Sa shumë e ndryshuan Hajrinë
ato tetëmbëdhjetë vjet të martesës
së dytë, habitej edhe ajo vetë. Nëpër
fytyrën dikur të njomë e të bukur,
të shëndoshë e të plotë,
si lulja në mëngjesin e pranverës plot
rreze të këndshme dielli, ishin kryqëzuar
tash do rrudha që ia kishin bërë koha
dhe vuajtjet, thua se në atë mënyrë
i kishte shënuar çdo vuajtje kujtimet
e veta me nga një rrudhë në fytyrën
e saj. Të gjitha ato kishin marrë tash pamjen
e një rrjete marimange në ndonjë qoshe
të çardakut. Edhe trupi i saj, dikur i
hollë e i gjatë si selvia në mes të
malit, ishte kërrusur pak, tash dukej më
e vogël. Sytë i ishin zgjeruar e flokët,
dikur aqë të zez e të gjata, sa të
gjitha shoqet ia lakmonin, ishin thinjur e rralluar.
Megjithatë, Hajria, mu tash, në këto
vite pleqërie, e ndjente veten më krenare
se kurr ndonjëherë më parë. Sa
herë e mendonte jetën e vet, i dukej se
ka lindur mu atë ditë, që u krijua
bota dhe se është më e vjetër
se të gjithë njerëzit në të.
Se kishte parë e përjetuar gjithçka
që ndodhi deri tash në botë. E ka përcjellë
çdo ngjarje të asaj ane dhe i dukej se
vetë kishte marrë pjesë në to,
pasi të gjithë ngjarjet e kaluara i mbante
mend fare mirë.
Sabiti tashmë ishte rritur. Raba kishte vdekur
para tri vjetësh. Të gjithë kujtimet
e Hajrisë për të kaluarën e vështirë
tashmë i mbuloi bukur shumë pluhuri i harresës,
sidomos tash kur e shihte të birin burrë,
të zotin e çdo pune; tash kur e shihte
dhe veten dikund lart, lart mbi të gjithë,
thuajse prej andej dëshironte t'u thonte të
gjithëvet me plot mburrje:
"Qe, unë nuk kam qenë fajtore kurr!..."
e ndjente në vete se si i shtohej ajo krenari
pse arriti t'u bëjë ballë të gjitha
atyre ngjarjeve të mundimshme dhe t'i harrojë
deri dikund.
E vetmja brengë, të cilën nuk mund
ta shlyente kurrsesi qe Aliu. Ai i dhembej e dashuria
për të nuk i zvogëlohej fare, edhe
pse i urrente nganjëherë ata njerëz.
Dashuria prindërore e shtynte të harrojë
tërë të kaluarën dhe ta ledhatojë
të birin herë pas here, por vetëm me
ato kujtime e dëshira, të cilat e ndjente
në vete se si i rridhnin dita ditës më
tepër.
Plot nëntëmbëdhjetë vjet nga ndarja
mbusheshin atëherë e asaj i kujtohej vetëm
fytyra e tij, ajo fytyrë të cilën e
la para aq vjetësh në mesin e atyre maleve
të thepisura të Gollakut të largët,
të cilën nuk e pa kurr më.
"Mos ka vdekë? Kur nuk e ka dëgjue
ma as një fjalë për te!" u frigua
shpeshherë dhe thellë në vete ndjeu
atë dhembje e pikëllim që ia djeg zemrën
nënës, të cilën e mundonte dashuria
për të birin e humbur.
Tash edhe po ta shihte të birin, me siguri nuk
do ta njihte më e ëma nuk do ta njihte të
birin! Nëna të mos e njohë të
birin! I vinte keq edhe asaj dhe çuditej, por
s'kishte çka të bënte, pasi e tillë
qe jeta ndaj saj. Të mos e njohë djalin,
për të cilin mendoi gjithmonë, në
ditët më të vështira dhe më
të lumtura të jetës së vet, të
mos e njohë nëna fëmijën, gjirin
e së cilës e kishte thithur, atë që
e kishte shpëtuar nga vdekja, sepse sikur Hajrija
të mos mendonte për të, të mund
të mendonte jetën e të birit pa të
sajën, atëherë i dukej se jeta e vet
ishte e kotë dhe nuk kishte pse të jetojë,
prandaj qysh atëherë do të vdiste.
Të gjitha këto tash i dukeshin shumë
të çuditshme. Sa net i kaloi pa gjumë
dhe duke menduar për të!
