Faqja Kryesore  >> Historia  >> Sundimi bizantin
 

Historia e Shqipërisë - Sundimi Bizantin

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Dyndjet Barbare në iliri

Dyndjet e "barbarëve" vazhduan edhe pas ndarjes së Perandorisë Romake. Perandori i Perëndimit, Honori, dhe ai i Lindjes, Arkadi, që në fillim të sundimit të tyre u ndodhën përballë rezikut të sulmeve "barbare". Por situata e tyre u bë edhe më e vështirë për arësye të konfliktit që shpërtheu midis tutorëve të tyre, Stilikonit dhe Rufinit. Stilikoni u përpoq të bashkonte me çdo kusht nën sundimin e Perandorisë së Perëndimit dhe pjesën tjetër jugore të Ilirisë, prej të cilit mbante vetëm Dalmacinë dhe Panoninë.

Në këtë situatë u bë veçanërisht i madh për klasën sunduese skllavopronare bizantine rreziku që vinte nga visigotët e vendosur në Gadishullin Ballkanik. Prijsat e këtyre kishin arritur në këtë kohë të fitonin poste të larta si komandantë të ushtrive të të besëlidhurve (federati, siç e quajtën "barbarët"). Me pretekstin se Arkadi nuk u kishte paguar rrogat e premtuara atyre si të beslidhur, në nga prijsat e tyre. Alariku, u ngrit kundër Kostandinopojës. Me të u bashkuan të gjithë gotët e vendosur në krahinat e ndryshme të Ballkanit. Turmat gote plaçkitën dhe shkretuan Maqedoninë, Greqinë, Epirin, Ilirinë, pa ndeshur pothuajse asnjë pengesë. Sulmet e "barbarëve" vunë në lëvizje edhe popullsinë e varfër fshatare ilire. "Vetë Marsi dhe Belona (perëndi lufte). -- thotë poeti i shek. IV Klaudiani nga Aleksandria - me drapërin fshatar në dorë udhëhoqën luftën" - duke bërë aluzion me këtë formë mitologjike për luftën në të cilën merrnin pjesë më shumicë fshatarët. Kësaj situate të rrezikëshme për perandorinë i dha fund përkohësisht vetëm paqja e vitit 398. Në bazë të saj ushtritë e Alarikut u vendosën në krahinat jug-perëndimore të gadishullit si federatë, kurse vetë Alariku u emerua kryekomandant (magister militum) i ushtrive bizantine në Iliri.

Lëviziet e gotëve në krahinat ilire morën fund vetëm në vitin 408, kur Alariku, i nxitur nga Kostandinopoja, u nis me ushtrinë e tij për në Itali, duke kaluar nëpër krahinat veriore të Ilirisë.

Sulmet barbare në Iliri në çerekun e fundit të shek. IV shkaktuan një rënie të mëtejëshme të ekonomisë fshatare dhe qytetare, shkretimin e shumë krahinave. Të shumta janë burimet që flasin për rrjedhimet e këtyre dyndjeve në këtë kohë. "Më vjen të rrënqethëm kur mendoj të tregoj shkatërrimet në kohën tonë, - shkruan Hieronimi nga Stridori i Dalmacisë; - ka më tepër se 12 vjet që shkon gjaku rrëke; gotët, sarmatët, alanët, markomanët shkretojnë, shkatërrojnë dhe plaçkitin Thrakinë, Maqedoninë, Dardaninë, Thesalinë. Dakinë, Akajen. Epirin dhe gjithë Panoninë. Kudo dhunë, kudo psherëtima, kudo figura e tmerrëshme e vdekjes, për këtë dëshmitare është Iliria, dëshmitare është Thrakia, dëshmitar i është dhe vendi ku kam lerë, ku çdo gjë u shkatërrua, përveç qiellit e tokës. ferrave dhe pyjeve të dëndura".

Pas largimit të gotëve, Gadishulli Ballkanik u përshkua rishtas nga valë të tjera "barbarësh", nga hunët.

Më 441, Atila udhëheqësi i hunëve, duke shfrytëzuar rastin kur forcat ushtarake të perandorisë ishin të zëna në luftë me vandalët në perëndim, filloi të sulmonte krahinat e Perandorisë Bizantine. Brenda pak vjetësh hunët pushtuan, grabitën dhe rrënuan një numër të madh qytetesh në Maqedoni e Iliri e veçanërisht në Dardani. Historiani bizantin Prisku, që i përshkoi këto krahina me një delegacion të drejtuar për në oborrin e Atilës, na tregon se Dardania ishte kthyer në shkretëtirë të pabanuar, të cilën e kishin mbuluar pyjet. Kudo që kaluan hunët plaçkitën dhe morën me vehte një popullsi të madhe si rob lufte. Midis këtyre robërve, Prisku thotë, se kishte parë edhe ilirë nga bregdeti. Por, me shkatërrimin e shpejtë të federatës hune pas vdekjes së Atilës, pushuan sulmet e tyre kundër perandorisë.

