Nëna ime ka sy të çuditshëm.
Sytë e saj, sa herë i vështroj me kujdes,
më duken më të çuditshëm
se gjithshka në jetën e saj. Ata herë
ndezin zjarrin në mua e herë e shuajnë
atë zjarr dhe më ngrijnë. Vërtet,
vjetëve të fundit, sa herë e vërej,
bindem se nëna ime ka ndryshuar shumë. E
ndryshimi i saj më frigon. E kujtoj si ka qenë.
Ndalem mandej dhe shikoj shpeshherë me kureshtje
dhe kështu do kujtime gjithfarë më
sillen nëpër kokë. Nuk ka qenë
nëna ime kështu si është tash,
i them vetes dhe ndiej diçka të më
rëndojë.
Në këtë rrugën tonë ka ndryshuar
gjithçka e ka ndërruar kaq shumë
edhe nëna ime. E mendoj të kaluarën
tonë. Ndryshimet e nënës time më
lidhen gjithnjë me të kaluarën tonë.
Ato ma kujtojnë menjëherë edhe këtë
rrugë. Shoh: fytyra tash i është zbehur,
sa i është zvogëluar dhe tretur sikur
ashtu me pamjen që kishte marrë të
donte të tregonte se nuk mund të qëndronte
më, ose të rrëfente për të
gjithë ato vjet të saj të kaluara,
me të gjitha ato që e kishin rrëzuar
në të dy gjunjtë si thoshte ajo shpeshherë.
Megjithatë, sa herë e vërej, shoh se
sytë i kanë mbetur po ata që i ka pasur
gjithmonë: të gjallë, në shikimin
e tyre më është dukur gjithmonë
se kishte aq shumë dëshira për jetën
sa ato më dukej se shkëlqenin dhe dilnin
prej tyre. Më dukej se ajo edhe mbas tërë
asaj shtërngate nuk i ishte fikur, sepse më
dukej se kishte plot besim, së pari në vete,
e mandej edhe në ne të tjerët. Kështu
i kisha thënë vetes gjithmonë sa herë
kisha menduar për këtë dhe mandej pohoja
se nëna ime ka qenë e këtillë
gjithnjë. Këto që i mendoja për
nënën në do çaste dëshpërimi,
më forconin. Vetëm sa herë i vëreja
kështu sytë e nënës sime, kur
i zija ashtu të qetë e si të humbur
në shikimet që vraponin mbas do kujtimesh,
me siguri mjaft të rënda për nënën
time, unë hetoja, në pamjen e saj, diçka
aq të çuditshme, të fuqishme por
si përvëluese, si zjarri, sa më shtynte
që një kohë të gjatë të
mendoja vetëm për këtë; ia kujtoja
jetën e saj qysh se mbaj mend. Thosha se mu jeta
e saj ia kishte bërë edhe sytë kështu,
të çuditshëm, edhe pamjen ia kishte
dhënë mu këtë që e kishte
tash.
Nëna ime nuk ka qenë kështu, por mbas
tërë atij ndryshimi sikur të gjithë
i erdhën dhe e rënduan, e pleqërinë
ia bënë kaq të rëndë.
"E shkreta pleqni, e zorshme më ka ardhë!"
thoshte.
Po ia shikoja sytë: ishin po ata, të pandryshuar.
Ngazëllehesha.
Thosha se nëna ime kishte qenë gjithmonë
aq e lidhur me jetën sa edhe vetë ishte
bërë mu kështu prej saj. Kujtoja mandej
jetën tonë dhe nënën time. Të
dyja ishin një. Nuk mund t'i ndaja. As t'i mendoja
njërën pa tjetrën.
Po kur nëna ndalej dhe më vështronte
mua, më dukej sikur po më fliste gjithnjë,
sikur më thoshte diçka, sikur e kërkonte
nga unë mu atë që mandej e qetësonte
nënën time sa e gjente, sikur në shikimin
që ma hedhte gjente mandej qetësinë
e vet dhe prehej e kënaqur. Shikimi i nënës
sime më fliste gjithnjë. Po unë edhe
atëherë, mbas atij shikimi që më
fliste, nisja dhe e kujtoja nënën time,
edhe babain dhe ia shihja asaj gëzimin në
sy, i shihja edhe vëllain, edhe motrën,
edhe gëzimet e nënës... Edhe harenë
e nënës sime... Po mandej hetoja se një
rrebesh lëshohej mbi ne dhe na dërmonte.
E shihja prapë nënën time edhe babain
edhe vëllain, edhe motrën, edhe gjyshen
djalin, gruan...
Unë e vëreja pamjen e saj tash dhe e kujtoja
atë dikur, edhe ajo kohëve të fundit,
më shqetësonte aq shumë, më sillte
përnjëherë në mendje kujtime që
më vinin aq të rënda dhe më dërmonin.