Sa herë ëndërroi e në mëngjes
u zemërua në vete pse pranoi të ndahet:
pse nuk u kap për derën e shtëpisë
sa të mos mundesh askush ta ndajë prej saj.
Sa lotë derdhi gjatë atyre nëntëmbëdhjetë
vjetëve malli përvëlues, i cili qe
shumë më i nxehtë se dielli i korrikut.
Sa e sa herë e kujtoj atë moment të
ndarjes, kur e la të birin për herë
të fundit me duar të zgjatura kah ajo dhe
vetëm kur e mendonte këtë pamje i kujtohej
më së miri fytyra e tij. Iu duk se i biri
donte ta luste të mos ndaheshin, por ajo ia ktheu
shpinën, kurse kali vazhdonte të ecë
rrugës përpjetë, t'i ndajë e t'i
largojë ëmë e bir prej njëri -
tjetrit, edhe pse këtë nuk e dëshironin
asnjëri.
Aqë më tepër e lodhnin edhe mendimet
se i biri nuk dinte asgjë për të, për
vuajtjet e së ëmës dhe për dashurinë
e harruar. Mendonte se i biri do ta përfytyrojë
tash vetëm si një grua zemërkeqe, të
shëmtuar dhe shtrigë, e pa fije dashurie
për të birin, të cilën e urrente
pse e kishte lënë atë pa nënë
për t'u martuar me tjetërkend.
Atij kurr nuk do t'ia tregojë kush romanin e
jetës së saj. Atë roman të pashkruar
të malësores, i cili me siguri një
ditë do të harrohet, ashtu sikur janë
harruar edhe mija e mija të tjerë në
këto male të Llapit e të Gollakut,
atë roman që e shkruan njerëzit me
pashpirtësinë e tyre ndaj njeriut. Romanin
për vuajtjet e njeriut nga njeriu. Romanin që
zë fill dikund në Gollak, me një vajzë
të bukur që ende nuk e kishte shijuar jetën
që vazhdon për një grua të pafat
dhe që përfundon me ...
Mendimet e tilla e lodhnin Hajrinë tash më
tepër se gjithçka.
Friga se mos e kishte humbur dashurinë e të
birit nuk e lente të qetë, sa herë
që i kujtohej jeta e tashme e lumtur. Dëshironte
vetëm të dijë se a e urrente ai apo
jo dhe se a dëshironte të shohë ndonjëherë
të ëmën. Çfarë lehtësimi
do të ndjente ajo vetëm sikur ta dinte se
i biri e donte, nuk e kishte harruar kurrë dhe
se mendonte gjithnjë për të. Por, në
atë rnoment në kokë i fluturonte përherë
një mendim i ftohtë: "Me më pas
dashtë kishte ardhë ndonjiherë. Ai
tash asht burrë, kishte mujtë me ardhë!"
i thonte vetes dhe pikëllohej përsëri.
E sa e sa mendime nuk e lenin të qetë shpeshherë
edhe pas kaqë vjetësh; aq shumë pikëllohej
nganjëherë sa dilte e shikonte përmallshëm
qiellin e përhimtë, andej në drejtim
të katundit, ku e la të birin, thua se përpiqej
ta shihte atë copë qielli që e mbulonte
atë.
-------------------------------------------
Hajria është personazhi kryesor i romanit;
ajo është personifikimi i vuajtjes së
femrës së nënshtruar dhe të shtypur
shqiptare në Kosovë e më gjerë.
Vuajtjet e saj janë të shumta , por më
të madhen autori ka spikatur dhimbjen e nënës
për djalin që ia kanë marrë me
forcë dhe tani ai është i rritur. Rrëfimin
e historisë së vet para djalit Hajria e
quan roman, një roman të pashkruar, kjo
për dy arsye: asnjëherë fëmija
nuk mund të njohë aq shumë thellë
historinë e prindit të vet, aq më tepër
në këtë rast kur biri i Hajries është
rritur larg prehërit të nënës
së vet. Kjo e bën dhe më tragjike dramën
që fsheh Hajria përbrenda. Drama e Hajries
merr përmasa të mëdha shoqërore.
Me dhimbjen e vet ajo përpiqet të kundërshtojë
botën e egër të mentalitetit e të
dhunës mashkullore. Po deri në këtë
fragment protesta e saj është e heshtur.
Asaj s'i mbetet gjë tjetër veçse
të shikojë qiellin e përhimtë.
Si stil shkrimi në këtë fragment e
në tërë romanin të bie në
sy ndërthurja e monologut të personazhit
kryesor me gjuhën e drejtpërdrejt të
shkrimtarit.
-----------------------------------------------------------------------------