Sintagma "realizëm dokumentar"
është përmendur dhe nga studiuesit
më të mirë të veprës letrare
së Nazmi Rrahmanit. Nuk është fjala
për romane historike, që e kanë thithur
lëndën e parë nga një ngjarje,
fakt apo personalitet real historik, as për rrëfim
që mbështetet mbi një dokument fiktiv,
siç janë fletoret e gjetura te romani
"Arka e Djallit" (Agolli), apo tek romani
"Ulku dhe Uilli" (Koreshi). Narracioni realist
dokumentar në romanet e Nazmi Rrahmanit, është
paraqitja reale e njerëzve dhe e ngjarjeve brenda
një kohe dhe një hapësire të caktuar.
Fjala është për prozë realiste,
ku njerëzit, bartësit e ngjarjeve, sjellin
tablo reale, të vërtetë, brenda së
cilës mund të identifikohet fati social
dhe kombëtar i fshatit shqiptar të një
kohe. Kjo teknikë rrëfimi ka disa tipare
dalluese karakteristike, të njohura nga përvoja
romanore. Në radhë të parë, bëhet
fjalë për një rrëfim letrar me
tezë, që do të thotë se paraqitja
e realitetit bëhet në përputhje të
plotë me vizionin dhe me perspektivën e
pozicionuar qartë të vetë shkrimtarit.
Ky pozicionim ndërlidhet me emancipimin e individit
dhe të kolektivitetit, me vetëdijësimin
e tij për fatin, mundësitë pozitën
e atij individi dhe kolektivi, që si synim të
fundit ka lirinë e plotë kombëtare.
Ky objektiv i synuar pastaj do të sjellë
çlirimin nga skamja, nga mosbesimi në
vetvete, nga gjakmarrja, nga shpërngulja me dhunë
e banorëve të rajonit në fjalë.
Këtë ide dhe këtë vizion Nazmi
Rrahmani e shpreh me gjuhë të qartë
dhe të kuptueshme, gati për të gjitha
shtresat e lexuesve. Nga krejt kjo mund të thuhet
se ky lloj shkrimi e pranon rolin njohës të
artit letrar, ashtu siç beson dhe në ndikimin
e tij në rrjedhat e ngjarjeve në kohë
dhe në hapësirë, duke ndikuar paraprakisht
në formimin e vetëdijes e të filozofisë
jetësore të individëve.
Por mbi të gjitha, pozicionimi dhe perspektiva
e autorit del në pah dhe shquhet në kuadër
të kontekstit të konflikteve dramatike në
roman. Konflikti që shkallë-shkallë
arrin pikën kulmore, dhe në zgjidhjen e
vet merr rrjedhat që parapëlqehen nga autori
i angazhuar.
Kështu, në romanin "Malësorja",
konflikti përfundon me triumfin moral të
Hajries, që është identik me pozicionin
e narratorit, përkatësisht të autorit.
Kështu ndodh dhe në konfliktin mes së
resë dhe së vjetrës, ide që e
përshkojnë si lajtmotiv tërë veprën
letrare të Nazmi Rrahmanit, dhe ku, drejtpërsëdrejti
apo tërthorazi, fiton e reja. Nga konfliktet
në rrafshe të ndryshme, që ngjizen
dhe prodhohen nga përplasja mes personazheve
pozitive dhe atyre nega-tive, synohet transformimi
kolektiv, por me synim të qartë që
të mos shprishen vlerat e traditës pozitive
shpirtërore dhe kulturore, e sidomos vlerat që
lidhen me familjen, si bërthamë themelore
e qenies kolektive kombëtare. Mund të thuhet
po ashtu se bindjen lidhur me rolin e letërsisë
në formimin e njeriut dhe të universit njerëzor
mund ta nxjerrim në përputhje të plotë
me pikëpamjen e këtij autori për krijuesin
e angazhuar.