Faqja Kryesore  >> Historia  >> Sundimi bizantin
 

Historia e Shqipërisë - Sundimi Bizantin

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Sundimi Bullgar në truallin e Shqipërisë (851-1018)

Gjatë shek. IX shteti bullgar, i krijuar në brigjet e Danubit qysh në fund të shek. VII, u forcua me tej dhe filloi t'i zgjeronte kufijtë në kurriz të teritoreve të Perandorisë Bizantine. Në vitin 847 mbreti bullgar Presiani u shtri në Maqedoninë qëndrore dhe më 851 në një pjesë të Shqipërisë jugore, duke pushtuar Ohrin dhe Devollin (buzë lumit homonim, sot i zhdukur). Disa vjet më vonë, mbreti Boris (852-889) pushtoi qytetin e dikurshem ilir Antipatrea, i cili në këtë kohë quhej Belgrad (qytet i bardhë) prej nga ka rrjedhur emri i sotëzn Berat. Bullgarët u shtrinë gjithashtu në luginën e Vjosës duke arritur në detin Adriatik, në veri të VIorës. Më 866 bullgarët së bashku me mbretin e tyre Borisin, nga paganë u kthyen në fenë e krishterë.

Gjatë sundimit të Simeonit (893-927) kufijtë e shtetit bullgar u zgjeruan edhe më tepër. Në perëndim Simeoni përfshiu në shtetin e vet edhe toka të tjera të Shqipërisë. Në vitin 904 pushtoi Vlorën, Himarën e Butrintin dhe, pak më vonë, gjithë krahinat e themës së Nikopojës. Në të njëjtën kohë, bullgarët u shtrinë edhe në themën e Durrësit. Këtu pushtuan rreth 30 kështjella, por Durrësin dhe Shkodrën nuk i morën dot. Me pushtimet që bëri në lindje dhe në perëndim të Gadishullit Ballkanik, Simeoni e ktheu shtetin bullgar në një perandori dhe e shpalli veten car të bullgarëve dhe të romejve (bizantinëve).

Tokat e Shqipërisë së sotme që hynë nën sundimin e Mbreterisë Bullgare, bënin pjesë në krahinën që mbante emrin Kutmiçevica. Në krye të saj qëndronte si qeveritar pothuajse më vehte një nga bujarët e mëdhej bullgarë. Qëndrat kryesore të kësaj krahine u bënë qyteti i Devollit dhe ai i Glavinicës (në Ballshin e Mallakastrës).

Këto pushtime e përforcuan edhe më tepër karakterin feudal, të shtetit bullgar. Tokat e pushtuara mbretërit bullgarë u a ndanë bujarëve të mëdhej, kishës dhe klerit të krishterë, të cilët u bënë mbështetësit e tyre kryesorë. Gjatë sundimit të Simeonit, Mbretëria Bullgare njohu një periudhë shkëlqimi kultural. Në kohën e Borisit dhe Simeonit vepruan pjesërisht edhe në Shqipëri dy pionierët e kulturës dhe të shkrimit të vjetër sllav, Klementi dhe Naumi, nxënësit e Kirilit dhe Metodit. Në Shqipëri Klementi shkonte nga një fshat në tjetrin për të përhapur jo vetëm fenë e krishterë dhe shkrimin sllav por edhe njohuri të dobishme në fushën e bujqësisë. Ai i mësoi fshatarëve, midis të tjerave, edhe kulturën e pemëve frytore. Klementi, me ndihmën që i dha atij Borisi, ndërtoi në krahinat e Shqipërìsë disa kisha, manastire dhe shkolla. Brenda 7 vjetëve, 3500 nxënës të dalë nga këto shkolla u bënë priftërij, mësues, etj. Në Devoll ai ngriti një azil, një jetimore dhe një mensë për të varfërit. Mbreti Boris ndërtoi gjithashtu në Glavinicë një katedrale. Gërmadhat e saj duken edhe sot në Ballsh ku deri disa kohë më parë ndodhej edhe një gur me një mbishkrim greqisht, në të cilin thuhej se në vitin 866 cari Boris me popullin e tij pranoi krishterimin. Klementi u bë i pari peshkop bullgar. Veprimtarinë e Klementit, që vdiq më 910, i vazhdoi shoku i tij, Naumi. Veç të tjerave ky ndërtoi manastirin pranë Pogradecit që qëndron edhe sot në këmbë dhe mban emrin e tij.

