Martin Camaj është poet
lirik me forma e përmbajtje moderne, me faza
të ndryshme të krijimtarisë poetike
dhe kjo nga shkaku, sepse ka kaluar nëpër
kultura të ndryshme. Gjatë qëndrimit
në Jugosllavi e Kosovë do të botojë
njëri pas tjetrit dy vëllimet e para me
poezi "Një fyell ndër male", Prishtinë
1953 dhe "Kanga e vërrinit" Prishtinë
1954. Në Itali vëllimin Legjenda, Romë
1964 dhe në Gjermani librat e fundit poetikë
"Lirika mes dy moteve", Mynih 1967, "Njeriu
më vete e me të tjerë", Mynih
1978, "Poezi 1953-1967", Mynih 1981.
Dy vëllimet e para të Camajt të botuara
në Prishtinë frymëzoheshin nga motivet
e vendlindjes dhe ishin në frymën e së
ashtuquajturës "Shkollë letrare e Shkodrës",
pjesë e së cilës u bë dhe ai.
Në përmbledhjet "Legjenda dhe lirika
mes dy moteve" Camaj dëshmon me të
gjitha mjetet stilistike e estetike të gjendurit
nën ndikimin e poezisë hermetike. Ky ndikim
lidhej me kohën studentore në Romë,
kur Camaj kishte profesor poetin e madh hermetik Xhuzepe
Ungareti.
I ndjeshëm tej mase ndaj motiveve të vendlindjes
e fëmijërisë ai në gjithë
poezinë e tij përpiqet të universalizojë
elementet thellësisht shqiptare, si peisazh,
mitologji, mentalitet e karakter. Pjesa më e
rëndësishme e poezive të Camajt i është
bërë e njohur edhe lexuesit të huaj
me anë të botimeve "Poesie", Palermo
1985; Selected poetry, Nju Jork 1990; Palimpset, Nju
Jork 1991; Gedichte, Mynih 1991.
Jo vetëm po të nisemi nga vendet e botimit,
por mbi të gjitha nga mënyrat e ligjërimit
poetik, stilit dhe frymës, mund të vihen
re qartazi tri faza të krijimtarisë poetike
veçanërisht e letrare përgjithësisht
të Martin Camajt:
Faza kosovare (ose klasike)
Faza italiane (ose paramoderne)
Faza gjermane (ose moderne)
Të tria këto faza kanë lënë
shenja të qarta në krijimtarinë e tij:
Në fazën e parë ndihet mbështetja
e fuqishme në mjetet shprehëse tradicionale
e folklorike. "Mali e vërrini" përbëjnë
botën rreth të cilës sillet e rreh
nervi poetik.
Në fazën e dytë kemi pasurimin e elementeve
shprehëse me struktura më të komplikuara
gjuhësore, duke mos iu larguar kurrësesi
tharmit të motiveve vendase.
Në fazën e tretë motivi vendas mitizohet,
"thahet" e shndërrohet në një
substancë me esencë të fortë.
Nga njëra tek tjetra arti i tij bëhet përherë
e më formal larg strukturave tredicionale e ideve
të ditës dhe synon të bëhet universal.