Dashurinë për vashën,
poezia e Azem Shkrelit e ka emocion, dhembje të
brendshme, të pazëshme.
Fjala është për një cikël
jovëllimor poezish, të zëna dhe të
lindura, mbase nga një dashuri e pafat e poetit,
që përjeton dramë dhimbjesh të
thella. Vasha para një udhëkryqi dramatik
zgjedh largimin përfundimtar. Vargjet e lindura
nga ky detaj jetësor, ngarkohen kryesisht vetëm
me një refleks emocional: dhimbjen e poetit pas
ndarjes. Edhe për përmasat e emocionit,
për figurën, portretin e vashës, poeti
gjen ndonjë detaj të rrallë që
s'është qëllim në vete, por në
funksion të tendosjes dramatike të folësit
lirik. Dhembjen e kësaj plage autori parapëlqen
ta mbajë të heshtur, vetëm për
vetveten dhe, kur ajo kërcënon të dalë
jashtë kontrollit, e ndrydh brenda, si një
therrje, plagë fizike. Në këto poezi
ndjehet gjendja shpirtërore e poetit, supozohen
rrethanat, mjedisi, si dhe një ecuri kronologjike
se si dhe kur kanë lindur poezitë e ciklit
në fjalë, që asnjëra nuk ka datë.
Fillimi do të ishte si një "Këngë
e heshtur" një takim e gëzim rasti,
po ashtu pa bujë, lindja e këngës si
një "takim pa hiri", përthithës
në çast, por, njëkohësisht i
mbështjellë dhe i përcjellë me
një parandjenjë të kobshme që
pëshpërit si Korbi i Po-së: do ta dua
pa e parë.
Pason pastaj periudha e një dhimbjeje që
therr thellë, duke u përplasur brenda gjirit
të vet në një vetmi absolute të
Unit lirik. Kjo fazë lidhet me bredhien e ankthshme
të poetit përmes tri lirikave: "Liqeni",
"Nata në kështjellë" dhe
"Në Shën Naum". Liqeni që
depërton andej dhe këtej kufirit mbase dhe
mund të ofrojë një sinjal, një
hollësi për vashën, por ai, indiferent,
luan me valët dhe, sikur s'është më
as syri i tij as loti i saj, dhe Unit folës në
çast, i vjen të zbresë në fundin
e tij. Nuk ka ngjyrim patetik, as vaj ngushëllues
në këtë dëshirë, ide e mendim,
qoftë i një Basti fluturues, i një
jehone të largët. I tillë është
një trevargësh nga cikli i lirikës
së realizuar si autoportret, konkretisht nga
poezia me titull "ç'ka mësova unë";
-Me qeshë pelim me vuajtë, Me dashtë
si me vdekë, Me vdekë si me luejtë.
Dashuria dhe vdekja në poezinë e Azem Shkrelit
nuk janë një fjalë goje. Përkundrazi
ato qëndrojnë pranë e pranë fare
natyrshëm.
Poezia "Në Shën Naum" është
një tjetër faqe e bredhjeve të poetit
rreth e rreth liqenit që e ndan aq mizorisht.
Vargjet e poezisë "Nata në kështjellë"
vinë si një fund dite e plumbtë, si
një thirrje për strehim qetësues, si
një refleks për ta heshtur, për ta
vënë në gjumë dhembjen. E kjo
nuk ndodh. Përkundrazi dhembja roit e përçudnuar
dhe poeti, për ta mposhtur, therr faqen e shkëmbit
me gishtat e duarve. Poezia kurorë e ciklit pa
dyshim është "Në vend të
përshëndetjes". Para kësaj, një
si këndellje, vërehet që në vargjet
e poezisë "Para elegjisë", ku
uni lirik sikur e parandjen jehonën e qëndrimit
nëpër kohët që vinë. Por
përmes vargjeve të poezisë "Në
vend të përshëndetjes" poeti do
të shpërthejë si klithje dhe anatemë.
Në këtë poezi antologjike vihet re
një përplasje e brendshme udhëkryqesh,
përplasje përjashtuese, emocionesh në
momente të kundërta, që rrjedhin furishëm.
Vërehet një konflikt dramatik: aq sa zëri
lirik përpëlitet të çlirohet
nga kjo magjepsie totale, që kullon dhimbje e
ankth. Aq më shumë e ndien ai praninë
e saj, të shikimit të saj, "në
shtegballin e vet". Ndjehet se stuhia në
këtë poezi, turret si e verbër, herë
në një drejtim e skajshmëri, herë
në të kundërtin.