Jetën e mendoja prapë dhe ato më lidheshin:
jeta jonë dhe nëna ime...
E mbaja mend nënën time në ato çaste
të ndryshme gëzimi, edhe pse aq të
pakta më dukej tash se kanë qenë, e
tash më duket se edhe ato e mundojnë nënën
time. Kjo më shkaktonte tash pikëllim edhe
mua më lente të zhgënjyer e të
humbur sa më tepër që po e kujtoja.
Lajme të zeza nga Përroi i Keq:
Prej oxhaqeve të Ramës, të Hysenit,
të Selimit e të Idrizit, s'ka mbetur kush.
Të gjithë, i madh e i vogël, u dogjën
në zjarr.
Shtëpitë u janë djegur në themele.
S'ka mbetur kush as për farë bile. U humbi
fara në flakë e zjarrtë përgjithmonë
e jetën.
" Rand qenka me i humbë njeriut fara në
flakë!"
Po, qëndroni o burra, mos i leni shtëpitë
tuaja shkret se të shkoni nga të shkoni
s'do të gjeni më mirë. Më mirë
të vdesim në trojet tona, sepse vdesim për
to!
Mundohet dhe qëndron kështu Përroni
i Keq!
Nëna psherëtiu thellë. Nuk e di nëse
i erdhi më keq për ata apo për ne...
Vrasjen ia kam pasë menduar shumë herë
babait tim dhe gjithnjë e kam ndier trishtimin
në vete. Ajo gjithnjë më tmerronte.
Sa krismë pushke kam dëgjuar në katund
gjithnjë ia kam menduar vrasjen babait tim. Sa
e sa herë më ka ndodhur të kem qenë
në harenë më të madhe kur më
është kujtuar vrasja e babait tim dhe të
më jenë këputur të dy këmbët
në gjunj! Por se do të mundet kështu
babai im nuk e kam menduar asnjëherë. Prandai
e tërë kjo më dukej e pabesueshme.
I kujtoja mandej bisedat e burrave në odë.
Rrugë që s'e kishin menduar kurrë ishte
kjo!
Po nëna ime i ikte gjithnjë bisedës
për zënien e babait tim. Ajo sikur nuk dëshironte
kurrë të fliste për këtë.
Gjithnjë fliste me aq ngazëllim për
kthimin e tij:
"S'ash ai që zinet lehtë!" dhe
unë ia shikoja gjithnjë nënës
sytë. Në ta shihja gjithnjë atë
gjënë që mua më dukej aq e çuditshme,
që përherë më habiste aq shumë
nga i buronte! Dhe, ai burim më dukej gjithnjë
i pashterrshëm. Për të gjitha e pyetja
mandej veten dhe sikur nuk mund ta kuptoja nënën
time. Herë e shihja atë të pikëlluar
dhe të rënduar, por menjëherë
ajo ndërronte, nga sytë i shkrepte diçka
dhe përnjëherë sikur ndryshonte krejtësisht,
sikur tash kishte harruar atë që vetëm
pak më parë e kishte rrëzuar në
të dy gjunjtë.
Kur i kujtoj të gjitha këto përnjëherë
vij në vete, shikoj rreth e rrotull. Ndiej vetminë
të më ketë ndrydhur. Zhgënjimi
më lë pa fuqi. Kujtimet më hapin plagë,
m'i lëndojnë në vjetrat dhe m'i hapin
të rejat... Ndiej dhembjen e plagëve tona
që është e tmerrshme. Shikoj rreth
e rrotull. Them:
" Në Përrue të Keq njerëzit
gjithmonë e kanë dashtë vetëm
jetën. Pak kanë mendue ata për vdekjen..."
Isha i bindur për këtë dhe më
dukej se ashtu jetohej atje, edhe pse për të
jetuar ishte aq vështirë, por se e dashur
na dukej tash ajo ne që vetëm mund ta kujtonim.
Ata ditë që e lamë Përronin e
Keq, kur ne nuk na mbanin këmbët të
bënim hapat e rëndë në këtë
rrugën tonë, nëna u kthye disa herë
mbrapa dhe e vështronte katundin. Shikimin e
kishte pikëllues, të rëndë. Kjo
më dërmoi edhe më tepër. Kurrë
nuk munda ta harroj pamjen e saj, ashtu duke e vërejtur
katundin për herë të fundit nëpër
lotë.
"Kështu vdes njeriu për së gjalli!",
i pëshpëritën buzët.
