EPISODI I NISJES:
"Rroftë jeta!" Ashtu më dukej
sikur përsërisnin ditë e natë,
e sidomos natën, kur oshëtima e tyre ishte
më e fuqishme, dallgët e detit jon, që
përplaseshin në bregun shkëmbor, të
fshatit tim Dhrimadhe. Këtë refren të
përhershëm të dallgëve të
detit jon më dukej sikur shprehnin pa zë
dhe fshatarët e mi, se lufta që bënin
atë moto kishte: "Rroftë jeta!"
. jeta mbi gurë, jeta në dallgët e
detit, jeta kur ishte zor të jetoje, zor të
dashuroje, zor të ëndërroje dhe zor
të vdisje.
Ky refren i pashpallur me zë, me vaj apo me këngë,
që pulsi i nxitjes për të jetuar me
luftë të ashpër mbi gurë në
furtunat që rrëmbenin dhe dheun e gërxheve.
Kaloje nga ndonjë monopat dhe shikoje ndonjë
burrë qe ngrinte ledhe për t'i mbushur pastaj
me dhè dhe e pyesje:
- Ç'po bën aty? - Dhe ai të përgjigjej:
- Ja, luftoj!
Shihje ndonjë grua që bënte dru në
pllaja të pjerrëta, gërxhore dhe të
zhveshura, se dhitë nuk i linin kurrë xinat,
cfakat dhe anticfakat të rriteshin, dhe e pyesje:
- Ç'po bën aty? - Dhe ajo të përgjigjej:
- Ja, luftoj!
Shikoje në prakun e dyerve të oborreve plaka
të heshtura që tirrnin duke shikuar detin,
detin që u kishte marrë burrin apo djalin,
dhe i pyesje:
- Ç'po bëni aty! - Dhe ato të përgjigjeshin:
- Ja, luftojmë!
Shikoje burra, gra, të rinj, e të reja që
çanin gurë, që rrëmihnin tokën,
që mbillnin agrilidhe apo shartonin nerënxa,
që shkundnin ullinj o që kërkonin mbi
çatinë se cilën qeramidhe kishte
rrëmbyer tramundana e natës, kurrë
nuk të përgjigjeshin: "Ja punojmë",
por: "Ja luftojmë!" - Lufta ka qëne
jeta e tyre. Luftë me të huaj, luftë
me urinë, me sëmundjet, me borxhet, me kurbetin,
me xhandarin, me vdekjen. Dhe kjo luftë kishte
si bajrak refrenin e pashpallur kurrë me zë:
"Rroftë jeta!"
Dhe me luftën e tyre ata mbijetuan! Dhe unë
tani që shoh, mendoj e them: ,Mbijetuan, se hodhën
rrënjë në gurë dhe u ushqyen me
gjakun e gurit..."
Këto mendime mua më kishin larguar nga bisedat
e shtruara që bëheshin atë mbrëmje
në shtëpinë e Mitro Balit, i cili rrinte
në krye të vatrës duke pirë duhan
pas duhani, nga ato cigare që i hidhnin njërën
pas tjetrës gjitha ata burra që vinin darkë
për darkë për ta ngushëlluar e
për t'i lehtësuar dhembjen dhe gjëmën
e madhe që i erdhi nga miniera e Firminisë
për vdekjen nga veremi i djalit të tij,
Vangjelit. Aty pleqtë, që dinë shumë
gjëra nga jeta, tregonin ngjarje të çuditshme
nga bota e gjerë që kishin gjezdisur, aty
rriheshin mendime mbi politikën dhe mbi fuqitë
e mëdha që kanë fatin e njerëzimit
në dorë... Hera-herës zinin në
gojë dhe qeverinë e Tiranës, po emrin
e mbretit nuk e zinin kurrë në gojë.
