TAKIMI I GORIT ME ANITËN:
Aeroplani ra mbi ullinjtë. I digjeshin krahët.
Të tjerët u larguan, se pothuaj gjithë
vagonat u bënë shkrumb e hi. Një tërkuzë
e gjatë vagonash ishin katandisur skelete hekuri
në zjarr. Disa ishin të përmbysura
dhe akoma lëshonin zjarr e tym.
Ata që duallën nga aeroplani, kërkuan
të shpëtonin, po u zunë. Ishin tre
hitierianë të divizionit "Kondor"
dhe një frankist. Garibaldinët i zunë,
i lidhën dhe i shikonin me zemërim.
-E çmi mbani gjallë, -thirri dikush. -
Hidhini n'atë zjarr që ndezën vetë!
Brigantët!
Një tjetër u afrua dhe nxori revolen t'i
vriste, po dora e tij u ndal nga Ramizi.
Këta janë robër lufte! Do të dërgohen
te shokët e tyre! Mos i ngini! Po i ngau njeri...
Fjalën e Ramizit e preu Alvarezi.
- I çarmatosni mirë dhe i shpini në
shtabin e brigadës, aty pas ullinjve. ju të
tjerët ndihmoni shokët!...
- Ç'më rrini kështu sikur shikoni
ndonjë Sfaqje!
- Plumbin qenve! Plumbin - u dëgjua përsëri
nga mesi i ushtarëve.
- Dëgjoni thirri me zë të prerë
komisari Alvarez - po i ngau njeri, plumbin ka. Shpejt,
sikush në kompaninë e tij...
Kishte nga ata kurreshtarë që deshën
të shikonin ç'fytyrë kishin bishat
që bombardonin ditë e natë Spanjën
republikane. S'lanë shtëpi e fshat, stacion
e qytet pa bërë shkrumb e hi. Mirë!
Ata sipas ligjeve të luftës së tyre
të padrejtë, mund t'i sulmonin trenat e
luftës e t'i shkatërronin siç bënë
tani! Po kush i lajmëroi? Kush e dërgoi
lajmin se ky tren ishte i brigadës së 12-të?
Eh, luftë o luftë!
- Mor po këta qënkan simpatikë! - tha
njeri. -janë të rinj. Pa shikoi! Flokëverdhë,
bukuroshë! Pa shiko frankistin! Një moreno,
tërheqës për vajzat, që ç'ke
me të...
- Derrat! - thirri një tjetër.
- Qënt e qënit! - ia priti një tjetër.
- Të katër robërit, shkonin kryelartë.
Bile ndezën dhe cigaren. Flisnin midis tyre...
dhe siç dukej, atë që ato po bënin,
e bënin për Fuhrerin që i kish verbuar
dhe ndërsyer.. Kush e di! Pa tjetër do të
vinin në vete ndonjë ditë, po të
shpëtonin nga ky zjarr që ndezën ata
me urdhërin e perëndisë së tyre.
Agimi, si nga hera, vazhdonte të derdhte dritën
e argjendë nga lindja ku shtrihej deti Mesdhe.
Pastaj një valë resh të kuqe u dalluan
në horizontin e hapur! Eh, ç'agim! Sa
keq për Gorin që s'e pa këtë agim!
I kishin folur për agimet e kuqërreme të
Spanjës së bukur. Po ja që s'pati fat
ta shikonte këtë agim vjeshte. Ish i shtrirë,
aty rrëzë një ulliri, i rrethuar nga
shokët. Asimi nuk fliste. Prisnin doktorin, që
mjekonte ata që ishin të plagosur më
rëndë.
Kush e di sa shokë të rinj si Gori, që
kapërcyen kufi e dete, për të ardhur
gjer këtu, u vranë tani, pa ja shkrepur
asnjëherë, pa shfryrë asnjë herë
zemërimin dhe urrejtjen e tyre kundër fashizmit!
-Ka patur dhe më keq, - mendonte Asimi. - Ka
patur shokë që u vranë pa shkelur fare
në tokën spanjolle. Bllokada e turpshme
dhe barbare e kapitalit internacional me fashizmin
si xhandar, kush e di sa e sa shokë ka vrarë
në det e në stere...
Gori geli sytë! Herën e parë nuk mundi
të përmblidhej e të kuptonte se ku
ish. Po kur pa pranë fytyrat e dashura të
Asimit e të Xhemalit, të Ramizit e të
Dragushit, të Fatosit e të Arxhelit e të
shumë garibaldinëve të tjerë,
e kuptoi se po i linte përjetë. Mbylli prapë
sytë dhe lotët i rodhën pa dashur.
Në këto çaste të mallëngjyera,
Vjen xha Kola, i cili, sa dëgjoi plasjet e para,
kish këcyer përjashta dhe kish marë
frymë tutje kanalit. Ishte mbledhur kruspull
në një guvë ulliri, kishte mbyllur
sytë dhe qëndroi aty gjersa pushoi zjarri
dhe rrëmuja. Kur ra agimi, atëherë
u kujtua për armët dhe sidomos për
çantën, ku mbante gjëra të vlefshme,
siç thoshte ai, dhe nuk linte njeri t'ia prekte...