Vështrimi i saj në ato çaste ishte
i humbur, ashtu si ishte edhe pamja e saj atë
ditë. Kushedi çdo të ketë menduar
ajo atëherë, kur këmbët edhe pse
ashtu rëndë po e largonin nga katundi edhe
pse sytë nuk po mund t'ia ndante: jetën
ose vdekjen tonë! Për këtë e kam
pyetur veten shumë herë në ato çaste
kur kujtimet më vështronin dhe më dërrmonin
ashtu e më linin të zhgënjyer. Dhe,
kam thënë se ato i ka menduar nëna
ime dhe mezi kishte gjetur fuqi të ndërronte
këmbët. Ndoshta që të dyja i kanë
ardhur asaj përnjëherë në mendje
në ato çaste dhe nuk do të ketë
ditur për cilën mendonte, sepse ato i ishin
ngatërruar aq shumë në mendje sa vështirë
ishte atë ditë t'i ndaje. Dhe vetëm
në këto çaste kur nuk e di ç'është
vdekje e ç'është jetë, njeriu
mbetet ashtu. jeta dhe vdekja sikur iu kishin ngarkuar
në shtëpinë asaj dhe po e ndrydhnin.
Ia pata vërenjtur edhe lotët që i patën
rriedhur mbas çdo hapi të rëndë
të këmbëve të këputura. Ia
kam mbajtur në mend përgjithmonë ata
lotë që i pikuan në tokë. Nëna
ime rallë qante!...
" Nëpër këtë rrugë kam
pasë ardhë nuse!" e theu dikur heshtjen
tonë si të donte t'u jepte fund mendimeve
tona që na rëndonin dhe na këputnin
mbas secilit hap si këmbët si shpresat.
Po zërin edhe atëherë nëna ime
e kishte trishtues, edhe pse po fliste për dasmë.
Babai e shikoi si me habi.
"S'ma ka marrë mendja kurr se për herë
të fundit e gjallë do të largohem nëpër
të, për mos me u kthye kurr ma... Randë
qenka me vdekë kështu! Ta marrim rrugën
e humbjes e të dështimit..." foli idhtas.
Ndjeu një dobësim që i a futi të
dy këmbët në dhe.
Gjyshja ia lëshoi një shikim të rreptë
e qortues.
"Na qoftë rrugë e mbarë, nuse!"
tha po sikur të mos bindej as vetë për
atë që e tha, ndërroi bisedën."
Qofshin burrat e... " po s'mundi të përfundojë.
"O, zot, kurr ditën e vet mos e pafshin,
që nuk na lanë të jetojmë në
shtëpinë tonë, po na i dhanë këto
udhë të gjata, që doni kështu
të na qitni fare. Dashtë zoti e kurr mos
u shtofshi, e mos ngulshi themele në tokën
tonë!" fliste nëna dhe sytë i
shkëlqenin. Kurrë nuk e kam parë që
sytë t'i shkëlqejnë kështu, kurse
fytyra t'i kishte marrë atë pamje që
sikur digjej flakë. "Doni të na faroni
kështu, vetë u farofshi, o zot. Shpëtim
gjetshim, ne të pafajshmit, edhe në këtë
rrugë. E, nji ditë, u kthefshim prapë
në këto troje se larg tyne nuk kemi me e
pasë jetën tonë të gjatë..."
Fliste ajo.
Gjyshen e mbështolli mallëngjimi, kurse
babai kishte rënë në një heshtje
më të rëndë se guri dhe nuk fliste
gjë.
Fytyra e nënës sime merrte çehren
e njeriut që po humbte gjithçka, që
ashtu po e shihte atë humbje të vetën
dhe atëherë mezi po qëndronte. Thuajse
nuk i kishte mbetur më fije shprese se po i iknim
kështu vdekjes se ne po bënim rrugën
e shpëtimit... Mezi, duke u dridhur dhe pa trohë
fuqie po i bënte hapat e ngathët të
atyre këmbëve të dërmuara, që
megjithëse ashtu të futura në dhe po
e largonin andej edhe pse i dukej që po i shkëputej
dhe aty po i mbetej një copë e vetvetes.
Mandej, disa çaste, iu kujtua, mu në
mes të atij rrëmeti dasma e vet, ajo ditë
kur ishte bërë nuse dhe po nisej për
në shtëpinë e burrit. Atë ditë
kur po bëhej gati të shkonte nuse iu kishin
tekur do mendime dhe iu kishin kujtuar shumë
e shumë gjëra për jetën e ardhshme.
Iu kishte dukur se do të ishte e vështirë.
Megjithatë këtë kurrë nuk kishte
mundur as ta mendojë bile. Këtë ditë
të largimit të këtillë, të
kësaj vdekjeje të çuditshme kurrë
nuk kishte mundur as ta sillte ndërmend, as t'i
frigohej se do ta gjente edhe kjo, as atëherë
kur kishte menduar se vështirë do ta kishin
të jetonin.