Pastaj, si kurdoherë, xha Foti fillonte me qyfyret
e tij të hidhura dhe atmosfera ndryshonte fare,
bëhej më e lehtë dhe dalëngadalë
hiqte nga fytyra e Mitro Balit perden e zymtë
të dëshpërimit, bënte të
tjerët të mblidhnin këmbët dhe
të pregatiteshin për të qeshur. Se,
xha Foti, që kishte gjezdisur gjithë brigjet
e globit si marinar nën shumë flamuj, sidomos
nën flamurin e Shteteve të Bashkuara të
Amerikës, dhe që kishte lundruar për
dyzet vjet në detin e Karaibeve, kushedi se sa
herë e kishte kënduar "Dekameronin"
e Bokaçios dhe, pasi asnjëri nga fshatarët
e mi nuk dinin se ç'ishte "Dekamereoni"
dhe kush ishte ky Bokaçio, të gjitha aventurat,
thoshte se i kishte bërë vetë ai, me
disa shokë të tij detarë nga Spanja
dhe Gjenova e Italisë.
Dhe, pasi kallëzoi një aventurë, të
gjithë qeshën. Ky, xha Foti, tani ishte
plak, po mbahej mirë me shëndet dhe me humor.
Kishte tre vjet që ishte kthyer pa asnjë
lek, po me humorin e hidhur të botës që
kishte parë. Humori i tij ishte njëra nga
pasuritë më të mëdha që mund
të sillte një mërgimtar, se në
luftën e ashpër dhe të hidhur të
jetës së fshatit tonë, më shumë
dëgjohej vajtimi se kënga, më shumë
mbinte gjembi i urisë se sa blerimi i vjeljes
së gëzimit.
Me habinë time dëgjova të merrte fjalën
dhe Gjikë Mërtiri, i cili tha:
- [Hodha grepin nga qielli] dhe [nuk kapa as zogj,
as re e as yje], [po kapa bishtin e botës së
lutjeve] [drejtuar perëndisë nga ara që
vanë]. [Dhe qesha siç do të qeshin
të nesërmit për mua!].
Kur mbaroi Gjikë Mërtiri, hyri Kolë
Dede. Ra heshtja. Ashtu ishte. Kur hynte njeri, heshtja
binte për disa çaste, pastaj vazhdonin
biseda. Kola ndenji afër derës. I hodhi
një duhan Mitros. Dhe unë prita që
Gjikë Mërtiri të vazhdonte. Ai tundi
kokën dhe, duke shikuar Kolën, e pyeti se
kur kishte dalë nga burgu.
- Më mirë të mos kisha dalë! -
tha Kola.
- Mirë e ke! i tha duke qeshur Gjikë Argjiri.
Gjikë Argjiri shtoi dhe disa fjalë që
nuk i dëgjoi njeri. Kolën, pasi nuk kishte
paguar borxhin te zoti Kosta, zoti Kosta e kishte
hedhur në gjyq. Ishte dënuar me tre muaj
burgim. Dhe sipas ligjit, zoti Kosta duhej t'i paguante
pesë lekë Kolës për çdo
ditë që të mbahej në burg. Po
Kola në burg vetëm një lek prishte.
Katër lekët e tjerë ia dërgonte
familjes.
- Ku ta gjesh këtë që të jesh
në burg dhe t'i dërgosh katër lekë
në ditë familjes. Mua më ra bretku
dhe nuk fitoj një lek në ditë! - shtoi
me zë të lartë Gjikë Argjiri.
- Burgu është i rëndë! Pa shikoje
se si është katandisur i gjori Kolë!
- tha Gjikë Nina - Ku jemi mësuar ne me
burgje! Po nuk na pa dielli përditë e po
nuk u shtrimë në dyshemenë tonë,
vdesim shpejt.
Pasi folën për burgjet dhe për ligjet,
për fajdexhitë dhe për borxhet, prisnin
të merrte fjalën Gjikë Mërtiri,
se Gjikë Mërtiri ishte i vetmi njeri i ligjeve.
Ai kishte mbaruar në Francë drejtësi
dhe i dinte të gjitha. Ai e kuptoi nga shikimet
që i hidhnin, prandaj lëshoi këtë
shprehje, nga e cila unë nisa të mendoja
ndryshe dhe të shkruaja këtë rrëfirn
të vërtetë.
- Kohë të vështira për njeriun
e ndershëm ! tha Gjikë Mërtiri.
Kur i tha këto Gjikë Mërtiri, unë
e shikova në sy. Ai, me atë fytyrë
të bardhë dhe me ato syze pa rrathë,
shikonte Kolën. Dhe Kola pinte duhan sikur të
ishte në burg.
