Faqja Kryesore  >> Historia  >> Shqiperia dhe Turqia
 

Historia e Shqipërisë - Shqipëria dhe Turqia

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Kryengritjet e Para të Shqiptarëve (1432-1438)

Pushtimi turk i vendit që u shoqërua me plaçkitjet e zakonëshme të turqve, regjistrimi tokave si dhe vendosja e regjimit feudal-ushtarak të timarëve, shkaktuan një pakënaqesi të thellë në masat e fshatarësisë shqipëtare. Kjo pakënaqësi përfshiu jo vetëm masat e fshatarëve të viseve fushore që kishin qënë edhe më parë bujkrobër te feudalët arbëreshë, por në mënyrë të veçantë edhe fshatarët e krahinave malore gjysmë të lira, të cilat tani po e shikonin vehten e tyre të futur nën zgjedhën e huaj dhe njëjtën kohë nën zgjedhën e rëndë feudale-ushtarake otomane.

Për t'i shpëtuar zgjedhës feudale-ushtarake të huaj, masa të tëra fshatarësh të krahinave që u përfshinë në sanxhakun e Shqipërisë shtegëtuan në krahinat e brëndëshme malore ku nuk ishin vendosur akoma sundimi turk ose mërguan jashtë Shqipërisë, sidomos në Itali. Nga këto shtegëtime dhe mërgime popullsia e sanxhakut të Shqipërisë ishte ralluar në një masë të konsiderueshme. Në defterin e kadastrës së vitit 1432, në shumë fshatra është vënë shënimi "tokë mevkuf" ose "fshat mevkuf" që do të thotë tokë ose fshat i braktisur nga banorët dhe njëkohësisht tokë e lirë në dispozicion për t'u dhënë me tapi. Se sa ishte ralluar popullësia e krahinave të sanxhakut të Shqipërisë, na e tregon gjëndja e timarit të Isa Bej Kurtikut. Në të 107 fshatrat që përfshinte ky timar kishte më 1432 gjithsej 1253 shtëpi, pra mesatarisht 11-12 shtëpi për çdo fshat.

Vendosjes së regjimit feudal-ushtarak turk, fshatarësia shqiptare i bëri edhe një rezistencë aktive. Në defterin e vitit 1432 përmenden mjaft raste kur fshatarët e kundërshtuan regjistrimin e tokave nga ana e eminëve të kadastrës turke. Në 12 fshatra të vilajetit të Këlcyrës, për shëmbëll, është vënë shënimi se "fshatarët nuk pranuan të regjistroheshin". Në shumë fshatra, për të mos e acaruar pakënaqësinë e fshatarëve turqit nuk e bënë regjistrimin e tokave, por i shënuan ato sipas deklaratave verbale. Në defter përmenden edhe raste kur fshatarët e kundërshtuan regjistrimin e tokave duke përdorur edhe armët kundër nëpunësve turq, "Fshati Luzat, nën vartësi të Kurelashit (Kurvelesh-), thuhet në defter, është tradhëtar, kemi derguar atje tre a katër njerëz dhe ata nuk u kthyen prapë, pastaj erdhi kalorësia pas nesh dhe u bë regjistrimi me anën e Kara Feridit".

Vendosja e regjimit feudal-ushtarak turk shkaktoi edhe pakënaqësinë e bujarëve feudalë shqiptarë të cilët humbën ose tërësisht si Topiajt, Muzakët, Zenebishët, etj., ose pjesërisht si Kastriotët, Aranitasit, Stres-Balshët, etj, zotërimet feudale. Regjistrimi i tokave dhe vendosja me dhunë e spahijve në zotërimet e tyre, tregonte se turqit nuk po e konsideronin më Shqipërinë tokë vasale dhe nuk po ua respektonin më bujarëve arbëreshë atë farë autonomie që ua kishin lejuar deri atëhere. Me shpresë se do ta rifitonin autonominë e tyre, bujarët shqiptarë duke përfituar nga gadishmëria e masave fshatare për të dëbuar sundimtarët e huaj turq u vunë në krye të kryengritjeve të armatosura të cilat shpërthyen sapo në pranvere të vitit 1432 mori fund regjistrimi i tokave, caktimi i timareve dhe vendosja e spahijve. Kryengritja e parë shpërtheu në zotërimet e Arianitëve. Kryengritjen e udhëhoqi vetë Gjergj Arianiti i pakënaqur ngaqë mjaft krahina të zotërimeve të tij u aneksuan nga turqit, të cilët i përfshinë në sanxhakun e Shqipërisë, në vilajetin e Cartallozit. Pasi u përpoq më kot në Adrianopojë që të ruante, si dhe më parë, sundimin në zotërimet e veta si vasal i sulltanit, Gjergj Arianiti u kthye në Shqipëri, dhe në verën e vitit 1432, në marrëveshje edhe me krerë të tjerë feudalë të pakënaqur, organizoi dhe filloi kryengritjen kundër sundimtarëve turq. Kryengritja filloi me vrasjen e spahijve që sapo ishin vendosur aty si timarlij. Brenda pak kohe kjo kryengritje në të cilën morën pjesë të gjitha masat fshatare u shtri edhe në krahina të tjera. Po atë vit, në rrethin e Durrësit dhe të Tiranës së sotme, shpërtheu një kryengritje tjetër, në krye të së cilës u vu Andrea Topia. Në të njëjtën kohë, në veri të Shqiperisë, të udhëhequr nga Nikollë Dukagjini shqiptarët sulmuan qytetin Danjës për të dëbuar që këtej garnizonin turk që ishte vendosur aty. Danja u çlirua por vetëm përkohësisht. Kundër kryengritësve, turqit dërguan ushtri të reja të cilat morën Danjën dhe rivendosën gjëndjen e mëparëshme në zotërimet e Topiajve. Por në përpjekje me fuqitë kryengritëse të Gjergj Arianitit turqit u thyen nga shqiptarët. Fitorja e përhapi zjarrin e kryengritjes edhe në jug sidomos në Labëri (Kurvelesh). Atëherë sulltan Murati i II, i shqetësuar nga përhapja e kryengritjes u nis vetë në drejtim të Shqipërisë dhe e vendosi kampin e vet në Serez, (Maqedoni). Që këtej, ai nisi kundër Shqipërisë një ushtri të madhe turke nën komandën e Ali Bej Evrenozit, sanxhakbeut të Shqipërisë. Ali Beu u ndesh, në dimërin e vitit 1432-1433, me kryengritësit shqiptarë në luginën e Shkumbinit por, në afërsitë e Bërzeshtës u thye keq. Thyerjen e ushtrive turke e pohojnë edhe kronistët turq "Ali Beu, biri i Evrenoz Beut - shkruan kronisti Uruxh- shkoi në vilajetin Shqipërisë dhe hapi luftë, por nuk i shkoi mbarë. Sipër Berzeshës, Ali Beu u thye dhe ushtria myslimanëve pësoi një disfatë rishtas..."

