Regjimin e tyre feudal turqit osmanllij
e mbështetnin në pronësinë feudalo-ushtarake
mbi tokën. Për të vendosur këtë
regjim në sanxhakun e Shqipërisë ata
i shpallën edhe këtu, njësoj si në
Rumeli, të gjitha tokat e punueshme dhe të
papunueshme, arat, livadhet, kullotat, pyjet, korijet,
pavarësisht në duar të kujt ndodheshin,
prone mirie domethënë prone shtetërore
(erz-i mirie, tokë shtetërore) Përveç
pronës mirie, shteti turk njohu dhe dy kategori
tjera pronash tokësore, toka mylk (erz-i mylk.
tokë private), me sipërfaqe të kufizuar
të cilat shteti turk ua njohu si pronë private
fshatarëve dhe qytetarëve dhe toka vakufe
(erz-i vakfe - tokë e shenjtë) që u
caktuan për institucionet fetare islame.
Nga ana formale juridike pronari i tokave të
shpallura mirie konsiderobej "zoti" por
ato administroheshin prej sulltanit, i cili e quante
vehten kalif (mëkëmbës i "profetit"
Muhamet) te turqit islamë. Në fakt, pronari
i vërtetë i këtyre tokave u bë
nëpërmjet shtetit turk e gjithë klasa
feudale otomane bashkërisht. Sulltani nuk ishte
gjë tjetër veçse përfaqesuesi
më i lartë i kësaj klase, kryetari
i shtetit turk të osmanllinjve.
Me shpalljen e tokave të sanxhakut të
Shqipërisë pronë miri e bujaria feudale
shqiptare e mëparëshme në përgjithësi
u xhvesh nga e drejta e pronësisë feudale
që gëzonte në zotërimet e veta.
Tani tokat e këtij sanxhaku hynë në
fondin e përgjithshëm tokësor të
shtetit turk në disrozicion të sulltanit.
Këtë fond sulltan Murati II e pjestoi, sikurse
kishin vepruar në disa krahina të Shqipërisë
edhe parardhësit e tij, Bajazit Jillderimi dhe
sulltan Mehmeti i I, në feude të mëdha
e të vogla, të cilat ua shpërndau feudaleve
të shpatës (feudalëve ushtarakë)
dhe feudalëve të ofiqeve (funksionarëve
të administratës civile, fetare dhe gjyqësore).
Feudet në sistemin feudal ushtarak otoman quheshin
me emrin e përgjithshëm timare dhe ndaheshin
në timare të shpatës dhe në timare
të ofiqit. Gjithesejt 335 feudale të shpatës
dhe të ofiqeve të cilët quheshin timarlij
morën prej sulltanit nga një berat (dekret)
me të cilin atyre u jepej e drejta të paiseshin
secili me nga një feud në tokat e sanxhakut
të Shqipërisë. Për secilin feudal
ishte caktuar shuma e të ardhurave që ai
duhej të siguronte nga timari.
Eminët e kadastrës turke, të dërguar
nga Adrianopoja, e përfunduan në vitin 1432
regjistrimin e tokave dhe të familjeve fshatare,
sasinë e pemëve, vreshtave, ullishtave,
bagëtive dhe shtëpive që ato zotëronin,
të ardhurat që nxirrnin si dhe detyrimet
që ato duhej t'i paguanin timarliut. Në
bazë të të ardhurave që dolën
nga ky regjistrim fshatrat u ndanë nëpër
timare dhe këto iu shpërndanë timarlive
sipas të ardhurave që ishin shënuar
në beratet e tyre. Rezultatet e regjistrimit
dhe të shpërndarjes së timareve u hodhën
në një regjistër, në defterin
e hollësishëm,(mufassal-defter). Defteri
mufassal i sanxhakut të Shqipërisë,i
përpiluar në përfundim të regjistrimit
të vitit 1432, është zbuluar në
arkivat turke dhe botuar për të parën
herë më 1954.
Në përfundim të këtij regjistrimi,
teritori i sanxhakut të Shqipërisë
u nda në 335 timare, prej të cilave afërsisht
90 përqind qenë timare të shpatës
kurse pjesa tjetër (afërsisht 10 përqind)
timare të ofiqeve.
Timaret e shpatës i u dhanë feudalëve
ushtarakë për merita personale të treguara
në luftë dhe ishin të lidhura me detyrimin
ushtarak. Ato kishin në shumë pika ngjashmëri
me proniet bizantine. Timarliu e gëzonte timarin
me kusht që të shkonte menjëherë
në luftë si kalorës i armatosur nën
urdhrat e subashit e të sanxhakbeut sa herë
ta thërriste sulltani: për këtë
arësye timarliu quhet spahi.
