Faqja Kryesore  >> Historia  >> Sundimi bizantin
 

Historia e Shqipërisë - Sundimi Bizantin

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

iliria në shek. V-VI

Në shek. V-VI varfërimi progresiv dhe rrënimi ekonomik përfshiu edhe provincat e Perandorisë Bizantine që deri tani nuk e kishin ndjerë aq thellë këtë proces midis tyre edhe provincat e Prevalit. Epirit të Ri dhe Epirit të Vjetër që edhe nën sundimin bizantin vazhdonin të ishin si ndarje administrative më vehte.

Në këto provinca, si përgjithësisht në provincat lindore, kolonati mori një zhvillim më të madh në krahasim me provincat e perëndimit. Në legjislacionin e kohës dalloheshin akoma kolonët e lirë, d.m.th. ata që krahas tokës që merrnin prej pronarit mund të kishin edhe tokën, veglat e veta dhe kolonët që nuk kishin tokë të vetën dhe të cilët regjistroheshin në tokën që punonin, (të ashtuquajturit "enapografë" d.m.th të regjistruar). Këta të fundit ishin të lidhur pas tokës dhe as vetë as fëmijtë e tyre nuk kishin të drejtë të largoheshin nga tokat ku ishin regjistruar. Rritja arbitrare e kërkesave nga ana e pronarëve dhe ngushtimi i vazhdueshëm i të drejtave juridike nga ana e legjislacionit bënë që dalëngadalë të zhdukej ndryshimi midis kolonëve të lirë dhe enapografëve. Gjendja e kolonëve në përgjithësi filloi t'i afrohej asaj të skllevërve që ishin vendosur në tokat e pronarëve.

Edhe në këto shekuj në Iliri nuk u zhduk prona e vogël fshatare, ashtu si dhe në viset malore bashkësitë e lira fisnore e fshatare, të cilat në dokumentet e kohës përmenden me emrin metrokomi. Por taksat e shumta, angaritë e ndryshme për ndërtime rrugash, urash dhe kalash, sigurimi i kafshëve për transportimin e lëndës së ndërtimit bashkë me shpërdorimet e nëpunësve të lartë shtetërore i shtynin fshatarët të kërkonin mbrojtje te pronarët e mëdhej, të cilët gëzonin privilegje, duke u a dorëzuar vullnetarisht këtyre tokat e veta kundrejt marrëveshjeve përkatëse.

Rrënimi i fshatarësisë u bë më i theksuar veçanërisht nga fundi i shek. V dhe fillimi i shek. VI, kur politika financiare e perandorëve rëndoi para së gjithash mbi shpatullat e popullsisë fshatare dhe blegtorale të perandorisë. Efekte veçanërisht rrënimtare pati taksa e re në ar. "krysoteleia" , e cila paguhej jo më në natyrë. por në para. Fshatarët ishin të detyruar të shisnin tashti prodhimet e tyre në treg, për të plotësuar kërkesat përherë e më të mëdha të perandorisë Bizantine ose të merrnin hua tek fajdexhijtë. Duke mos qenë në gjendje t'i paguanin me kohë borxhet, fshatarët shpesh herë detyroheshin t'ua dorëzonin gjithë pasurinë huadhënësve. Për të shpëtuar nga kjo gjendje shumë fshatarë merrnin rrugën e qyteteve dhe hynin në radhët e ushtrisë bizantine. Kjo i lejonte qeveritarëve bizantinë të grumbullonin forca të mëdha ushtarake në Iliri. Një veçori tjetër me rëndësi e Perandorisë Bizantine qe se këtu u ruajtën më shumë se në perëndim ekonomia e mallrave dhe qytetet si qendra të saj. Të tilla qytete me rëndësi ekonomike vazhduan të ishin në pjesën europiane përveç Kostandinopojës dhe Selanikut (Thesalonikut) një varg qendrash të tjera në Greqi
si edhe Dyrrahu, i cili mbeti qyteti më me rëndësi i Perandorisë së Lindjes në brigjet perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Në limanin e tij vinin anije nga të gjitha anët e Mesdheut. Prej këtej niseshin rrugët tokësore që lidhnin Perëndimin me Lindjen. Aty ndodheshin punishtet dhe arsenalet për pajisjen e ushtrisë dhe të flotës perandorake. Megjithëse i dëmtuar dy herë nga tërmeti (në.vitin .345 dhe 518) dhe nuk kishte më shtrirjen e dikurshme, qyteti u rimëkëmb dhe bile u pasurua me ndërtesa të reja private dhe publike, siç ishte ndër të tjera hipodromi i qytetit, që u ngrit në kohën e perandorit bizantin Anastas (491-518). Shkrimtari grek i shek. VI, Prokopi nga Gaza (Siri), e përshkruan Dyrrahun në këtë kohë si një qytet që u a kalon vendeve tjera në mirëqënie: " . . . Dyrrahin e kanë përshkruar shumë shkrimtarë, me ata bashkohet dhe fama e tij. Ai është një qytet i hedhur nga toka në det i cili gëzon gjithatë që i fali deti dhe toka. Kur vjen nga deti Jonian dhe e sheh atë nga anija, të kënaqet shpirti nga bukuria e gjërave që vështron".