Për këtë i vinte plasja dhe ish enduar
shumë që s'mori të paktën çantën
e vogël. "Po lëkura qënka më
e dhëmbshur se floriri!" - kur shikonte
lemerinë që ish bërë.
- Ka vdekur njeri nga tanët? - pyeti , kur pa
shokët rreth Gorit.
- Po ti ç'u bëre? - pyeti Ramizi. - Nga
bridhje! Ne kujtuam se... re dëshmor!
- Mortja nuk merr. shtoi Xhemali.
Ra buria! Të gjithë të mblidheshin
në kompanitë e tyre.
Gori e dëgjoi. çeli sytë dhe bëri
të ngrihej.
-Mos lëviz! - e porositi Ramizi, - ja tani vjen
doktori. Dhe me të vërtetë erdhi doktori
me infermierët. E zbuloi. I pa mirë kokën,
trupin e këmbët! I lidhi kryet, krahun dhe
tërë gjoksin dhe porositi infermierët
ta shpinin n'ambulancën që u ngrit tej kanalit.
Komandanti i brigadës dhe komisari që erdhën
aty, pyetën doktorin dhe ky u tha se s'ka rrezik
- frakturë dhe tronditje.
-Shoku shqiptar! Kur të shërohesh të
presim në brigadë, - i tha komisari, dhe
e përkëdheli duke i lëmuar flokët.
-ju garibaldinët e Shqipërisë, përshëndetuni
me shokun se po nisemi.
Gorin e vunë mbi vig. Ai nuk i çelte sytë
nga turpi se i ishin mbytur në lotë.
-Gori! - i tha Asimi. - Ne po ndahemi, se brigada
niset. Erdhi treni. Të presim! - dhe e puthi.
E puthi dhe u largua, se një nyje i u bë
në fyt.
Të gjithë e përqafonin. Po Gori nuk
i çilte sytë të shikonte shokët,
vëllezërit për të cilët krenohej
jo vetëm ai, po krenoheshin tërë shqiptarët
antifashistë. S'kishte fuqi të thoshte një
fjalë, vetëm një fjalë: "Luftoni
dhe për mua!" Kur nuk i dëgjoi më,
kur ndjeu se infermierët e kishin ngritur, çeli
sytë dhe pa se po e shpinin në drejtim të
kundërt nga ai i shokëve që duke u
larguar, kthenin kokën pas dhe i tundnin dorën
duke e përshëndetur.
..........................................................
Fishkëllima e trenit ngrinte peshë më
tepër zemrat e ndezura të garibaldinëve,
që lanë shumë të vrarë dhe
të plagosur. Po kënga gjëmoi.
Këtej autoambulancat mbartnin të plagosurit.
Ata që ishin me plagë të rënda
i shtruan aty pranë në një shtëpi
fshatari, kurse Gorin e shtrinë në një
shtrat të autoambulancës. Në shtratin
tjetër ishte një shok italian që rrënkonte
thellë. Pranë Gorit rrinte një infermiere
e re, e cila i lëmonte ballin. Gori mbylli sytë
dhe s'dinte ç'të mendonte. I vinte turp...
Çahu dhè të futem! Si? I shtrirë
dhe i lidhur në këmbë, kurse brigada
shkoi në Aragonë! Çfat i keq! Po
kjo vajzë! Sa e mirë! Sa e dashur!
Ajo i foli në një gjuhë që Gori
s'mori vesh. Pastaj i foli me gjuhën e ëmbël
spanjolle. Gori, që dinte mirë italishten,
e kuptonte spanjishten.
Befas maqina u ndal! Si një britmë e vetme
gjëmuan thirrjet e të plagosurve. Dyert
përnjëherë u çelën dhe
infermierët rrëmbyen vigjët me të
plagosur dhe vrapuan nën ullinjtë. Aeroplanët
fashistë fluturuan shumë ulët. Gjëmimi
i tyre bënte të dridhej dhe dheu! Për
pak çaste toka u drodh dhe aty pranë në
Alkala de Çis shtëllunga tymi u ngritën
përpjetë si uji i detit nga plasja e bombave
të mëdha. Gori pa dritën e tokës
spaniolle. Sa dritë ka qielli dhe deti i Spanjës!
Kudo që të hidhje sytë shikoje pyje
me portokalle! Pyje me ullinj! Dhe ja, aty pranë,
deti ish i shqetësuar dhe era kafshonte valët
duke zbardhur dhëmbët si një qen i
egërsuar. Infermierja, që i rrinte Gorit
mbi kokë si një pulë që mbronte
zogjtë e saj nga ndonjë skifter, Kristina,
siç e quanin infermieren suedeze, e ruante
të plagosurin nga aeroplanat.
- Janë shumë çnjerëzorë!
Edhe autoambulancat i sulmojnë! Sa herë
na kanë mitraluar!
