Në një fshat të Gollakut
(mes Prishtinës dhe Podujevës), para Luftës
së Dytë Botërore rritet duke u zbukuruar
baresha Hajrije, bijë e Hasanit dhe e Salës.
Kur mbush të gjashtëmbëdhjetat përjeton
një tentim përdhunimi nga dy të rinj,
ngjarje që përcakton fatin e saj të
hidhur. I jati vdes nga dëshpërimi dhe i
ungji e marton me një të gjymtë, me
të cilin bën një djalë. Më
pas i vdes dhe burri. I ungji e kthen në gjini
dhe e marton me një pasanik në moshë,
si grua të tretë, për të siguruar
trashëgimtarin që nuk e kishte me gratë
e para; dhe me të ajo lind edhe një djalë.
Vëllai i burrit të parë të Hajrijes
meqë ka dashur të mbajë të venë
e vëllait për një nip, tani hyn në
hasmëri me burrin e dytë të Hajrijes,
dhe e vret. Mbetet kështu të marrin gjak
mes njëri-tjetrit të dy djemtë e rritur
të Hajrijes, pra vëllezërit nga nëna...
Hajrija që ka duruar dhe heshtur gjatë tërë
jetës e që shpreh pozitën e gruas në
atë mjedis, kur ballafaqohet me këtë
realitet tragjik, ndërhyn, e ngre zërin
dhe arrin ta bindë djalin e dytë që
të heqë dorë nga vendimi për vrasjen
e vëllait, që është në fund
të fundit triumfi moral i Hajrijes.
Romani "Malësorja" është
rrëfim i degëzuar mbi jetën e personazhit
kryesor, Hairijes, por dhe rrëfim mbi një
numër bartësish të tjerë të
ngjarjeve që së bashku sajojnë tablonë
reale dhe realiste të një mjedisi kosovar
mes dy luftërave botërore. Kryepersonazhi,
Hajrija, në këtë vepër nuk është
i tipit të formuar, të gatshëm, por
formohet gjatë rrëfimit, i cili rrjedh sipas
teknikës kronologjike, të ndërprerë
dhe të ndërpleksur herë-herë.
Formimi i Hajrijes ndiqet sipas linjës së
brendshme të shpalimit, nga motivet, pretendimet,
vizioni i saj i brendshëm, kryesisht i ndrydhur,
i heshtur, dhe jo nga veprimet e saj. Nga përjetimi
i një drame tek tjetra, ajo gradualisht vetëdijësohet
për pozitën e vet të nënshtruar,
për mundësitë e veta të kufizuara,
por tërë atë ngarkesë e bart në
heshtje dhe dhimbje të plotë. Autori nganjëherë
e bën të zëshëm vajin e saj të
brendshëm vetëm përmes monologieve
të saj, dhe më rrallë përmes ndonjë
dialogu, ndërhyrjeje apo sqarimi të çastit.
Pikërisht përmes kësaj pjese të
tekstit narrativ, autori arrin ta shpalosë botën
e brendshme të Hajrijes nëpërmjet rrëfimit
psikologjik.
Ngjarja në këtë roman rrëfehet
në vetën e tretë dhe nga pozicioni
i narratorit të gjithëditur, që nënkupton
distancën e autorit, përkatësisht mundësinë
e pozicionimit objektiv rrëfyes. Tërë
bota e rrëfyer shikohet me sytë e Hajrijes:
nga ky kënd sajohen mekanizmat e vlerave dhe
vlerësimet, nga kjo perspektivë sajohen
parimet mo-rale, kanunore. Anësimi në favor
të kryepersonazhit, bëhet i dukshëm
sidomos në momente kur narratori nuk përmbahet
dot nga ndërhyriet e motive të llojit: "e
mjera (Hajrija), e ngrata, ..." etj. Vizionin
e vet për vlerat jetësore, Hajrija arrin
ta shpalosë botërisht pothuajse në
mbyllje të rrugës së vet jetësore.
Kur e ndien se fundi i saj do të jetë shumëfish
më tragjik nga ç'ka qenë Golgota
e përjetuar, ajo vendos të veprojë
dhe të ketë rezultat.Triumfi i saj moral,
në të njëjtën kohë është
dhe paralajmërim për një cilësi
të re jete, sidomos në rrafsh të pozitës
së gruas, por dhe një trajtim i gjakmarrjes
kanunore. Këmbëngulja e saj vjen dhe si
një sprovë, si një sfidë që
i bëhet qëndrueshmërisë së
kësaj plage. Dhe vetëm pas disa dekadave
nga data e botimit të romanit (1965), në
fillim të viteve nëntëdhjetë,
në mbarë Kosovën do të shtrihet
dora e pajtimit. Vetëdija se gjakmarrja mes shqiptarëve
është pasojë e jetës në robëri,
u formua pikërisht në valën e terrorit
sllav mbi shqiptarët e Kosovës. Mund të
thuhet se romani mbi fatin e Hajrijes, degëzohet
në një mori rrjedhash jetësore që
derdhen të gjitha drejt rritjes së personalitetit
të saj dhe drejt sfidës ndaj konvencioneve
tradizionale me pasoja tragjike.