, por edhe këtë radhë nuk e mbajti dot për shumë kohë. Në vitet e mëvonëshme ai vazhdoi t'i sulmonte qytetet e tjera pa mundur t'i përforconte sukseset që korrte herë pas here.

Edhe pjesa tjetër e Shqipërisë u copëzua në një numër të madh zotërimesh feudale. Në zotërimet e dikurshme të Principatës së Durrësit tani sundonin në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, Topiat, Muzakët, Arianitët, Kastriotët etj. Më 1402, Nikollë Topia hyri në luftë kundër kushërirës së vet, Helena Topisë, dhe burrit të saj. Kostandin Balshës, vëllait të Gjergj Balshës së II dhe u mori atyre Krujën. Nikollë Topia synoi gjithashtu të rimëkëmbte principatën e vjetër, hyri në grindje me Venedikun për çështjen e Durrësit por nuk pati sukses. Në luftë kundër Muzakëve, zotërimet e të cilëve shtriheshin në Myzeqe me qëndër në Berat, ai pësöi disfatë duke rënë edhe vetë rob në duart e Teodhorit të II Muzaka. gjatë kësaj kohe u rrit fuqia e bujarëve Arianitë, zotërimet e të cilëve shtriheshin në krahinën e sotme të Elbasanit (Çermenikë, Shpat, Mokër).

Në jug të Shqipërisë, pas vdekjes së Gjin Bua Shpatës (1400), Despotati i Artës u nda në dy pjesë. Zotërimet veriore të despotatit kaluan në duartë e Gjin Zenebishit, i cili formoi një zotërim feudal më vehte me qendër në Gjirokastër. Pjesa tjetër e despotatit, zotërimet në Epir, kaluan në duart e Maurik Buas, vëllait të Gjin Bua Shpatës. Të dy këta zotër feudalë vazhduan për shumë vjet me radhë luftën me feudalët grekë, serbë e italianë. Në krahinat e tjera të Shqipërisë së jugut u formuan gjithashtu zotërime të vogla të cilat nuk lojtën ndonjë rol.

Kjo gjendje vazhdoi deri më 1415. Lufta për fron që shpërtheu në radhët e turqve më 1410, përfundoi më 1413 me fitoren e Mehmetit, që u bë sulltan i vetëm i turqve (Mehmet I), më i madhi nga djemtë a Bajazitit,i cili pasi zhduku njërin pas tjetrit vëllezërit tij rivalë mundi të bashkonte përsëri nën sundimin e vet feudalët turq. Pasi grumbulloi forca të reja, Mehmeti i I iu përvesh punës për të forcuar sundimin turk të tronditur në tokat e pushtuara të Anadollit dhe Rumelisë (nga turqishtja: Ru-ili vendet e rumëve, të romejve, domethënë të bizantinëve).

Duke përfituar nga përçarja e thellë feudale, turqit e rivendosën autoritetin e tyre në Shqipëri, pa ndeshur këtu në një qëndresë serioze. Më 1415 ata i morën Nikollë Topisë Krujën, (të cilën e quajtën Akça-Hisar Kulla e Bardhë), më 1417 Rugina Balshës Vlorën e Kaninën. Po atë vit ata morën Beratin dhe më 1419 Gjin Zenebishit Gjirokastrën. Në vend të zotërve feudalë shqiptarë në këto qytete sulltani vendosi garnizone ushtarake dhe komandantë turq. Bashkë me garnizonet ushtarake, në fushën e Krujës e të Gjirokastrës u vendosën edhe kolonistë turq të prurë nga krahinat Saruhani, Koxha-ili dhe Xhanik të Anadollit. Afërsisht më 1419 ose në vitin tjetër, turqit bënë në krahinat pushtuara regjistrimin themeltar të tokave dhe vendosën mbi to regjimin e tyre feudal ushtarak. Me vendosjen e këtij regjimi, rrethet e Gjirokastrës, Vlorës dhe Krujës u konsideruan, si dhe Përmeti me Korçën më parë, toka të nënshtruara. Feudalët shqiptarë të mëparshëm, u detyruan ose të pranonin, duke ruajtur pronat e tyre feudale, sundimin turk, ose të aratiseshin. Një pjesë e mirë e feudalëve i u nënshtrua gjendjes së re. Pjesa tjetër, midis të cilëve Gjin Zenebishi, Maurik Bua, Rugina Balsha, mërguan jashtë Shipërisë. Jashtë vendit mërguan gjithashtu masa të tëra fshatarësh, jo vetëm nga krahinat a pushtuara, por edhe nga krahinat e tjera që kërcënoheshin nga pushtimi, i afërt.

