Me ndryshimet shoqërore që
pësoi Bizanti pas dyndjes së sllavëve,
me rreziqet që u shtuan nga sulmet e jashtme
dhe nga kryengritjet e brendëshme, organizimi
i mëparshëm ushtarak-administrativ i Perandorisë
Bizantine ishte treguar i papërshtatshëm.
Ushtria, e cila më parë përbëhej
nga kolonë me shërbim ushtarak të detyrueshëm
dhe nga mercenarë barbarë, tani ishte dobësuar
në një shkallë të madhe. Numri
i kolonëve ishte pakësuar dhe, veçanërisht
në Ballkan, ishte zhdukur pothuajse krejtësisht.
Mercenarët barbarë nuk tregonin asnjë
interesim për luftën. Pa një disiplinë
ushtarake, ata u bënë një mbështetje
e pasigurtë për kufijtë e perandorisë,
sidomos kur atë e kërcënonin nga jashtë
persët, arabët dhe më vonë bullgarët.
Për të mëkëmbur fuqinë
e vet ushtarake, Perandoria Bizantine shfrytëzoi
në shkallë të gjerë fshatarësinë
e lire. Duke përfituar nga fakti se gjatë
kësaj kohe shumë fshatarë të lirë
ishin xhveshur nga tokat e tyre dhe ishin larguar
nga bashkësia, perandorët bizantinë
u dhanë këtyre ngastra të vogla nga
tokat e lira, me të drejtën e trashëgimit,
me kusht që këta të kryenin shërbimin
ushtarak, gjithashtu të trashëgueshëm.
Në këtë mënyrë u krijua një
shtresë e veçantë fshatarësh-ushtarë
të quajtur stratiotë (nga greqishtja: ushtarë),
të cilët gjatë kohës së paqës
punonin tokat e tyrë kurse gjatë periudhës
së luftave ishin të detyruar të vinin
në ushtri. Ky organizim e çlironte në
një masë të madhe Perandorinë
Bizantine nga shpenzimet ushtarake dhe ngjallte deri
diku interesimin e stratiotëve për luftë.
Fshatarët që nuk i kishin humbur tokat e
tyre, shteti bizantin i lehtësoi nga disa taksa
shtetërore për t'i bërë stratiotë.
Në shumë raste bashkësi të tëra,
për t'u lehtësuar nga taksat shtetërore,
morën përsipër detyrimin ushtarak:
në këtë mënyrë pjestarët
e tyre u bënë fshatarë-stratiotë.
Këto masa i dhanë mundësi Perandorisë
Bizantine të zëvendësonte organizimin
administrativ centralist e burokratik të mëparshëm,
të krijuar në shek. VI, në të
cilin pushteti civil ishte i ndarë nga ai ushtarak,
me një organizim të ri ushtarak-administrativ
të njohur me emrin sistemi i themave. Në
bazë të këtij organizimi teritoret
e perandorisë u ndanë në rrethe ushtarake,
në thema.
Themat nuk u krijuan menjëherë, por herë
pas here, sipas here, sipas nevojës që lindi
Bizantit. Themet e para u krijuan në provincat
e largëta të Azisë së Vogël,
kurse në fund të shek. VIII filloi organizimi
i themave në Ballkan. Në shek. IX Perandoria
Bizantine filloi të rrezikohej nga perëndimi.
Arabët, pasi kishin pushtuar Siçilinë,
po përparonin në Gadishullin Italian dhe
po e kërcënonin Bizantin me kalimin e tyre
në Gadishullin Ballkanik. Bile reparte saraqenësh
arabë zbarkuan edhe në bregdetin e Shqiperisë,
në lumin Bunë dhe në afërsitë
e Sarandës, ku nuk qëndruan veçse
pak kohë. Po në këtë kohë
teritoret e Shqipërisë kishin filluar të
pushtoheshin nga shteti bullgar i kthyer tashmë
në një perandori të fuqishme. Dalja
e këtyre rreziqeve në zotërimet perëndimore
të perandorisë i detyroi qeveritarët
e Bizantit të organizonin këtu në çerekun
e tretë të shek. IX dy thema të reja,
të cilat e quajtën sipas kryeqëndrave
të tyre: thema e Durrësit dhe ajo e Nikopojës.
