Kastriotët ishin një familje
feudale shqiptare. Si dhe te shumica e bujarëve
të tjerë, mbiemri i tyre është
i lidhur me emrin e një vendi. Në shqipëri
ka disa fshatra me emrat Kastriot (Peshkopi), Kastri
(Mirditë), Kastra (Shkodër dhe Tropojë)etj.
Burime të pavarura nga njeri tjetri siç
janë shkrimtari shqpitar Frat Bardhi, kronisti
raguzan P. Lukari, dhe një akt i gjetur në
një kuvend françeskan Hungari dhe i botuar
nga studiozi E. Fermenxhin, pohojnë Skënderbeu
dhe prindërit e tij quheshin Kastriotë sepse
qenë nga fshati Kastrat i krahinës së
Hasit në pjesën verilindore të Shqipërisë
së sotme, i banuar krejtësisht nga shqiptarë.
Në disa burime Kastriotët mbajnë edhe
mbiemër të dytë, Mazarek, të cilin
e gjejmë sot si emër fshati, ndër të
tjera, edhe në krahin e Hasit.
Si feudalë, Kastriotët nuk kanë një
origjinë të largët. Sipas një
gjenealogjie fantaziste të shkruar nga fisniku
shqiptar i shek. XVI Andrea Engjëlli, gjyshi
i Skënderbeut quhej Gjergj Kastrioti dhe stërgjyshi
i tij Kostandin. Historiografi i njohur austriak,
J. Hammer (shek. XIX), përmend në veprën
e tij "Historia e Perandorisë Osmane"",
një princ shqiptar me emër: Gjergj Kastrioti
i cili mori pjesë në betejën e Kosovës
më 1389. Por këto pohime nuk kanë gjetur
deri më sot mbështetje në burimet dokumentare
të cilat nuk bëjnë fare fjalë
për një princ e sundimtar me emrin Gjergj
Kastrioti. Si duket Hammeri ka ngatëruar emrin
e Gjergj Kastriotit me emrin e Gjergj Balshës,
i cili. në të vërtetë ka marrë
pjesë në betejën e Kosovës. Sipas
njoftimeve që jep bujari shqiptar Gjon Muzaka,
bashkëluftëtar i Skënderbeut dhe njohës
i mirë i fisnikëve shqiptarë me të
cilët kishte edhe marrëdhënie familjare,
gjyshi i Skënderbeut quhej Pal Kastrioti. Sipas
të thënave të kronistit Muzakas, Pal
Kastrioti kishte nën zotërimin e vet feudal
vetëm dy fshatra, Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm,
që ndodheshin në luginën e Drinit,
në rrethin e Dibrës së Poshtme, sot
rrethi i Peshkopisë. Si duket, Pal Kastrioti
ishte një feudal i vogël në shkallën
e një pronari.
Biri i Palit. Gjon Kastrioti, e filloi veprimtarinë
e vet politike në fund të shek. XIV, në
kohën kur turqit u dyndën në tokat
e Shqipërisë. Duke përfituar nga dobësimi
dhe çthurja e principatave shqiptare, Gjoni
e shtriu sundimin e vet në krahinën e Dibrës,
pastaj në atë të Matit dhe në
dhjetëvjeçarin e parë të shek.
XV doli në viset bregdetare, duke përfshirë
kështu nën ndikimin e vet edhe peshkopatën
e Arbërisë. Por, me sa duket, Krujën
nuk e shtiu dot në dorë.
Pas disfatës së Ankarasë, duke përfituar
nga lehtësimi i presionit turk, Gjoni vazhdoi
t'i zgjeronte edhe më tej zotërimet e veta,
të cilat tashmë ishin bërë fqinje
me zotërimet më të rëndësishme
feudale të Shqipërisë. Ai hyri gjithashtu
në marrëdhënie me Venedikun dhe lidhi
marreveshje miqësore me të. Por më
1410 gjendja e tij u keqësua përsëri.
Këtë vit, nën kërcënimin
e Musajt, një nga djemtë e sulltan Bajazidit,
i cili kishte siguruar sundimin në Maqedoni dhe
pretendonte fronin turk, Gjon Kastrioti qe detyruar
ti jepte peng atij një nga katër djemtë
e tij. Emri i djalit nuk përmendet në letër,
por ka mundesi të ketë qenë më
i madhi nga djemtë e Gjonit, Stanishi.
Dobësimi i Turqisë gjatë luftës
për fron, i dha rast Gjon Kastriotit të
shkëputet përsëri nga vartësia
e turqve, sidomos nga ajo e sulltan Musajt, i cili
kishte hyrë në luftë kundër vëllajt
të tij sulltan Mehmetit. Më 1411 ai u afrua
me Republikën e Venedikut dhe pak më vonë
me atë të Raguzës, të cilat e
njohën atë për aleat dhe i dhanë
qytetarinë e nderit. Por më 1415, kur ushtritë
turke depërtuan në Shqipëri, Gjon Kastrioti
si duket u nënshtrua, pasi më 1416 atë
e gjejmë vasal të sulltan Mehmetit të
I. Si vasal ai i ruajti zotërimet e veta, ndoshta
i zgjeroi edhe më tepër. Nga një marrëveshje
tregëtare-doganore që Gjoni lidhi më
1420 me Republikën e Raguzës, të cilin
e ka nënshkruar në emrin e vet dhe të
djemëve të tij, kufijtë e këtyre
zotërimeve përcaktoheshin prej Shfadaje
në jug të Lezhës deri në Prizren.
Megjithëse vasal, Gjon Kastrioti vazhdoi të
zhvillonte edhe një politikë më vehte
me fqinjët e tij, serbët dhe venedikasit.