Fitorja e Shkumbinit pati jehonë të madhe si në Shqipëri ashtu dhe në vendet e ndryshme të Evropës. Në këtë betejë të pëgjakëshme - shkruan kronisti bizantin Laonik Halkokondili - "Arianiti i Komnenit fitoi një lavdi të madhe. Ajo u dha zemër edhe shqiptarëve të krahinave të tjera të sulmonin, garnizonet turke". Banorët e rrethit të Gjirokastrës thirrën birin e Gjin Zenebishit, sundimtarit të tyre të mëparshëm, Depë Zenebiçhin, që ishte strehuar në Korfuz. Me kthimin e Depës, shqiptarët rethuan dhe sulmuan. gjatë vitit 1433 Gjirokastrën, kryeqendrën e sanxhakut të Shqipërisë. Garnizoni turk që ndodhej në kështjellë rezistoi deri sa erdhën nga Thesalia ushtri të tjera turke nën komandën e Turhan Pashës. Ushtritë turke erdhën në mënyrë të papritur, në mes të dimërit, e i vunë shqiptarët midis dy zjarreve. Në këto luftime shqiptarët u thyen keq dhe lanë përmbi njëmijë vetë të vrarë. Depë Zenebishi u zu rob dhe u var.

Gjatë vitit 1433 Gjergj Arianiti korri edhe një fitore tjetër kundër turqve, këtë radhë në grykat e Labërisë. Me fitoret që korri ai u bë një personalitet i njohur në oborret e Evropës. Fitoret e tij u korrën në një kohë kur Evropa ishte mësuar të dëgjonte herë pas here disfata. Papa Eugjen i IV, mbreti Alfons i V i Napolit, perandori gjerman Sigizmund dhe Republika e Raguzës i dërguan Gjergj Arianitit përgëzime dhe i premtuan ndihmë. Por fitoret e Arianitit nuk zgjatën shumë. Më 1434 të gjitha fuqitë ushtarake të Rumelisë me në krye bejlerbeun Sinan Pashën, ndërmorën një ekspeditë të madhe ushtarake për të shtypur krengritjen shqiptare, që po ngjallte shpresat shteteve evropiane dhe po i jepte rast Hungarisë të bënte përgatitje për të filluar luftën kundër turqve. Luftimet vazhduan deri më 1435. Në përfundim të kësaj ekspedite, kryengritja shqiptare u shtyp dhe Gjergj Arianiti u detyrua të tërhiqej në mbeturinat e zotërimeve të veta duke u shpallur përsëri vasal i sulltanit.

Pasi u larguan ushtritë turke të Rumelisë, shpërtheu aty nga viti 1437-1438 një kryengritje tjetër në rrethin e Beratit, e kryesuar nga Teodhor Korora Muzaka, biri i të cilit, Jakup Beu, ishte në atë kohë sanxhakbeu i sanxhakut të Shqipërisë,

Kryengritësit mundën të shtinin në dorë edhe Beratin, por më l438, me ushtritë e shumta turke që erdhën nga Thesalia nën komandën e Turhan Pashës, edhe kjo kryengritje u shtyp me egërsi të madhe.

Kryengritjet që shpërthyen në Shqipëri kundër vendosjes së regjimit feudal-ushtarak turk u shtypën njëra pas tjetrës për shkak të dobësive të tyre të brëndëshme. Të udhëhequra nga bujarë feudalë, ato qenë kryengritje të izoluara, të palidhura midis tyre. Një armiku të fortë politikisht dhe ushtarakisht siç ishte Turqia, nuk mund t'i bëhej ballë me forca të përçara. Lufta për të mbrojtur me sukses lirinë dhe pavaresinë e vendit nga një armik i tillë kërkonte krijimin e një pushteti shtetëror të përqëndruar dhe të një fronti të vetëm luftarak, në shërbim të të cilit të viheshin të gjitha rezervat njerëzore, burimet ekonomike dhe mjetet financiar të vendit, kërkonte shkrirjen e luftës çlirimtare të shqiptarëve me atë të popujve të tjerë të shtypur ose të kërcënuar nga i njëjti armik. Këto kushte u realizuan vetëm disa vjet me vonë, kur në krye të luftës së madhe shqiptare-turke u vu kapiteni i shquar Gjerigj Kastrioti Skënderbeu, themeluesi i shtetit të bashkuar dhe të pavarur shqiptar.

Shqipëria dhe Turqia

Zotërimet e Kastriotëve
Kryengritjet e Para


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003