Faqja Kryesore  >> Historia  >> Sundimi bizantin
 

Historia e Shqipërisë - Sundimi Bizantin

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Dinatët dhe Parikët

Në shek. IX - X u përhapën në Shqipëri marrëdhëniet feudale. Përhapja e tyre erdhi si rezultat i çthurjes së mëtejeshme të bashkësive fshatare, i pasurimit të dinatëve ushtarakë civilë e kishtarë në kurriz të fshatarëve që humbnin bashtinat e tyre dhe i kalimit të këtyre fshatarëve nën vartësinë e dinatëve feudalë. Ky proçes u shpejtua edhe nga faktorë të jashtëm siç ishin presioni i vazhdueshëm që ushtronte mbi fshatarët me anën e taksave shteti bizantin ose bullgar, si dhe po-litika që ndoqën perandorët bizantinë apo carët bullgarë në favor të dinatëve duke i pajisur ata me toka e privilegje. Bashkësia, ndonse vazhdonte të përgjigjej kolektivisht për pagesën e taksave dhe për shërbimin ushtarak të pjesëtarëve të saj, nuk shpëtoi dot këto nga varfërimi i mëtejshëm. Brenda në gjirin e bashkësive u rrit numri i fshatarëve që humbën bashtinat e tyre dhe u kthyen në aporë mistotë dhe mortitë. Këta, ndonse nuk kishin ndonjë shtërngesë të jashtme, për të mos vdekur urie, ishin të detyruar të punonin në bashtinat e mëdha të dinateve dhe t'u jepnin dinatëve të dhjetën e prodhimit të korrur (mortenë). Me përhapjen në Shqipëri të marrëdhënieve feudale, u formuan si rrjedhim edhe dy klasat kryesore të regjimit feudal, nga njëra anë dinatët, ku hynin feudalët ushtarakë kishtarë dhe civilë, nga ana tjetër bujqit pa tokë, mortitët, që ishin të detyruar të hynin nën vartësinë e dinatëve.

Midis dinateve dhe mortitëve qëndronte akoma një masë e konsiderueshme fshatarësh pjestarë të bashkësive, të cilët nuk i kishin humbur akoma bashtinat e tyre. Por edhe gjendja e tyre nuk ishte e njëllojtë. Midis tyre kishte fshatarë që zotëronin toka të mjaftueshme, (toka të cilat në legjislacionin bizantin cilësohen me termin agros) dhe fshatarë me toka të pakta (agridhion).

Mjeti më i zakonshëm për futjën e fshatarëve nën vartësinë e dinatëve ishte borxhi. Kur fshatari nevojtar merrte borxh te dinati apo te kisha, ai ia linte peng tokën e vet për shfrytëzim borxhdhënësit derisa t'i a shlyente borxhin. Gjatë kësaj kohe ai ishte i detyruar të punonte tokën duke mbajtur për vete vetëm një pjesë të korrjes Kjo vartësi e përkohëshme kthehej shpesh herë në një vartësi të përherëshme. Në shumë raste dinatët përdornin pozitën e vet si funksionarë të shtetit dhe u a grabisnin fshatarëve tokën sheshit ose i detyronin t'u a shisnin me çmime të ulëta ose më në fund i rëndonin me detyrime arbitrare. Kishte raste kur fshatarët, për t'u shpëtuar këtyre presioneve viheshin nën "mbrojtjen" e dinatëve, të kishave ose të manastireve duke u "dhuruar" ose "shitur" tokën dhe duke u punuar pastaj vetë ata tokë si mortitë.

Ky diferencim ekonomik e shoqëror u forcua edhe më teper nga legjislacioni bizantin i kohës. Shtesat e mëvonëshme që i u bënë "Ligjit agrar" kishin për qëllim ta ruanin e të favorizonin pronën e madhe private që ishte formuar në gjirin e bashkësive. Në këto shtresa dallohet qartë dinati si zot i fshatit (despotes tu horiu.) Në ta tani flitet për tokat e dinatit të ndara në pekule, të cilat i punonin fshatarët pa tokë. Legjislacioni i shek. IX-X u jepte dinatëve të drejtën e prioritetit në blerjen e tokave të fshatarëve fqinjë brenda bashkësive.

Vartësia ekonomike e fshatarëve nga dinatët u bë me kohë e trashëgueshme. Doli kështu në skenë përballë dinatit ushtarak, civil ose kishtar, figura tipike e parikut, e bujkrobit, pa pronë të vetën, i cili ishte i detyruar ta punonte tokën e pronarit të madh duke i paguar këtij rentën feudale në prodhime dhe duke i bërë atij njëkohësisht disa punime angari.

