Te Tregimi "Kulla" mund
të merret si model-bazë tematike e pjesës
dërmuese në krijimtarinë letrare të
Anton Pashkut. Përveç temës së
dashurisë, që shtrihet në një
pjesë të vogël të veprës
së tij tërësore letrare, në këtë
tregim janë të mpleksura: motivi i lashtësisë,
i dramës shqiptare nëpër shekuj, i
qëndresës, i ekzistencës, i aktualitetit
dhe i vizionit të së nesërmes. Kjo
do të vërehet sidomos tek romani "Oh",
ku ky model tematik shtrihet thellë deri në
Iliri dhe njëkohësisht, në mbështetje
të asaj përvoje dhe të gjasave aktuale,
projektohet e ardhmja. Në këtë rrëfim,
përmes jetës së dy brezave, të
kapërthyer dhe të shtrirë në tërësinë
ekzistenciale kolektive të kombit, shprehet aktualiteti
i rëndë, ankthi i banorëve të
kullës.
Është përvoja e Plakës, pas vdekjes
të së cilës Djali projekton të
nesermen e vet duke e mbartur tutje përvojën
nga e kaluara. Biri, plot ankth, ndien se qëndresa
dhe ekzistenca e Kullës është në
rrezik dhe sajon mekanizmin mbrojtës pikërisht
në sajë të trashëgimisë simbolike
të saj. Përmes traditës, rrëfimtari
shpalon kulturën shpirtërore kolektive si
mburojë simbolike nga kanosja e shprishjes prej
dhunës së ushtruar në kohën kur
është shkruar tregimi. Dhuna e ushtruar
brutalisht përballë mekanizmit të traditës
kulturore kombëtare dhe tërësisë
shpirtërore kolektive, në art del e përkohshme,
kalimtare dhe pa gjasa triumfi. Kështu përmbyllet
tregimi antologjik "Kulla", me ngadhnjimin
e së nesërmes, me lidhjen jetike të
Birit pas trollit e kullës: rrëfimtari është
gjithmonë banor i kullës; brenda saj e kujton
të shkuarën nga e cila projekton dhe përcakton
perspektivën.
Edhe rrethi tematik i vetmisë, ai i tërheqjes
në vete nga çensura e shtypja, edhe rrethi
tematik i dhunës dhe i krimit, që zënë
vend qëndror në prozën tregimtare të
Anton Pashkut, janë rrjedhim i shtypjes dhe i
dhunës së ushtruar mbi qenien kolektive
shqiptare, historikisht dhe aktualisht. Ky version
regjional dhe kolektiv në prozën e Anton
Pashkut uníversalizohet si vlerë artistike
dhe si mesazh, si filozofi dhe si parim moral.