Por edhe këtë radhë sundimi turk në Shqipëri ishte mjaft i dobët. Në shumicën e krahinave të vendit vazhdonin të sundonin, si dhe më parë, bujarët shqiptarë. Megjithëse mbi ta pesha e presionit turk po shtohej përherë e më tepër, ata vazhdonin të qëndronin të përçarë kundër rrezikut që u kishte hyrë brenda në shtëpi.

Pushtimi i Krujës, Vlorës dhe Gjirokastrës i bëri këto pikëmbështetje për shtrirjen e sundimit turk në viset e tjera të Shqipërisë. Pas ardhjes në fuqi, më 1421 të Muratit të II, fuqia ushtarake a osmanllijve u rrit në mënyrë shqetësuese për Evropën. Ushtritë turke i vazhduan pushtimet nëpër Ballkan, kaluan Danubin e Savën dhe hynë në tokat e Kroacisë dhe Hungarisë. Brenda viteve 1423-1426 turqit pushtuan të gjitha viset e Shqipërisë së ulët bregdetare si dhe krahinën e Dibrës në pjesën lindore të Shqipërisë. Këtë radhë ata shtinë në dorë edhe qytetet e fundit që kishin mbetur akoma të lira: Dibrën dhe Danjën, buzë Drinit, duke arritur kështu në afërsitë e Shkodrës. Përpjekjet e turqve për të marrë vënedikasve qytetet bregdetarë dhe për të dalë në det, që ishte qëllimi kryesor i tyre, dështuan.

Gjatë kësaj fushate pësuan një goditje të rëndë zotërimet feudale shqiptare që ndodheshin në viset e pushtuara. Zotërit e tyre feudalë u detyruan, si dhe më parë të njihnin sulltanin për kryezot, t'i jepnin atij tributin e përvitshëm dhe t'i shërbenin me ushtri gjatë kohës së luftrave. Si vasalë ata ishin gjithashtu të detyruar t'i dërgonin sulltanit një a më tepër nga fëmijët a tyre si iç-ogllanë, të cilët futeshin në shkollën ushtarake të pallatit në Adrianopojë ku qëndronin disa vjet. Në shkollën e iç-ogllanëve fëmijët e feudalëve vasalë ktheheshin në fenë islame, edukoheshin me besnikërinë ndaj sulltañit dhe mësonin artin ushtarak, dhe kur arrinin në moshën madhore ngarkoheshin me detyra të ndryshme. Zakonisht ata ktheheshin përsëri në vendin e tyre ku sipas rastit zinin poste të rëndësishme në administratën feudale ushtarake turke.

Duke përfituar nga fakti se në këto vise nuk u bë menjëherë regjistrimi i tokave dhe u vonua për disa vjet vendosja e regjimit, feudal-ushtarak otoman, zotëritë feudalë vazhduan të gëzonin të drejtat e mëparëshme mbi zotërimet e tyre, të cilat tani ishin zvogëluar, kishin mbetur pa qytete dhe ndodheshin nën vëzhgimin e afërt të komandantëve turq. Jashtë kontrollit të turqve kishin mbetur vetëm viset malore të Shqipërisë. Zotërimet e mëparëshme që ishin krijuar në këto krahina, ajo e Dukagjinëve, Kastriotëve dhe e Arianitëve, jo vetëm qëndruan por morën tani një rëndësi të veçantë. Një rol të madh filloi të lozte në këtë kohë veçanërisht zotërimi i Kastriotëve dhe sundimtari i tij, Gjon Kastrioti, ati i Gjergj Kastriotit, Skënderbeut.

Shqipëria dhe Turqia

Zotërimet e Kastriotëve
Kryengritjet e Para


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003