Pariku punonte në pekulen-bashtinë që kishte marrë nga dinati. Ai kishte pra ekonominë e vet, shpesh herë edhe inventarin e vet. Por ai nuk ishte veçse një mbajtës i tokës, një qiramarrës, dhe nuk kishte asnjë të drejtë pronësie mbi tokën. Ai mund ta mbante tokën vetëm nëse e punonte çdo vit dhe vetëm nëse i jepte pronarit-dinat rentën feudale e cila në mjaft raste ishte më tepër se e dhjeta, ajo arrinte deri në të katërtën, bile edhe të tretën e prodhimit. Po të punonte në të njëjtën tokë për 30 vjet me radhë, pariku nuk mund të zbohej më nga toka. Por ai vetë mund të largohej dhe të vendosej në tokën e një dinati tjetër. Megjithatë, me vendim gjyqi, parikut mund t'i ndalohej ikja nga toka. Përveç të zotit të tokës, pariku duhej t'i paguante edhe shtetit detyrime në natyrë e në të holla.

Tokat më të shumta u grumbulluan prej institucioneve kishtare, prej peshkopatave dhe manastireve. Për të siguruar mbështetjen e kishës, perandorët bizantinë e bullgarë u dhanë peshkopatave dhe manastireve bile edhe dinatëve laikë një numër fshatarësh, nganjëherë edhe bashkësi të tëra nën patronat. Me futjen e tyre nën patronat fshatarët duhej t'i paguanin detyrimet e veta shtetërore jo më drejtpërdrejt arkës së shtetit, por dinatëve kishtarë o shekullorë, të cilëve u lihej një pjesë e këtyre taksave. Duke shfrytëzuar këtë të drejtë dinatët i shtonin taksat në mënyrë arbitrare në kurriz të fshatarëve të futur nën patronat, deri sa t'u a merrnin tokat dhe t'i kthenin këto në prona të tyre. Vartësia e parikëve që punonin në pronat e institucioneve fetare u kthye në vartësi të plotë atëhere kur perandorët bizantinë e bullgarë u dhuruan këtyre institucioneve të drejtën e eskusies (imunitetit) në bazë të së cilës ato çliroheshin nga pagesa e disa taksave shtetërore dhe në të njejtën kohë ndalohej ndërhyrja e nëpunësve shtetërorë të financave në tokat që kishin marrë në patronat. Me këtë mënyrë dinatët filluan të përqëndronin në duart e veta përvehtësimin e rentës feudale nga parikët.

Ekzistencën më të herëshme të parikëve në Shqipëri ne e gjejmë të dokumentuar në dy diploma që perandori bizantin Vasili i II i drejtonte kryepeshkopit të Ohrit, njërën më 1019 dhe tjetrën më 1020. Me këto dy diploma të lëshuara menjëherë pas shëmbjes së Perandorisë Bullgare dhe rivendosjes së sundimit bizantin në Shqipëri, Vasili i II i rikonfermonte kryepeshkopit të Ohrit dhe peshkopëve që vareshin prej tij numrin e bujqve parikë dhe klerikë (njerëz të detyruar të kryenin shërbime të ndryshme ndaj kishës) që atyre u qenë njohur edhe më parë gjatë sundimit të carit bullgar Samuil. Kështu, kryepeshkopit të Ohrit i caktohej të kishte në Prespë, Mokër e Kiçevo 40 parikë e 40 klerikë, peshkopit të Kosturit në Kostur, Kolonjë, Devoll, Vjosë e gjetkë 30 parikë dhe 40 klerikë, peshkopit të Glavincës në Glavinicë, Kaninë e Neaniskë 40 parikë e 40 klerikë, peshkopit të Beratit në Berat, Gradec, Glavë, Qishbardhë e gjetkë 40 parikë e 40 klerikë, peshkopit të Çermenikës 15 parikë e 15 klerikë; peshkopit të Himarës 12 parikë e 12 klerikë; peshkopit të Dropullit 15 parikë e 15 klerikë; peshkopit të Butrintit 12 parikë e 12 klerikë, etj. Këto diploma dëshmojnë se marrëdhëniet feudale kishin shkuar mjaft përpara në Shqipëri, qysh në fund të shek. X ose të paktën në fillim të shek. XI, gjatë sundimit të carit Samuil. Veç kësaj, ato dëshmojnë se këto marrëdhënie kishin filluar të përhapeshin edhe në disa krahina malore të tilla si Mokra, Kolonja e Himara.

Sundimi Bizantin

Shqiptarët e hershëm


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003