Romani i Petro Markos me titull "Një
emër në katër rrugë" në
faqen e fundit mban datën e vitit 1972. Ai mbeti
dorëshkrim, nuk u lejua botimi i tij edhe pse
duket të jetë më pretenduesi në
veprën letrare të shkrimtarit. Ky roman
u botua vetëm pas 29 vjetësh, më 2001.
Pas leximit të romanit sikur bëhet më
i qartë fati i tij. Në të autori rrëfen
botën shqiptare të viteve '30 dhe pjesën
e parë të '40-ve përmes katër
perspektivave të mundshme, katër realiteteve
dhe alternativave që barten përmes katër
Gjikëve. Që të katërt kanë
lindur në Dhrimadh, buzë detit jon, prej
nga marrin udhët e botës dhe si jehonë
jetësore kthehen rishtas te kjo vatër e
gjallë. Katër Gjikët mëtojnë
ta përthithin tërë realitetin shqiptar
të kohës si dhe të nesërmen shqiptare.
Nëpërmjet tyre fokusohen katër mundësi
fati dhe të fatalizmit shqiptar në prag
të luftës çlirimtare, pra në
prag të kthesës së madhe shqiptare.
Për të qenë i hapur deri në fund
dhe për t'u dhënë shanse të barabarta
katër perspektivave shqiptare, ndjehet hapur
abstenimi i autorit. Në këtë roman
ka një galeri të tërë personazhesh
të vërteta, me identitet historik, dhe të
sajuar, duke filluar që nga mbreti Zog, kryeministra
dhe ministra, parlamentarë dhe intelektualë
të shquar të kohës, përfaqësues
turmash, revolucionarë komunistë etj.
Ja si duket shkurtimisht profilizimi i katër
personazheve të realitetit shqiptar. Njëri
Gjikë, Gjikë Nina nuk lëviz nga vendlindja
që simbolikisht është në funksion
të mburojës etnike të truallit, të
Dhrimadhit. Gjikë Mërtiri, i dyti, student
në Francë dhe gjykatës në Shqipëri,
shfaqet si intelektual liberal i tipit evropian. I
treti, Gjikë Argjiri del sinonim i së keqes
dhe i shëmtimit, ndërsa i katërti,
Gjikë Bua, që në këtë roman
voluminoz, përveç personazh i zgjedhur
i autorit është njëkohësisht dhe
narratori formohet dhe kultivohet brenda botës
dhe atmosferës së grupeve komuniste shqiptare
të kohës. Si i tillë ai do të
bëhet dhe një nga krerët e luftës
antifashiste.
Gjikë Mërtiri gjykatës është
figura artistikisht më e realizuar e romanit;
i veçantë dhe karakteristik është
dhe qëndrimi i narratorit (autorit) ndaj tij.
Ai kthehet në Shqipëri me bindjen dhe shpresën
se do të mund ta ushtrojë detyrën e
atij që ndan drejtësi, pa u lakuar dhe pa
u thyer nga presionet dhe pesha e padrejtësisë.
Ka iluzionin se para drejtësisë mund të
nxirret cilido shkelës, qoftë ai dhe ministër.
Kur do të bindet përfundimisht për
pamundësinë e vet, kur do të bindet
se nga salla e gjyqit del i pafajshëm ai që
jep më shumë para dhe që ka mbështetjen
e pushtetit, do të zhgënjehet rëndë.
Pikërisht me këtë përcaktim të
autorit ndaj këtij personazhi, lind një
problem që nuk është i panjohur në
praktikën narrative përgjithësisht.
Që Gjikë Mërtiri del më i artikuluar
dhe më i fuqishëm, më mbresëlënës,
edhe pa dashjen e autorit, nuk është rastësi.
Nuk është vështirë të kapet
simpatia e pashprehur, por e pranishme e autorit për
të edhe pse deklarativisht autori ndjen nevojë
të jashtme, ekstrakrijuese, që të distancohet
nga pikëpamjet e këtij intelektuali liberal-perëndimor.
Prandaj shtrohet pyetja: mos vallë shkrimtari
ndjehej më pranë kësaj rruge dhe kësaj
alternative shqiptare gjatë viteve '30?
Prandaj simpatia për Gjikë Mërtirin,
qoftë dhe si realizim artistik e vë atë
në pozita superiore përballë të
tjerëve. Pikërisht për këto tipare
dhe individualitet të formuar dhe të fuqishëm,
fundi i tij, zgjedhja e rrugës për vetëvrasje
vjen si një imponim i jashtëm dhe jo i natyrshëm.