Në rast se spahiu nuk i përgjigjej thirrjes
për luftë ai xhvishej nga timari dhe ky
i jepej një spahiu tjetër. Kundrejt shërbimit
ushtarak spahiut i jepej e drejta të nxirte nga
fshatarët shumën e detyrimeve në sasinë
që ishte caktuar në beratin e sulltanit.
Të ardhurat e timarlive ndryshonin sipas shkallës
që ata zinin në hierarkinë shtetërore,
sipas aftësive që ata kishin treguar në
ushtri dhe sipas shërbimeve që detyroheshin
të kryenin në luftat e shpeshta që
bënte Turqia. Të ardhurat nga një timar
i vogël ishin prej disa qindra në disa mijra
akçe në vit. Të ardhurat e timarëve
të mëdha arrinin në dhjetra mijë
akçe bile edhe në disa qindra mijë
akçe, siç ishte për shëmbëll
timari i sanxhakbeut. Më vonë, timaret që
u siguronin zotëruesve të tyre të ardhura
prej 20 mijë deri në 100 mijë akçe
në vit u quajtën edhe në Shqipëri
zeamet dhe zotëruesit e tyre zaime. Timaret që
u jepeshin feudalëve të mëdhej (vezirëve,
emirëve, bejlerëve, sanxhakbejlerëve
dhe nga ndonjë herë subashëve) quheshin
hase. Të ardhurat nga haset ishin zakonisht më
tepër se 100 mijë akçe në vit,
por nga ndonjë herë ato kishin të ardhura
më të pakta. Kështu për shëmbëll,
subashi i vilajetit të Beratit nxirte në
atë kohë nga hasi i tij 50,702 akçe
në vit. Timaret që ishin në zotërim
të sulltanit ose të familjarëve të
tij quheshin hase perandorake. Por të tilla hase
nuk kishte në këtë kohë në
sanxhakun e Shqipërisë. Hase perandorake
në Shqipëri u formuan më vonë,
gjatë gjysmës së dytë të
shek. XV. Spahijtë që nxirrnin nga timaret
e tyre më tepër se 5 mije akçe ishin
të detyruar kur shkonin në luftë të
merrnin me vehte pajisje lufte dhe një numër
të caktuar ushtarësh, të quajtur xhebelij,
në përpjestim me të ardhurat, një
xhebeli për çdo 5 mijë akçe
të ardhura. Një detyrim të tillë
e kishin edhe subashët me sanxhakbeun. Subashi
Isa Beu, për shëmbëll, që nxirte
sipas dekretit, 81.306 akçe në vit, kur
shkonte në luftë, përveç paisjes
së tij me armë dhe me kalë, duhej të
merrte me vehte 14 xhebelij dhe një çadër
lufte (për 5 mijë akcet e para ai shkonte
vetë, për 70 mijë akçe ai merrte
14 xhebelij dhe për 5 mijë akret e tjera
ai merrte çadrën e luftës). Nga sanxhaku
i Shqipërisë ishin të detyruar të
paraqiteshin në luftë rreth 800 kalorës
(spahij e xhebelij) së bashku me të gjitha
pajisjet luftarake.
Timari përfshinte sipas rastit, një, dy
ose më shumë fshatra, nga ndonjë herë
me dhjetra fshatra fqinjë ose në krahina
të ndryshme. Një spahi me emrin Ali, në
vilajetin e Pavlo- Kurtikut, kishte për shëmbëll
një timar prej 30 mijë akçesh, ku
bënin pjesë 30 fshatra. Timar me më
shumë fshatra ishte ai i Isa Beut, subashit të
Pavlo-Kurtikut, në të cilin ishin përfshirë
107 fshatra.
Ndryshe nga timaret e shpatës, ato të
ofiqeve u jepeshin funksionarëve (kadilerëve,
imamëve, dizdarëve, eminëve) në
vend të rrogës, për të nxjerrë
prej tyre të ardhurat që u ishin caktuar
kundrejt funksioneve që kryenin në administratë.
Në këtë periudhë sulltanët
u jepnin timare edhe peshkopëve të krishterë.
Në sanxhakun e Shqipërisë, mitropolitit
të Beratit dhe peshkopëve të Krujës,
Kaninës dhe Cartallozit (peshkopi i Corës
dhe i Shpatit) iu njohën si timare fshatrat që
i kishin më parë metohe. Timaret e ofiqeve
nuk ishin të lidhura pas personit. Ato kalonin
nën zotërmin e cilitdo që emërohej
në funksionin me të cilin ishte lidhur timari.
