Veti parësore e poezisë
së Azem Shkrelit është dendësia
e mendimit, ngarkesa dhe tendosja emocionale, të
cilat nuk janë sajime mekanike, as rezultat i
reduktimeve dhe i shkurtimeve sasiore të
mjeteve shprehëse. Dendësia në të
gjitha shtresimet poetike është në
natyrën krijuese të poetit. Kjo natyrë
krijuese e ka të mprehtë ndjeshmërinë
ndaj fjalës, nga e cila shtrydh të pamundshmen.
Duke u vendosur në kontekste të caktuara,
fjala, figura, fraza, në këtë poezi
aftësohen maksimalisht për të zënë
dhe për të bartur në rrjetën e
tyre, mendime dhe nuanca mendimesh, emocione, imazhe
përfytyrimi dhe imagjinate nga më të
nuancuarat dhe nga më të ndërlikuarat.
Karakteristikë tjetër është gdhendja
mjeshtërore e vargut dhe e frazës poetike.
Duke qenë jashtë konvencioneve metrike dhe
retorike, poeti, në vargun e lirikës së
tij arrin të vendosë një ritëm,
një harmoni të natyrshme, jo të imponuar
dhe jo në dëm të thelbit përmbajtësor
dhe estetik të saj. Nga kjo anë poezitë
e Azem Shkrelit u përngjajnë skulpturave
të gdhendura mjeshtërisht dhe të krijuara
nga lënda kristalore, e tejdukshme. Saktësia
e imazhit imagjinativ dhe figurativ, saktësia
dhe tërësia e perspektivës dhe e filozofisë
poetike, qëndrojnë në thelb të
strukturës vargëzuese të A. Shkrelit.
Është dhe një veçori, mbase
e rrallë përgjithësisht, që e
veçon vargun e Azem Shkrelit: mendimi, emocioni,
nuk i robërojnë strukturat tërësore
të vargut, strofës, frazës. Ato sipas
nevojës derdhen lirshëm dhe arrijnë
përpos efekteve estetike dhe elegancë të
përsosur ritmi dhe mendimi poetik.