Gjikë Argjiri është personazhi më
i realizuar negativ i romanit. Është shprehje
e koncentrimit të faqes më të shëmtuar
të realitetit shqiptar të kohës. Me
veti të kameleonit Gjikë Argjiri do t'i
përshtatet çdo pushteti. Ai i nënshtrohet
çdo eprori nga i cili varet, i gatshëm
për çdo rast korrupsioni dhe, mizor deri
në absurd ndaj të nënshtruarve. Është
i të gjithëve dhe i çdo kohe. Petro
Markoja me intuitën e intelektualit, e pati ndjerë
se nga ky soj i qenies sonë nuk do ta marrë
veten kollaj bota shqiptare.
Gjikë Bua që rrëfen dhe për rrugën
e tij jetësore dhe për atë të
të tjerëve, mëton të jetë
zëri i autorit. Ai do të jetë bartës
i ideve revolucionare, komuniste, në roman dhe
rruga e tij mes katër të mundshmeve do të
jetë zgjedhje e autorit dhe më e vërteta
sipas kësaj perspektive. Gjikë Bua nuk vendoset
në situata të mprehta, të paktën
jo në atë shkallë siç ndodh
me Gjikë Mërtirin, ku autori ka derdhur
pjesën e vet më autentike apo atë më
të ëndërruarën.
Karakteristikë e narracionit në këtë
rrëfim romanor, është mbështetja
në faktografinë, identitetin historik, të
hapësirës dhe të njerëzve, është
prirja për një rrëfim të dokumentuar.
Por ajo çka duket më e rëndësishme
në lidhje me natyrën, me misionin dhe perspektivën
e narratorit, është se Petro Markoja në
këtë roman heq dorë nga narratori i
gjithëdijshëm, karakteristikë për
tërë epokën e romanit realist të
shekullit XIX, me jehonë dhe gjatë shekullit
që lamë pas. Narratori kësaj here është
njëri nga personazhet dhe ai do të rrëfejë
nga perspektiva e atij që mund të dijë
aq sa mund të dijë çdo njeri dëshmitar
i drejtpërdrejtë apo i tërthortë.
Megjithatë, autori, përmes zërit të
vet, nuk mund të përmbahet plotësisht
pa përzgjedhur apo pa gërshetuar mes personazhit
dhe narratorit zërin e vet autorial.
Por nëse çdo personazh është
personalitet i veçantë, kryepersonazhi
është i pajisur dhe me boshtin plus. Duke
qëndruar dhe vrojtuar nga një perspektivë
superiore ai i sheh më qartë lëvizjet
e njerëzve dhe të dukurive në hapësirën
e fokusuar. Zakonisht ai qëndron më pranë
filozofisë jetësore të vetë autorit.
Në fillim përmendëm shkurtimisht katër
rrugët e Gjikëve: misionin e të parit
nuk do ta marrë Gjikë Nina, simbol i rrënjës
së lashtë dhe i mburojës jetike të
truallit, as Gjikë Mërtiri që sjell
diplomën e juristit dhe frymën e qytetërimit
evropian të kohës, por Gjlkë Bua, shkollar
i Vlorës dhe pjesëmarrës aktiv në
grupet komuniste tiranase. Pikërisht ky, me dashjen
e autorit, do të jetë më pranë
zërit të tij. Romani kështu del me
tezën se ideja revolucionare komuniste e mbjellë
në fillim të shekullit në Evropë
dhe që gjen truall dhe në tokën shqiptare,
do të bartet përmes personazhit të
Gjikë Buas. Dhe pikërisht me këtë
përcaktim zë fill dhe ndodh mosmarrëveshja
ose vetëmashtrimi mes Petro Markos shkrimtar
dhe Petro Markos njeri. Ndërsa kryepersonazh
i konvencioneve të kohës, pra i diktimeve
nga jashtë do të bëhet Gjikë Bua,
me Gjikë Mërtirin, shkrimtari Petro Marko
do të shprehë vizionin e vet jetësor
e filozofik si dhe pjesën më substanciale
të shpirtit të vet.
Pavarësisht nga ky "disekuilibër"
në sipërfaqe, narratori arrin të zhytet
dhe të depërtojë në skutat më
të errëta të personazheve dhe të
ngjarjeve të kohës. Këto vlera, qoftë
në shkallë të ideve apo të realizimeve
artistike, bëjnë që romani "Një
emër në katër rrugë" të
jetë ndër më të realizuarit e
veprës romanore të Petro Markos.