Zotërimi i timarit nuk ishte i përjetshëm
dhe i trashëgueshëm. Në se spahiu dallohej
në luftë, ai mund të merrte një
timar më të madh, shpesh here edhe jashtë
Shqipërisë. Kështu spahij shqiptare,
si duket të dalluar në luftë, i gjejmë
timarlij në vise të ndryshme të Ballkanit
dhe të Azisë së Vogël. Biri i
spahiut mund të trashëgonte timarin vetëm
në se ai i përmbushte po ato detyrime që
kishte i ati ndaj sulltanit. Për të mbushur
radhët e ushtrive të tyre që dëmtoheshin
vazhdimisht gjatë luftave të shpeshta, sulltanët
u lejonin edhe luftëtarëve të krishterë
të bëhesh spahij në rast se luftonin
me trimëri. Sulltanët synuan gjithashtu
të rekrutonin në sistemin e tyre feudal-ushtarak
edhe feudalët e mëparshëm vendas, sidomos
pronarët shqiptarë që u ngjisnin pak
a shumë spahijve, fëmijtë e të
cilëve ata i kishin marrë qysh përpara
si iç-ogllanë në oborrin e Adrianopojës.
Kështu nga 335 feudalët e shpatës dhe
të ofiqit që kishte në Shqipëri
më 1432, rreth 175 prej tyre qene shqiptarë
të kthyer myslimanë, 56 qenë spahij
të krishterë shqiptarë (përveç
4 peshkopëve) dhe rreth 100 të tjerët
qenë turq osmanllij të prurë nga Anadolli.
Në radhët e spahijve të Shqipërisë
kishte tani edhe bij të zotërve feudalë
shqiptarë. Njëri prej tyre, Jakup Beu, biri
i Teodhor Muzakes, u bë më 1437 sanxhakbeu
i sanxhakut të Shqipërtsë në vend
të Ali Evrenoz Beut. Masa e popullsisë kishte
qëndruar e gjitha në fenë e mëparëshme.
Edhe në qytet, sikurse del nga defteri i hollësishëm
i vitit 1432, përveç funksionarëve,
nuk kishte asnjë banor shqiptar mysliman.
Përveç ushtrisë së spahijve,
osmanllijtë kishin në kështjellat e
qyteteve ushtri të rregullta e të përherëshme,
të përbëra nga reparte të jeniçerëve
dhe të kapi-kulluve. Për të furnizuar
këto reparte me ushtarë, turqit grumbullonin
me përdhunë fëmijë të vegjël,
devshirë nga vendet e pushtuara, të cilët
i ritnin në kazerma të veçanta. Sistemin
e devshirmës turqit e zbatuan gjërësisht
në Shqipëri.
Një tjetër forcë ushtarake ndihmëse
e turqve ishin edhe të ashtuquajturat "koloni
ushtarake" që përbëheshin nga
fshatarë të cilët përjashtoheshin
nga regjimi i timarit dhe lehtësoheshin nga disa
taksa me kusht që të kryenin shërbime
të caktuara ushtarake. Të tillë qenë
per shëmbëll dervenxhijtë ose ruajtësit
e grykave dhe shtigjeve malore nga ku kalonin rrugët,
voljnukët të cilët kryenin shërbime
të ndryshme me karakter ushtarak si ndërtime
rrugësh e urash, tartarët që kryenin
shërbimin postar, etj. Veç këtyre,
fshatarët e lirë të organizuar në
bashkësi fisnore të cilët nuk iu nënshtruan
regjimit të timareve, turqit u përpoqën
t'i shfrytëzonin për qëllimet e tyre
si ushtarë. Këtyre fshatarëve të
quajtur jyrykë ose martallozë turqit u premtuan
se do t'i linin jashtë regjimit të timarëve,
i lehtësuan nga taksat me kusht që ata të
merrnin pjesë në luftë sa herë
t'i thërriste sanxhakbeu. Të gjitha këto
kategori fshatarësh-ushtarë ishin të
detyruar jo vetëm të kryenin shërbimin
ushtarak ne vend në rast trazirash por edhe të
merrnin pjesë gjatë kohës së luftës
në frontet larg Shqipërisë. Për
të pasur një mbështetje më të
sigurtë në ushtrimin e autoritetit të
tyre qeveritarët osmanllij prunë në
Shqipëri edhe koloni ushtarake turke nga Anadolli.
Të tilla koloni ishin për shëmbëll
ato të jyrykëve të prurë nga Konia
e Anadollit dhe të vendosur në kalanë
e Sfetigradit, si duket për të mbrojtur
rrugën kryesore që lidhnin Shqipërinë
me Maqedoninë dhe me Thrakinë, ku ndodhej
kryeqyteti, Adrianopoja.