Cili është peizazhi dhe
konfiguracioni i hapësirës nga e cila e
thith lëndën e parë romanore Nazmi
Rrahmani? Në fillim të shekullit që
po e lëmë (rrëfimi lidhet diku me vitet
1910 -1913 dhe kryengritjet kosovare kundër perandorisë
osmane), fshati shqiptar i kësaj hapësire
kalon nga pushtimi osman, në atë sllav.
Jetesa e njerëzve frymon brenda këtij përcaktimi.
Refleksi parësor i kësaj jete është
ruajtja e qenies fizike dhe e vatrës kombëtare
dhe, synimi i fundit, arritja e lirisë së
plotë. Ky vizion i autorit përcillet nga
romani në roman, dhe, pasi lexohet në tërësi
vepra e tij, lexuesi sikur e ndien se është
fjala për një sagë romanesh, apo dhe
për një roman të vetëm me shumë
kapituj. Kështu, duke synuar portret-dokumentin
e fshatit shqiptar të Kosovës gjatë
gjysmës së parë të shekullit,
nga vepra në vepër autori e përplotëson
këtë portret dhe përmes personazheve
me tipare të ngjashme në shumë pika
(kështu, në fakt shkrimtari tërë
jetën ka shkruar një vepër të
vetme). Ka raste kur ndonjë personazh formohet
pjesërisht apo plotësisht në një
roman, që të vazhdojë trajtësimin
e vet në romanin që pason. Mjedisi brenda
këtij kuadri përshkruhet nga jashtë
dhe nga brenda. Rrëfehet jeta e njerëzve
në përgjithësi, marrëdhëniet
shoqërore, sjelljet, gjestet, veprimet dhe fokusohet
së brendshmi botëkuptimi, filosofia, karakteret
e personazheve të veçanta. Në tërësi,
korniza e përgjithshme është vendosur
nga perspektiva e të shtypurve, të varfërve,
ku frymojnë konvencionet tradizionale kanunore.
Më në fund, autori e thith lëndën
e romaneve të veta nga ky mjedis për arsye
se atë e njeh më mirë, e përjeton
dhe e jeton nga brenda, meqë është
pjesë e tij si dhe e transformimeve që përcjellin
drama të fuqishme individuale dhe kolektive.