Doktori që shoqëronte kollonën vizitoi
edhe Gorin. E gjeti mirë, më të qetë.
- Jemi fqinjë! - i tha.
- Nga jini ju? - e pyeti Gori.
- Jam bullgar! Dr. Klimgev! Ti je shqiptar, apo jo?
- Po! jam shqiptar!
- Aty në spital, do të gjesh dhe një
infermiere shqiptare. Është një shoqe
e mirë.
Në rrugën e bukur, që përshkon
bregun e detit Mesdhe, rrugë plot pemë dhe
vreshta, plot vila dhe fshatra të bukura, tani
përsëri nisën të lëviznin
maqinat: kamionë me ushtarë e me mall, vetura,
autobuzë, motoçikleta, biçikleta
qerre - ç'lëvizje e madhe për në
Castellon de la Plana! Maqina të mbuluara me
giethe, me dega: si duken së largu! Si një
kopësht lëvizës!
Shumë maqina ndalen dhe vizitojnë të
plagosurit. Edhe Gorin e vizitojnë, i buzëqeshin,
i urojnë shëndet. Dhe Gori u buzëqesh
me zor, se ndjen dhembie të madhe në gjoks
e në brinjët dhe në majë të
kokës. Ah, kjo erë e bendeve e mbyti fare!
S'e duron dot! Sikur infermiera të mos ishte
infermiere, po infermier, do të thërriste
një herë e shumë herë: "Nënë!
Moj nënë!", po kishte turp nga ata
dy sy të kaltërt të shoqes suedeze
që e shikonin me atë ëmbëlsi që
e shikonte edhe qielli i Spanjës. Shtrëngonte
dhëmbët dhe... ja para tij, pa dy sy, dy
sy spanjollë, që kurrë s'do t'i harronte.
Një kolonel francez, burrë i shkuar nga
mosha, me flokë të drejtë e t'ergjëntë,
me mustaqe të shkurtëra si furcë e
fortë, me dhëmbë të florinjtë,
me beretën baske bojëhiri, u afrua dhe pyeti:
- Franse?
- Jo Shqiptar! - i tha infermiera -
- Shqiptar? Shqiptar?! Sans blague! (Fr.: Pa shaka:
Vërtet) Sa mirë! Trim shqiptar, e? Si je,
mon petit? (Fr.: biri im) Si je, mon petit? - dhe
u afrua, i vuri dorën në ballë dhe
i tha diçka frëngjisht. E puthi me dashuri.
Vajza që e shoqëronte, e shikonte në
thellësitë e syve, sikur kërkonte të
kridhej brënda në sytë jeshil të
Gorit, i cili ndjeu një diçka që
s'e kish ndjerë kurrë gjer ahere. Koloneli
e përshëndeti, kapi vajzën nga krahu
dhe u largua, kurse e reia, duke e shikuar akoma,
po me atë mënyrë të çuditëshme,
u kthye i përkëdheli flokët, u ngritë
duke e parë në sy si i hutuar, sikur deshi
t'i thosh diçka... i hodhi një degë
ulliri që mbante në dorë dhe u largua
duke e hequr prej kolonelit dhe duke i thënë
Gorit:
- Hasta la vista! (Sp.: mirupafshim)
Gori lëvizi pakëz, e shikoi më mirë,
kur ajo largohej. Infermierja tha:
-Buena chiquita! Muy guapa! (Sp.: Vajzë e mirë!
Shumë e bukur)
Gori s'foli gjersa e vunë prapë në
autoambulancë. Maqina ecte në rrugën
e asfaltuar drejt Murcias. Infermierja, me sjelljen
e saj shumë të dashur, nuk ia hoqi degën
e ullirit. Gori si i truar e kish pyetur:
- Mua më tha: "Hasta la vista?"
- Po! Të tha me zemër spanjolle "hasta
la vista!" dhe të uroj ta rishikosh. Të
fali dhe këtë degë ulliri.
------------------------------------------
Takimi i Gorit me Anitën është nga
pjesët më të bukura të romanit,
i cili është aq i ngarkuar me mundimet dhe
dhimbjet njerëzore. Duket se dashuria bën
magjira, ndihet nënteksti i kësaj ndjenje
në tërë romanin. Vështrimi në
thellësi të syve të ushtarit shqiptar
me infermieren spanjolle nënvizon me forcë
vetinë universale të kësaj ndjenje,
që nuk pyet as për gjendje të vështirë,
as për kohë dhe aq më tepër për
kombësi të ndryshme. Dega e ullirit që
Anita ia dhuroi Gorit është simbol i fitores,
dhe i një dashurie të përjetshme. Me
lidhjen e këtij çifti P.Marko solli në
letërsinë shqiptare çiftet më
simpatikë dhe më të guximshëm
të të dashuruarve. Dhe ideali i njëjtë
që kanë këta dy të dashur jepet
në planin intim njerëzor dhe aspak si një
propagandë e letërsisë zyrtare të
kohës.
----------------------------------------------------