Po më shumë se në çdo
vepër filozofia e të jetuarit të P.Markos
ndjehet veçanërisht në librin monumental
"Intervistë me vetveten", lënë
dorëshkrim dhe botuar 10 vjet pas vdekjes së
autorit. Në këtë vepër rrugën
e tij jetësore, jetëshkrimin e tij Petro
Marko i lë si dëshmi të drejtpërdrejta,
pa u distancuar përmes personazheve letrarë,
siç vepron në shumicën e romaneve.
Rrëfimi është i rreptë dhe total,
ai ngrihet në shkallë të një metafore
për rrugën e Shqipërisë gjatë
60 vjetëve, në metaforë të luftës
së pandërprerë të njeriut mes
së mirës dhe së keqes. Luftëtar
dhe kryeluftëtar në Spanjë, në
Francë dhe Itali, kryengritës burgjesh nëpër
Evropë dhe në Mesdhe, P.Marko marshon fuqishëm
drejt atdheut të vet, i cili ishte dhe ai i pushtuar
nga fashizmi. Autori shfaqet gjatë rrëfimit
të historisë së tij në "Intervistë
me vetveten" si një kriiesë mitologie
e lindur ta mbajë shpatën ngritur dhe të
gatshme për të goditur të keqen kudo
qoftë ajo, i bindur se ashtu e pastronte dhe
qiellin e tokës së vendlindjes. Me këtë
besim madhor Petro Marko pas vitesh e betejash të
pandërprera nëpër Evropë, më
1944 do të kthehet në Shqipëri.
Në moshën 30 vjeçare, por me aq bëma
mbi shpinë, sa në jetën e një
njeriu të zakonshëm nuk mund të
ngarkohen as për një shekull, P.Marko sa
qe gjallë, do të përjetojë në
atdhe zhgënjimin dhe dhembjen më
të thekshme. Ditët e para në Tiranë,
pasi e emërojnë përgjegjës shtypi,
i caktojnë shtëpinë ku do të
jetonte. Vonë në mbrëmje, që natën
e parë, ai do jetë dëshmitar i një
takimi trishtues me famlijen,
pronarin e vilës: "Shoku Petro na kanë
dhënë urdhër t'jua lëshojmë
sbtëpinë me krejt çka ka në
të, ku do të vendosemi dhe a mund të
marrim me vete ndonjë gjë personale",
e pret zonja e shtëpisë duke u dridhur.
Petroja trishtohet, lë shtëpinë dhe
kërkon sqarim nga shokët - mos është
ndonjë gabim apo keqkuptim?
Kështu e fillon rrëfimin e vet P.Marko në
veprën voluminoze "Intervistë me vetveten",
që është një nga dëshmitë
më rrënqethëse për atë që
do të vinte dhe do ta mbërthente Shqipërinë
gjatë diktaturës Komuniste. Po ashtu do
ta detyrojnë Petro Markon që të futet
nën tutelën e gazetës "Borba"
të Beogradit. Por ai nuk pranon: "Ne kemi
më shumë traditë, jemi vazhduesit e
gazetës "Bashkimi i Kombit" para lufte,
le të mësojë "Borba" nga
ne", dhe këtu do të zinte fill kalvari
i ri i burgosjeve dhe i persekutimeve të një
egërsie që nuk e kishte provuar më
parë. Një bashkëluftëtar nga Italia
pas afro 50 vjetësh, diku para vdekjes, do t'i
thotë Petros "Shkruaje rrugën, historinë
tënde se ajo vlen më shumë se 100 romane."
Dhe vërtet, libri "Intervistë me vetveten"
është historia për gjysmë shekulli
e Shqipërisë, rrëfimi me fuqi rrezatimi
i përmasave të një bibliotekë
të tërë dokumentash. Përmes kësaj
vepre njihet më mirë drama e kombit dhe
e Shqipërisë dhe pas leximit të këtij
libri duhet më shumë dhe më pastër
atdheu e kombi.