Një kërcënim i ri i u afrua sundimit bizantin nga sulmet e gotëve të lindjes - ostrogotëve, të cilët u vunë në lëvizje duke u nisur nga krahinat përtej Danubit në vitin 459. Me ta u bashkuan edhe gotë të tjerë që ishin vendosur prej kohësh në Gadishullin Ballkanik dhe në Iliri. Pasi iu pre rruga drejt kryeqytetit dhe Selanikut, gotët u drejtuan për në Perëndim. Një grup ostrogotësh prej Panonie, nën udhëheqjen e Teodorikut, pushtoi Shkupin e prej këtej zbriti në Epirin e Ri. Frika nga lajmi i afrimit të ostrogotëve, i bëri banorët vendës të braktisnin banesat e veta. Kështu, pa gjetur ndonjë rezistencë. "barbarët" duke ndjekur rrugën Egnatia, arritën deri përpara Skampës të zbrazur nga popullsia. Prej këtej ata u drejtuan për në Dyrrah. Duke përfituar nga fakti që në afërsitë e këtij qyteti kishte pronat një got i pasur, Sidimundi, që ishte në shërbim të perandorisë, ostrogotët me ndihmën e tij mundën të shtinin në dorë Dyrrahin, një pjesë e popullsisë të të cilit, e kapur nga paniku i afrimit të "barbarëve", e kishte braktisur gjithashtu qytetin duke kaluar nëpër ishujt dalmatinë dhe përtej detit. Por edhe kësaj here pushtimi got i Ilirisë nuk qe i gjatë. Në vitin 488 ostrogotët me premtime dhe shpërblime u bindën nga perandori të largoheshin për në itali, ku themeluan mbretërinë e tyre në teritorin e Perandorisë së dikurshme të Perëndimit.

Nga fundi i shek. V fiset turanike-bullgare dhe ato të sllaveve, pasi kishin parë pasuritë e perandorisë dhe dobësinë e saj, filluan të sulmonin dhe të plaçkitnin krahinat bizantine. Në vitin 499 një ushtri e Bizantit e përbërë prej 15.000 ilirësh u thye nga bullgarët me humbje të mëdha në Thrakë në një betejë e cila, siç thotë historiani Amian Marcelini, shënoi fundin e fuqisë luftarake të Ilirisë.

Pas kësaj ngjarje turano-bullgarët filluan të hynin jo vetëm në krahinat lindore të gadishullit, por edhe në ato perëndimoret dhe t'i shkatërronin ato gjithnjë më shpesh.

Kaq e madhe u bë pasiguria e provincave ballkanike për shkak të këtyre sulmeve të përsëritura, sa që qeveria e Bizantit u detyrua të merrte masa për të siguruar në mos kufijtë, të paktën qytetet më me rëndësi të perandorisë. Filloi kështu të ndërtohej nga fillimi i shek. VI "muri i gjatë" prej 50 km. që nga deti Marmara e deri tek Deti i Zi për të mbrojtur Kostandinopojën. Në ketë kohë të sundimit të perandorit Anastas u morën masa për të mbrojtur edhe Dyrrahun, i cili u rrethua me tre rradhë muresh të trasha. Masa të tilla sigurimi vazhduan të merreshin në shkallë edhe më të madhe nën sundimin e peraridorit Justinian. Gjatë kufirit verior në breg të Danubit si dhe në provincat e brendëshme u rindërtuan shumë fortesa të vjetra të dëmtuara dhe u ngritën mjaft të reja në mënyrë që provincat të ishin në gjëndje t'u bënin ballë me forcat e veta sulmeve të "barbarëve" në qoftë se do të thyhej vargu i parë i fortifikatave në Danub. Prokopi i Qezaresë na thotë se vetëm në Epirin e Ri u ndërtuan në atë kohë 32 kala të reja dhe u rindërtuan 26 të vjetëra, kurse në Dardani 8 ishin të rejat dhe 61 kalatë e vjetëra që u vunë në gjendje përdorimi. Kalatë e Epirit të Ri dhe Dardanisë formonin një zinxhir fortifikimi që mbronin Dyrrahun, bazën detare më të rëndësishme të perandorisë në Adriatik.

Kjo veprimtari e madhe ndërtimi, ndërmarrë nga Justiniani, rëndoi para së gjithash mbi popullsinë e vendit me taksat e rënda dhe me punën angari që kërkohej për ngritjen e tyre. Megjithatë këto masa nuk qenë në gjendje t'u pritnin hovin sulmeve të "barbarëve". Ndërsa Justiniani harxhonte forcat e fundit ushtarake e financiare të shtetit për të ringjallur Perandorinë e dikurëshme Romake dhe për ta bashkuar të gjitha tokat e saj nën sundimin e Bizantit, dhe për këtë qëllim xhvishte gjithë krahinat e Gadishullit Ballkanik nga forcat ushtarake, për t'i dërguar në Afrikë, Itali dhe Spanjë, kufiri i Danubit dhe vargu i fortifikatave mbrojtëse kaloheshin pa pengesa nga turmat "barbare". Në fortifikimet e ndërtuara me kaq shpenzime nuk kishte forca të mjaftueshme për t'i mbrojtur. Në vitin 540 vërshuan përseri turma huno-bullgare në vendet prej detit Adriatik e deri në lagjet e jashtëme të Kostandinopojës dhe pushtuan e rrënuan 32 kala në Epirin e Ri e në Prevalis. Me plaçkën e grabitur dhe me një numër shumë të madh robërish ata u kthyen në vendin e tyre përtej Danubit, pa gjetur ndonjë kundërshtim e pengesë.


Sundimi Bizantin

Shqiptarët e hershëm


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003