Në themën e Durrësit u përfshinë
dy provincat e mëparëshme, ajo e Epirit
të Ri dhe e Prevalit, prej lumit Vjosë në
jugë deri në Malin e Zi në veri; kufijtë
lindorë shtriheshin deri në lumin Drin.
Në themën e Nikopojës u përfshinë
teritoret e provinces së mëparëshme
të Epirit të Vjetër që nga lumi
Vjosë deri në gjirin e Artës. Me këtë
organizim Durrësi u bë edhe qëndër
kryepeshkopale, prej së cilës vareshin edhe
peshkopatat e Shqipërisë së veriut
meqenëse kryepeshkopata e Shkodrës tani
u suprimua së bashku me provincën e Prevalit.
Çdo theme kishte ushtrinë e vet, prej
afërsisht 10 mijë vetësh që përbëhej
në shumicën e saj prej stratiotësh.
Në krye të themes qëndronte strategu
, i emëruar drejtpërdrejt nga perandori
bizantin, i cili ishte komandant i forcave ushtarake
të themes dhe në të njëjtën
kohë ushtronte brenda saj pushtetin civil dhe
administrimin e gjygjeve dhe të financave. Pranë
strategut qëndronte një shtab funksionarësh
të lartë ushtarakë e civilë, i
përbërë prej domestikut (shefi i shtabit
madhor), kartularit (shefi i rekrutimit ushtarak),
prej disa kontësh të caktuar me detyra të
ndryshme dhe prej funksionarësh të tjerë.
Njëri nga këta funksionarë ishte protonoteri
(gjykatësi i themës), i cili kryente funksionet
e shefit të administratës civile, të
drejtësisë dhe të financave dhe varej
drejtpërdrejt nga Kostandinopoja. Strategët
ishin të plotfuqishëm dhe konsideroheshin
si zëvendësit e perandorit në theme;
këta merrnin shpërblime të mëdha
dhe mbanin tituj të lartë fisnikërie.
Në fillim, strategët e Durrësit mbanin
titullin patric, kurse ata të Nikopojës
titullin dukë, që ishte një titull
më i larti. Shpërblimin i tyre strategët
i nxirnin nga një taksë e veçantë,
e quajtur rogi që paguanin për këtë
qëllim banorët e themës, (që këtej
ka rrjedhur fjala e sotme e shqipes rrogë).
Organizimi ushtarak-administrativ i themave e rriti
vetëm përkohësisht fuqinë mbrojtëse
të Perandorisë Bizantine. Stratiotët
nuk mundën t'i shpëtonin varfërimit
dhe me kohë filluan t'i shisnin tokat. Gjatë
shek. X, perandorët bizantinë u përpoqën
ta ndalonin shitjen e tokave stratiote që sillte
dobësimin e fuqisë së tyre ushtarake.
Por, me gjithë masat e tyre, proçesi i
shitjes së tokave nuk mundi të ndalej. Këto
toka ranë kryesisht në duart e kartularëve,
kontëve dhe oficerëve të themës.
U forcua kështu edhe më tej shtresa e aristokracisë
feudale ushtarake ose e dinatëve (greqisht =
të fuqishmit), sikurse quheshin në këtë
kohë në Bizant. Stratiotët e varfëruar
punonin tani në tokat e dinatëve duke hyrë
në vartësinë e tyre. Kështu thema
u bë një hallkë e rëndësishme
në procesin e formimit të marrëdhënieve
feudale në Shqipëri. Duke pasur në
dorë aparatin shtetëror dinatët ushtarakë
i shtuan pronat e tyre edhe në kurriz të
tokave të fshatarëve të lirë të
bashkësive.
Me gjithë organizimin e themes së Durrësit
dhe të Nikopojës, Bizanti nuk mundi to ndalte
zgjerimin e Perandorisë Bullgare drejt perëndimit.