Pas vdekjes së Simeonit Mbretëria Bullgare u dobësua për arësye të grindjeve të gjata feudale. Pjesa e saj lindore u pushtua nga bizantinët, ndërsa pjesa perëndimore mundi të ruante pavarësinë. Pas disa dhjetra vjet dobësimi, në çerekun e fundit të shek. X, Mbretëria Bullgare, nën udhëheqjen e një feudali të fuqishëm me emrin Samuil, u rimëkëmb përsëri. Qëndra e saj u bë Prespa dhe me vonë Ohri. Në lufta të gjata me Perandorinë Bizantine, Samuili e zgjeroi sundimin e vet në lindje edhe në perëndim. Në vitin 989 ai pushtoi edhe qytetin e Durrësit dhe vuri dorë mbi pjesën veriore të themës së Durrësit, duke zhdukur kështu sundimin bizantin nga pjesa perëndimore e Gadishullit Ballkanik. Për të ndaluar përpjekjet e bizantinëve që donin të hapnin një front të ri në veri, Samuili i shtriu fushatat e veta luftarake deri në Dalmaci. Me këtë rast ai nënshtroi edhe sundimtarin e Krajës (në perëndim të liqenit të Shkodrës), princin Ivan Vladimir, i njohur nga shqiptarët me emrin Gjon Vladimiri.

Por fitoret e Samuilit nuk qenë të qëndrueshme. Duke mobilizuar giithë forcat e perandorisë, perandori Vasili i II korri kundër Mbretërisë Bullgare një varg fitoresh. Më 1005 ai shtiu në dorë me tradhëti përsëri Durrësin, më 1014 mori Manastirin dhe po këtë vit i shkaktoi Samuilit një disfatë vendimtare në Maqedoni. Vendin e Samuilit, që vdiq po atë vit, e zuri nipi i tij Ivan Vlladisllavi, i cili e vazhdoi luftën kundër Bizantit. Fitoret bizantine shkaktuan largimin e aleatëve të bullgarëve. Njëri nga këta, Ivan Vlladimiri, u bashkua me bizantinët, por u vra në afërsitë e Prespës nga njerëzit e mbretit bullgar, Ivan Vlladislavit. Trupi i tij në fillim u varros në Krajë por më vonë, në shek. XIV u bart prej princit shqiptar Karl Topisë në një manastir pranë Elbasanit që mban edhe sot emrin e tij (manastiri i Shën Gjonit). Në luftë kundër bizantinëve u vra përpara Durrësit më në fund, më 1017, edhe Ivan Vlladisllavi. Një pjesë e madhe e feudalëve të mëdhenj bullgare, duke parë fitoret e perandorit bizantin, e pushuan luftën dhe i u nënshtruan atij, duke ruajtur pozitat dhe privilegjet e tyre. Megjithatë lufta vazhdoi, edhe pasi ra më 1018 kryeqyteti i bullgarëve, Ohri. Disa udhëheqës bullgarë e vazhduan qëndresën në malsitë e Shqipërisë së jugut, rreth Tomorrit të Beratit, si edhe në Devoll ku u zhvilluan luftime të ashpëra. Vojvoda Ivaca u tërhoq në një kala të fortë në malësi me qëllim që të rifillonte veprimet luftarake. Por ushtritë bizantine, të udhëhequra gjithnjë nga vetë perandori Vasili i II, i cili shoqërohej nga patrici me mbiemër arbëresh David Arianiti, i vazhduan veprimet dhe e shtypën po atë vit (1018) rezistencën në Skrapar. Bashkë me të mori fund edhe Mbretëria Bullgare. Në Shqipëri u vendos përsëri sundimi bizantin.

Sundimi Bizantin

Shqiptarët e hershëm


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003