Faqja Kryesore  >> Historia  >> Sundimi bizantin
 

Historia e Shqipërisë - Sundimi Bizantin

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Shqiptarët e Hershëm

Në shek. VIII dyndjet e sllavëve në Gadishullin Ballkanik kishin marrë fund. Në përfundim të këtyre dyndjeve, përveç të tjerave, përbërja etnike e gadishullit pësoi ndryshime të mëdha. Në pjesën lindore të Ballkanit popullsia e lashtë, thrake qe zhdukur krejtësisht. Në territoret e saj tani qenë vendosur banorët e rinj sllavë. Në krahinat e sotme të Bullgarisë, nga fundi i shek. VII, erdhën fise të tjera "barbare", bullgarët. Por këta u asimiluan nga fiset sllave dhe formuan popullsinë sllave-bullgare. Në jug të Gadishullit Ballkanik, si pasojë e depërtimit të sllavëve në gjithë territorin e Greqisë deri në Peloponez, popullsitë e lashta helene ishin pakësuar në një masë të madhe. Vendbanimet e grekëve formonin tani disa ishuj, diku më të mëdhej a diku më të vegjël, të rrethuar nga fiset sllave. Në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, në përfundim të dyndjeve sllave, vendbanimet e ilirëve u ngushtuan edhe më tepër. Në një shumicë krahinash të Ilirisë - në viset e sotme të Sllovenisë, Kroacisë, Dalmacisë, Bosnjës, Serbisë dhe Maqedonisë, popullsia e pakët ilire vazhdoi të asimilohej nga banorët e rinj sllavë dhe dalëngadale u zhduk krejt. Por në krahinat e Ilirisë jugore, në malsitë e sotme të Shqipërisë, Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit (Metohi) dhe në disa krahina të Malit të Zi, ku sllavët nuk depërtuan dot, kjo popullsi i qëndroi kolonizimit sllav. Në fushat dhe luginat, pranë popullsisë ilire banonin tashmë masa të konsiderueshme popullsish sllave. Kjo simbiozë shqiptare-sllave vazhdoi për disa shekuj me radhë.

Nevoja për toka buke i bëri bashkësitë sllave të depërtonin dalëngadalë edhe në krahinat malore. Në këto krahina sllavët hapën toka të reja me anën e rrahjes dhe të spastrimit të pyjeve. Më tepër se kudo ky depërtim duhet të ketë ndodhur në krahinat e Shqipërisë së jugut. Këtë na e tregojnë të paktën emrat me rrënjën sllave treb d.m.th. "rrah pylli" që mbajnë disa fshatra malore si Trebickë, Trebeshinë, Trebisht, Tërbaç, etj.

Në shek. VIII si dhe në shekujt e mëvonshëm, një pjesë e ilirëve vazhdoi të ishte gjithnjë e organizuar në bashkësi fisnore, mbeturina të fiseve të vjetra ilire. Nganjëherë bashkësitë fisnore që shtriheshin në një krahinë të tërë i jepnin emrin e vet edhe krahinës. Emri Plult (Polatum, sipas dokumentave), me të cilin quhet qysh në shek. VIII një nga krahinat veriore të Shqipërisë, duket se ishte emri i bashkësive fisnore që banonin qysh në këtë kohë në këtë vend. Bashkësi të tjera fisnore ishin ato që banonin në krahinat midis Durrësit e Dibrës dhe që mbanin emrin e fisit të lashtë ilir Albanoi. Pjestarët e këtyre bashkive fisnore banonin të ndarë në njësi me të vogla fisnore të quajtura ndoshta edhe në këtë kohë katune, emër që e gjejmë vetëm më vonë, në burimet dokumentare të shek. XII-XV.

Pjesa tjetër e ilirëve ishin të organizuar në bashkësi fshatare dhe banonin në fshatra. Si dhe më parë, banorët e një fshati nuk kishin që të gjithë si pjestarët e një katuni, lidhje gjaku midis tyre. Në themel të bashkësisë fshatare qëndronin lidhjet e fqinjësisë teritoriale.

Pak a shumë si ilirët qenë të organizuar në bashkësi fshatare edhe fqinjtë e tyre, sllavët. Fqinjësia për një kohë të gjatë midis këtyre bashkësive të ngjashme, marrëdhëniet ekonomike e shoqërore që u zhvilluan midis tyre, ndikuan reciprokisht te njëri tjetri në fushën e kulturës materiale. Sllavët, me një bujqësi më të përparuar, u dhanë ilirëve mjaft nga elementet e kulturës së tyre bujqësore. Dëshmi për këtë ndikim janë fjalët sllave të fushës bujqësore që kanë hyrë gjatë këtyre shekujve në gjuhën shqipe. Nga ana tjetër, ilirët, me një blegtori më të zhvilluar dhe më të pasur u dhanë sllavëve, në një masë të kufizuar, elemente nga kultura e tyre blegtorale. Këtë e provojnë fjalët shqipe të sferës blegtorale që kanë hyrë në sllavishten e jugut. Gjatë kësaj simbioze, të dy palët ndikuan gjithashtu njëri-tjetri edhe në fushën e kulturës shoqërore.

Gjatë këtyre shekujve mjaft nga bashkësitë fisnore dhe sidomos bashkësitë fshatare ilire që banonin kryesisht në fushat e luginat, nën presionin e pandërprerë sllav, vazhduan të sllavizoheshin. Megjithatë një pjesë e mirë e popullsisë ilire dhe në mënyrë të veçantë fiset e përqëndruara në krahinat malore, i shpëtuan edhe më vonë presionit asimilues të sllavëve ashtu siç i kishin shpëtuar edhe më parë valës asimiluese romake. Por ndërkohë kjo popullsi në thelb ilire, e cila gjatë rrugës së vet historike kishte përvehtësuar një varg elementesh të gjuhës e të kulturës materiale e shoqërore të thrakëve dhe më vonë të romakëve, tani duke përvehtësuar, ndonse në një masë të kufizuar, edhe elemente të gjuhës dhe të kulturës së sllavëve, e deri diku edhe të bizantinëve, po humbiste disa nga tiparet e saj karakteristike të dikurshme dhe po fitonte në të njëjtën kohë disa tipare të reja që e bënin të mos kishte ngjashmëri me popullsinë e vjetër ilire, ndonse ishte vazhduesja e saj. Po kalohej kështu nga popullsia ilire në një popullsi të re. Gjatë këtyre shekujve humbi dalëngadalë edhe emri i vjetër ilir, me të cilin quhej deri atëherë kjo popullsi. Vendin e tij filloi ta zinte emri i fisit ilir Albanoi. Ai u bë në formën Arbër e Arbrësh emri i kësaj popullsie të re që u formua gjatë mesjetës së herëshme, vazhduesit e drejtpërdrejtë të të cilëve janë shqiptarët e sotshëm. Për ketë arësye, duke filluar nga shek. VIII, nuk mund të flitet më për një popullsi ilire në kuptimin e mëparshëm, por për arbëreshë o shqiptarë, pasardhvsit e ilirëve antikë.

Sundimi Bizantin

Shqiptarët e hershëm


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003