Sot, mu atëherë kur e kishte mundur lodhja
kështu, u habit vetëm pak sa iu kujtuan
të gjitha këto çaste kur po e bënte
këtë rrugë, hypur në kalë.
Atëherë kishte menduar vetëm të
ardhshmen, për lindje, për rriten, po këtë
s'e kishte menduár kurrë. Tash derisa
po ecte e dërmuar po mendonte kështu vdekjen
dhe mezi po i tërhiqte këmbët zvarrë,
sepse lodhja që e ndiente në trup ia kishte
futur këmbët në dhe. Mendimet e kishin
mbështjellë të tërën dhe
nuk mund të lëkundej nga vendi pa to. Po
mendonte kështu dhe mbas çdo hapi që
e bënte ajo, aq rëndë, i dukej sikur
po i afrohej greminës, sikur aty po i priste
vdekja dhe në çdo bërryl të
rrugës do t'i rrëmbënte të gjithë.
Kujtoi pamjet e njerëzve që i përcollën,
ua pa lotët, ua dëgjoi fjalët. Të
gjitha e rënduan.
Mandej, përnjëherë si t'i harronte
të gjitha ato mendime aq dërrmuese, e theku
hapin, ngriti kokën, shikimin e hedhi larg përpara.
Po shikimin e syve e kishte tash edhe më të
çuditshëm!
"O zot, na kthe kësaj rruge prapë!"
tha me zë, e babai ndali hapin hovshëm dhe
e shikoi në fytyrë si të donte ta pyeste
diçka. Megjithatë nuk i bëri zë,
por një buzëqeshje e lehtë dhe pikëlluese
në ato çaste iu përvodh në buzët
e shkrumuara, si të donte t'i thoshte se kot
e kishte, se nuk kishte më lutje që do t'i
ndihmonin në këtë rrugë të
tyre që kishin marrë tash.
Po babait edhe atëherë kur i shkoi buza
vetëm pak në gaz, i vërehej në
fytyrë ai pezmi që e ndiente në vete
pse kishte vendosur të merrte këtë
rrugë. Fytyra i mori pamjen si të donte
të thoshte se gjithçka kishte marrë
fund dhe se të gjithë së bashku kishin
nisur ashtu asaj rruge, fundin e së cilës
nuk e dinte kush...
----------------------------------------------
Në fragmentin e zgjedhur, narratori personazh,
sjell ndërmend çastet e shpërnguljes
së familjes së tij nga vatra e shtëpisë
për të marrë rrugën drejt Turqisë,
si shumë familje të tjera kosovare. Dhimbjen
nga çrrënjosja me dhunë, ai e përshkruan
përmes pikëllimit të madh që manifestohet
në shpirtin e prindërve, të nënës
dhe të babait.
Marrëdhënia e tij me nënën dhe
babain vendoset në plane të ndryshme. Me
nënën atë e lidh ndjenja e natyrshme
e fëmiiës, pasi nëna është
njeriu i parë të cilin vë re ai. Mbase
jo vetëdijshëm, po në çdo moment
të jetës së tij, biri regjistron fytyrën
e saj, veçanërisht sytë; ata flasin
më tepër se çdo tipar, ata kanë
fatin të ndryshojnë më pak në
jetën e njeriut. Në sytë e nënës
biri mund të lexojë të shkuarën
, të tashmen dhe të ardhmen. Në sytë
e nënës është vetë historia
dhe ndjeshmëria njerëzore. Ndaj kjo marrëdhënie
bëhet shumë e prekshme për lexuesin.
Ngjarjet narratori tashmë mund t'i kujtojë,
t'i analizojë e t'i gjykojë nëpërmjet
këtyre syve.
Ndërsa me babain ndryshon puna. Kjo është
një lidhje jo më baba fëmijë,
por burri me burrin. Djali është i pranishëm
në të gjitha ngjarjet që lidhen me
babain, qoftë ato të përditshmet (bisedat
në odat e burrave) dhe ato më të rëndësishmet
(si lufta).
Nga ana tjetër djali është po aq i
vëmendshëm dhe në marëdhëniet
që kanë prindërit me njëri-tjetrin.
Veçanërisht ai vë re sytë e
nënës që mundohen ta fshehin merakun
dhe ajo si pa të keq, sa herë kthehet babai
nga lufta, thotë: S'asht ai që zinet lehtë!
Në këtë fragment po kaq i dhimbshëm
dhe i ndjeshëm jepet dhe fati i mërgimit.
Shprehje të tilla si:
Nëpër këtë rrugë kam pas
ardhë nuse,
Rrugë që se kishim menduar kurrë është
kjo;
Kështu vdes njeriu për së gjalli,
O zot na kthe kësaj rruge!
janë të denja për vargje të fuqishme
të lirikës patriotike.
-------------------------------------------