Ku kam me qenë i këputun
nga mundi i vjetve të rrëpita sa 'i shkamb,
mos të vijë keq ty, Taze, për mue
të shtrimë mbi drrasat e vdekjes,
kingj i gatuem për flije.
Leni plakat të qajnë mbi mue at ditë
për njerzit e vet, vdekë qysh kur.
Edhe një amanet, moj grue:
kur vdiq im atë, premë dy qe
me ngimun të unshmit e thneglat e lamit
me grimca buke.
Por unë do të vdes mes njerzve gjithmonë
të ngishëm,
prandej ndër drekët e mija qitni
vetëm kafe të idhta.
----------------------------------------------------
Analizë
Me këtë poezi ndoshta nis epoka e pjekurisë
artistike të Camajt drejt modernitetit, gjuhës
së kursyer dhe të shumëkuptimshme.
Si në shumë poezi të tjera edhe këtu
ndjehet ankthi i ndeshjes së dy kohëve dhe
hapësirave: Fëmijëria në malësitë
e Shqipërisë dhe së fundi vdekja në
malësitë e Gjermanisë së jugut.
Duket se autori drejton dy amanete njëherësh:
një në atdheun e largët (Tazes) dhe
një në vendbanimin e përkohshëm
(Gruas). Do të jenë dy ceremoni mortore
në të njëjtën kohë: një
në Dukagjin me plakat dhe elementet e tjera autoktone
dhe një tjetër në mërgim mes njerëzve
gjithmonë të ngishëm.
Poezinë e zotëron një ndjeshmëri
e madhe muzikore dhe ritmike dhe pse e shkruar me
vargje krejtësisht të lira e me struttura
tregimtare.
Ajo është një elegji moderne, ku elementet
autoktone dhe primi-tive tentojnë të universializohen
e të bëhen të kuptueshme për të
gjithë. Ky në përgjithësi është
dhe çelësi i gjithë poezisë
së Camajt.