Faqja Kryesore  >> Historia  >> Dobesimi i pushtetit turk
 

Historia e Shqipërisë - Dobësimi i Pushtetit Turk

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Bajraktarët

Pas disfratave që pësuan gjatë shek. XVII në ekspeditat kundër kryengritësve malësorë, sundimtarët turq më në fund hoqën dorë nga përpjekjet e mëtejshme për të vendosur me dhunë në krahinat malore regjimin e timareve. Në vënd të ekspeditave të armatosura ata u përpoqën të merrnin masa të tjera. Qëllimi i këtyre masave nuk ishte më vendosja në këto krahina e regjimit të timarëve, i cili në fakt po çthurej edhe atje ku ishte vendosur më parë. Turqit synonin të shfrytëzonin për interesat e politikës së tyre autoritetin e kuvendeve dhe me anën e kuvendeve të rekrutonin në shërbim të Turqisë forcën luftarake të malsorëve të lirë.

Një nga masat më të rëndësishme që morën sundimtarët turq për këtë qëllim qe krijimi i institucionit të bajraqeve në krahinat malore të Shqipërise veriore dhe verilindore.

Qysh në pjesën e fundit të shek. XVII, ata i ndanë krahinat malore të Shqipërise veriore në njësi të vogla administrative teritoriale. Këto njësi u quajtën bajraqe (nga turqishtja bajrak=flamur). Në disa vise bajraku përputhej me shtrirjen teritoriale të fisit, kurse në disa raste, për shkak të shtegëtimeve të malsorëve të ndodhura në shek. XVII, bajraku perfshinte një varg fshatrash të afërta, banorët e të cilave nuk kishin lidhje fisnore midis tyre.

Në krye të çdo bajraku u emërua një bajraktar (flamurtar). Ky do të përfaqësonte banorët e bajrakut pranë autoriteteve shtetërore. Bajraktarët u futën nën vartësinë ushtarake të mytesarifit të Shkodrës, Dukagjinit, Pejës ose Dibrës. Vetëm bajraqet e krahinës së Mirditës u bashkuan në një njësi administrative teritoriale më të gjerë, në krye të së cilës u emërua një kryebajraktar që mori tillullin kapidan.

Me qëllim që të pakësohej autoriteti i kreut të fisit, turqit. Zgjodhën si bajraktar një nga malsorët e bajrakut, të cilin e veshën jo vetëm me funsionet e përfaqësuesit të sanxhakbeut por dhe me atë të udhëheqësit ushtarak. Për t'i lidhur bajraktarët pas politikës së saj, qeveria e Stambollit e bëri funksionin e tyre të trashëgueshëm. Më vonë ajo u dha atyre rroga, shpërblime dhe grada.

Me krijimin e bajraqeve qeveria turke nuk ua cënoi malësorëve privilegjet e vjetra. Përkundrazi ajo ua konfirmoi edhe një herë këto privilegje me kusht që malsorët të njihnin bajraktarin si udheheqës, ushtarak dhe ta pranonin në kuvendin e tyre.

Malsorët në fillim e kundërshtuan pjesëmarrjen e bajraktarëve në kuvend. Por me kohë filluan t'i pranonin, pasi bajraktarët nuk ua cënonin kanunet e tyre. Me anën e bajraktarëve, malsorët bënin me lehtë presion pranë mytesarifit për të ulur pagesën e haraçit, për të zgjidhur problemin e kullotave dhe për çështjet e tjera që lindnin nga marrëdhëniet me administratën turke. Pasi hynë në kuvendet e malsorëve, bajraktarët në shumë raste zunë aty kryet e vendit pranë kreut të fisit. Por sado që ishin përfaqësuesit e mytesarifit, bajraktarët ishin të detyruar të merrnin parasysh zërin e malsorëve, të cilët e ruanin të drejtën e tyre të vjetër për të zgjidhur vetë çështjet e brëndëshme me anën e kuvendeve. Bajraktarët ishin të pafuqishëm të shkelnin normat e kanuneve tradicionale të cilat përbënin pengesën kryesore për depërtimin e ligjeve feudale-ushtarake otomane.

Duke përfitruar nga varfërimi i mëtejshem i malësorëve sundimtarët turq mundën të siguronin një farë baze për depërtimin tyre politik në krahinat malore të Shqipërisë së veriut me anën bajraktarëve, të cilët tani rekrutonin më me lehtësi mercenarë nga radhët e malsorëve të varfër. Duke marrë pjesë në luftë si udhëheqës të malsorëve mercenarë, mjaft bajraktarë u pasuruan me shpërblimet që morën prej turqëve. Me forcimin e pozitave, bajraktarët filluan t'i shfrytëzonin malësorët me forma gjysëm feudale. Kështu ata fituan të drejtën të merrnin gjoba nga malësorët kur këta nuk i respektonin kanunet.

Edhe në fshatrat e tjera të lira të vendit, sidomos të Shqipërisë së jugut u emëruan gjithashtu krerë të tillë që u quajtën jo bajraktarë por koxhabashë. Edhe këtu koxhabashët u bënë përrfaqësuesit e pushtetit në fshat. Por instituciomi i koxhabashit nuk pati rëndësi pasi në radhët e fshatarëve lidhjet patriarkale u çthurën shumë shpejt. Vetëm në krahinën e Himarës dhe të Sulit krerët e fshatarëve, që mbanin titullin kapedanë, morën pak a shumë tiparet që kishin bajraktarët në veri.

Dobësimi i
Pushtetit Turk

Derebejtë
Bajraktarët
Kryengritjet e
malësorëve shek. XVII
Formimi i Tregjeve
Jeta në Qytete
Zhvillimi kultural
shek. XVIII
Akademia e re
e Voskopojës
Piktura në
shek. XVIII


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003