Më 1422 ai i dërgoi despotit të Sërbisë
Stefan Lazereviçit, në ndihmë një
djalë të tij në luftën kundër
Republikës së Venedikut për t'i marrë
kësaj Shkodrën. Por në vitin tjetër,
më 1423, ai u tërhoq nga lufta dhe hyri
ndërmjetës për paqën që u
lidh midis Venedikut dhe Serbisë.
Në vitin 1423, kur sulltan Murati i II filloi
fushatën për të forcuar pushtetin turk
edhe në Shqipëri, Gjon Kastrioti mundi përsëri
t'i ruante zotërimet e veta. Këtë radhë
sulltani e detyroi atë të dërgonte
peng, si duket, tre djemtë e tij.
Ashtu si Gjon Kastrioti, i ruajtën në
këto vite zotërimet e veta edhe fqinjët
e tij, në veri Pal Dukagjini dhe në jug
Gjergj Arianiti, të cilët ishin shpallur
edhe ata vasalë të sulltanit. Por nga këto,
zotërimet më të rëndësishme
u bënë ato të Kastriotëve. Këto
shtriheshin në pjesën qëndrore të
Shqipërisë nga ku kalonin rrugët që
lidhnin krahinat veriore me ato jugore dhe viset bregdetare
me ato të pjesës lindore të Shqipërisë.
Në kufijtë e zotërimeve të Kastriotëve
kishte një varg kështjellash që mbronin
shtigjet nga ku kalonin rrugët më të
rëndesishme të kohës, si ajo e Petrelës,
në jug të Tiranës, Gurit të Bardhë
në Mat, Stelushit në Murrë, Sfetigradit
në luginën e Drinit midis Dibrës dhe
Ohrit etj. Ndoshta në këtë kohë
Gjoni kishte marrë përkohësisht nga
turqit, si vasal i sulltanit, edhe qytetin e Krujës.
Përveç marrëdhënieve që
Gjoni vazhdonte t'i mbante me shtetet e huaja, ai
kishte lidhur me anë martesash miqësi edhe
me disa zotër feudalë arbëreshë.
Tri nga pesë vajzat e tij ishin martuar ose u
martuan me bujarë nga familjet feudale të
Topiajve, Muzakëve dhe Arianitëve. Një
vajzë tjetër ishte martuar me princin e
Zetës, Stefan Cernojeviçin.
Në zotërimet e veta Gjon Kastrioti kishte
prona feudale ku ishin vendosur fshatarë-bujkrobër.
Në një marrëveshje që ai lidhi
me Venedikun, republika mori përsipër t'ia
kthente Gjonit bujkërobrit që strehoheshin
në zotërimet e saj. Në një akt
të vitit 1426, me të cilin Gjon Kastrioti
së bashku me të katër djemtë e
vet i dhuruan manastirit të Hilandarit, në
Malin e Shenjtë, dy fshatra të Rekës,
Radostushen dhe Trebishtin, janë numëruar
detyrimet që Gjoni merrte në natyrë
angari e në të holla nga fshatarët
si zot i tyre feudal. Dhe kështu, thuhet në
aktin e dhurimit, duke i dhuruar në dobi të
manastirit këto dy fshatra, unë i liroj
ata nga çdo angari e madhe dhe e vogël,
me të gjitha detyrimet për haraçin
mbretëror dhe për taksat e shtetit dhe të
gjitha këto ia jap manastirit të shenjtë,
të mos ketë në këtë krahinë
as qefali as zot, as psarë, të mos të
japin atyre të dhjetë as për drithë,
as për verë, as për mjaltë, as
dhuratë në dinarë as para për
kullote, as të dhjetë bagëtish, kështu
që kisha t'i marrë të gjitha të
drejtat mbi këto fshatra sipas ligjit "Megjithatë,
në zotërimet e Kastriotëve, sikurse
edhe ne atë Dukagjinëve dhe Arianitëve,
kishte akoma një masë fshatarësh të
lirë diku të organizuar si dhe më parë
në bashkësi, diku të çliruar
nga lidhjet e bashkësisë. Si duket, kjo
masë familjesh patriarkale në këto
zotërime që shtriheshin në krahinat
e brëndëshme përbënte akoma në
shek. XV, shumicën e banorëve. Mardhëniet
tyre, me zotin feudal, kufizoheshin, si dhe më
parë, me pagesën e një tributi të
caktuar. Duke paguar këtë tribut ata ruanin
të drejtën tradicionale të vetadministrimit
sipas kanunit të tyre, gjurmët e të
cilit u ruajtën deri vonë nën emrin
e Kanunit të vjetër. Por kishte në
këto zotërime edhe malësorë të
cilët nuk paguanin fare tribut. Ata - shkruante
analisti turk Uruxh - nuk i paguajnë tribut askujt-"Zoti
feudal, ishte i pafuqishëm të nxirrte me
dhunë nga këta malsore tributin ose të
ndërhynte në jetën e tyre të brëndëshme
në kundërshtim me normat e kanunit".
Vendosja e pushtimit turk në një shumicë
krahinash të Shqipërisë dhe futja e
zotërve feudalë shqiptarë nën
vasalitetin e sulltanit, krijoi një gjendje të
padurueshme për masën e popullsisë
vendëse, kryesisht fshatare. Veçanërisht
masat e lira fshatare, të cilat tani kërcënoheshin
të futeshin nën zgjedhën feudale-ushtarake
ose të paguanin tribut në dobi të një
pushtuesi që ishte i huaj nga gjuha, nga feja
dhe nga zakonet, ishin të gatshme për t'u
bërë rezistencë turqve dhe për
të filluar kryengritjen për dëbimin
e tyre nga teritori i Shqipërisë. I mbështetur
në këtë masë, Gjon Kastrioti filloi
luftën kundër turqve.