Në qytetet e tjera kriza e gjatë pati si pasojë rënien e plotë të potencialit të tyre ekonomik, ngushtimin e marrëdhënieve tregtare, dhe shpopullëzimin e tyre gradual. Pasojat rrënimtare të krizës i ndjeu edhe klasa e vjetër sunduese, skllavopronarët. Vetëm një shtresë e ngushtë, e përbërë nga pronarë të mëdhej tokash, funksionarë të lartë të shtetit dhe të kishës, mundën të ruajnë të paprekura pozitat e tyre sunduese. Kjo shtresë e privilegjuar përbëhej nga senatorët. Nga radhët e saj zgjidheshin nga një herë perandorët. Kështu p.sh. perandori Anastas vinte nga radhët e aristokracisë senatoriale të Durrësit. Por duke qenë se rolin kryesor në shtet vazhdonte ta luante ushtria, nuk ishin të ralla rastet kur perandorët, si dhe më parë, të zgjidheshin nga radhët e oficerëve të ushtrisë. Në këtë mënyre edhe në Perandorinë Lindore ushtarakë ilirë mundën të bënin karierë duke arritur të merrnin në dorë edhe pushtetin perandorak. Të tillë qenë perandorët Justin (518-527) dhe Justinian I (527-565). Historiani Prokopi nga Qezarea, duke folur mbi origjinën e perandorit Justin, ilir nga Dardania, na tregon se ky, për arësye se nuk kishte mundësi të siguronte jetesën në vendin e vet, së bashku me dy bashkëfshatarë e kishte lënë fshatin e lindjes, kishte arritur në këmbë në Kostandinopojë, ku hyri në radhët e ushtrisë dhe mundi të arrinte deri në postet më të larta shtetërore.

Me kohë, në klasën sunduese të Ilirisë, si kudo, rolin kryesor filloi ta luante kisha e krishterë, e përfaqësuar nga kleri i lartë, i cili, për shërbimet e tij kundrejt klasës shfrytëzuese, merrte nga perandorët si dhuratë toka dhe pasuri të tjera. Në provincën e Prevalit p.sh. kisha e Romës në shek. VI kishte pronat e veta (patrimonia curiae) nga të cilat mblidhte çdo vit të ardhura të rëndësishme. Si protestë kundër shtypjes që vinte nga klasa sunduese, në të cilën kisha zinte një vend të rëndësishëm, në Iliri si në shumë krahina të tjera të perandorisë filluan të përhapeshin doktrina që ishin në kundërshtim me doktrinat fetare të kishës shtetërore. Të tilla doktrina, si ajo e arjanizmit dhe e akacianizmit, u ndoqën me ashpërsi në Iliri nga kisha dhe shteti.

Sundimi Bizantin

Shqiptarët e hershëm


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003