- Sipas teje, o Gjikë Mërtiri, që ke
marrë diplomë drejtësie në Francë,
kurse shumica jonë ka fituar veremin nga minierat
e Santetienit dhe të Firminës - dhe i hodhi
një shikim Mitros - kush është i ndershëm
dhe kush pa nder? - e pyeti duke mbledhur këmbët
dhe duke u kapardisur Gjikë Argjiri.
Aty për aty unë u hodha një shikim
të shpejtë Gjikëve që folën
dhe, pasi edhe mua më quajnë Gjikë,
Gjikë Bua, qesha me vete. Më pëlqente
që adashët të dalloheshin sipas thënies
së zotit, gjyshit, se ne gjyshit i themi zot.
Zoti ka si detyrë që pas tri ditëve
të lindjes së mashkullit në familje
të shkojë tek i porsalinduri dhe me një
hanxhar apo shpatë të qëllojë
tri herë në krye të djepit duke thënë:
"T'u ndiftë emri, more bir!" Unë
gëzohesha kur dalloheshin Gjikët, se në
fshatin tonë Gjikët ishin të paktë
dhe nuk kishin ditë shenjtori për mesha
dhe të kremte, prandaj priftërinjve nuk
u pëlqente që djemtë të pagëzoheshin
me emrin që s'kanë shenjtor. Shtatë
ishim gjithsej, duke përfshirë dhe Gjikë
Bixhilin që kishte vdekur në Rusi, që
po përmendej se gjithë paratë që
kishte fituar atje gjithë jetën e tij i
kishte dërguar në fshat për të
ngritur shkollën ku mësova dhe unë.
Fytyrën e tij e shihja përditë katër
vjet me radhë, se në çdo klasë
ishte varur dhe një fotografi e tij e zmadhuar.
Vura re se aty, atë mbrëmje, ishim katër
Gjikë. Dy të tjerë, kushedi se nga
ishin. Po, të them të drejtën, ata
të dy nuk para përziheshin me asnjeri. Dhe
siç ish e varfër jeta e tyre, edhe qenia
e tyre në fshat nuk sillte ndonjë notë.
Sikur të mos ishin fare. Prandaj dhe unë
nuk i përmend. Do të merrem me këta
të tre që janë këtu dhe patjetër
dhe me rrugën e jetës sime për të
rrëfyer ngjarjet ashtu siç rrodhën.
Thonë se emri lot një farë roli në
karakterin dhe ndërgjegjen e njeriut, po këto
unë nuk i besoj. Se ka njerëz me emër
të mirë dhe vetë janë të
ligj. Ashtu dhe ne të katër Gjikët,
me të vërtetë një emër kemi,
nga një fshat jemi, po ai diell na ka ngrohur,
sytë tanë po atë det kanë parë
dhe mushkëritë tona po atë erë
kanë marrë, po, siç do ta shihni
edhe ju, secili nga ne mori rrugë të ndryshme,
dhe me rrugë të ndryshme fituam kafshatën
e gojës...
--------------------------------------------------
Është kapitulli i parë nga romani voluminoz
"Një emër në katër rrugë".
Bën fjalë dhe përshkruan vendlindjen
e katër Gjikëve, katër personazheve
kryesorë të romanit - Dhrimadhin buzë
detit jon. Duke përshkruar jetën e rëndë
, -si luftë për ekzistencë, autori,
që në faqet e para të romanit, mëton
të paralajmërojë katër rrugët
e ndryshme të personazheve që do të
jenë përcaktime në përputhje me
karakterin dhe botëkuptimin, filozofinë
e tyre të veçantë, të ndryshme
nga njëri-tjetri.
Mesazhi i romanit është dhënë
në formën e një parrulle Rroftë
jeta! Që në krye Petro Marko shpall krejt
filozofinë e tij të të jetuarit dhe
të krijuarit. Lufta jepet në kuptimin e
saj më të gjerë. Njeriu nuk lufton
vetëm në luftë dhe me armë.
Më kryesore është si të mbijetosh
në vështirësitë dhe dramat e jetës:
Ja punojmë! Ja luftojmë! Thonë personazhet
e tij.
----------------------------------------------------------