Gjatë shek. XVII bujqësia
e Shqipërisë, sikurse edhe ajo e krahinave
të tjera të perandorisë së osmanllijve,
vazhdonte të ishte e prapambetur. Veglat e punës
që përdornin fshatarët në bashtinat
e tyre ishin akoma primitive dhe rendimenti i tokës
gjithnjë i ulët. Nga kulturat bujqësore,
vendin kryesor e zinin elbi e thekra. Gruri kultivohej
fare pak. Fshatarët e Shqipërisë kultivonin
gjithashtu tërshërën, thjerza, qiqrat
dhe bathët. Një pjesë e konsiderueshme
e popullsisë fshatare nuk i siguronte dot nevojat
familjare me prodhimet e bujqësisë. Të
gjitha familjet fshatare ishin të pajisura edhe
me ekonomi ndihmëse blegtorale. Bile për
një shumicë familjesh fshatare dhe në
mënyrë të veçantë për
familjet e malësorëve, baza kryesore e ekonomisë
së tyre vazhdonte të mbetej blegoria. Shqipëria
në shek. XVII-XVIII vazhdonte të ishte vendi
i kopeve të mëdha. Fushat e Myzeqese, Vurgut,
Kavajës dhe Tiranës përdoreshin më
tepër si kullota se sa si toka buke. Vetëm
në Myzeqe, gjatë verimit të bagëtive
në dimër, grumbulloheshin në fund të
shek. XVIII mbi nga 1 milion dhenë e 2 milion
dhi.
Megjithatë, gjatë gjysmës së
dytë së shek:-XVII u duk një farë
zhvillimi në fushën e bujqësisë.
Shtimi i shpejtë i popullsisë së qyteteve
solli rritjen e nevojave për prodhime bujqësore
dhe kjo, nga ana e saj, shtimin e sipërfaqes
së tokave të punueshme. Nga kulturat e mëparëshme
u përhap më gjerë në këtë
kohë ajo e grurit dhe e melit, ajo e ullirit
dhe e rrushit. Nga fundi i shek. XVII dhe sidomos
gjatë shek. XVIII fshatarët filluan të
mbillnin edhe kultura të reja bujqësore
si oriz, zarzavate dhe agrume. Në këtë
shekull filloi edhe mbjellja e lirit dhe e pambukut
dhe sidomos e misrit që u bë më vonë
kultura kryesore e fshatarëve shqiptarë.
Rritja e prodhimit zejtar që u krye me ritme
të shpejta gjatë shek. XVII, në qytetet
e Shqipërisë, hyrja e mallrave të industrisë
evropiane, sidomos e sendeve të luksit nëpërmjet
skelave bregdetare, që u shtua gjatë pjesës
së fundit të këtij shekulli, si dhe
ngritja e përgjithëshme e çmimeve
që u duk, gjatë shekullit si në gjithë
Evropën ashtu dhe në Perandori turke, sollën
gjithashtu rritjen nevojave të spahijve shqiptarë
për të holla. Por në krahasim me nevojat
për të holla që vinin duke u shtuar,
të ardhurat që vilnin spahijtë bëheshin
gjithnjë më të pamjaftueshme nga vetë
fakti se zhvillimi i ekonomisë së fshatarëve,
me mjete primitive të punës që pëndornin,
kryhej shumë ngadalë. Zhvillimi i ngadalshëm
i ekonomisë fshatare nuk u lejonte spahijve t'i
plotësonin këto nevoja me të ardhurat
e zakonshme që vilnin nga fshatarët. Prandaj
burim kryesor për të rritur këto të
ardhura u bë shtimi i shfrytëzimit të
fshatarëve.
Spahijtë filluan t'i shkelnin më shpesh
normat e kanunnamëve. Yshyrin, kur mundnin, e
nxirnin nga fshatarët në një masë
më të madhe se një të dhjetën
e prodhimit, shpesh herë në të gjashtën
a në të pestën e tij. Gjatë shek.
XVII dolën një varg bidatesh të tjera,
me të cilat spahijtë u merrnin fshatarëve
prodhimin e tyre të tepërt.
Në të njëjtën kohë fshatarët
shqiptarë i ndjenë edhe pasojat e krizës
financiare dhe të dobësimit të fuqisë
ushtarake të perandorisë së osmanllijve.
Për të rimëkëmbur fuqinë
ushtarake, tani kur spahijtë kishin filluar t'i
shmangeshin pjesëmarrjes në luftë,
sulltanet filluan të rekrutonin ushtararë
me pagesë. Shpenzimet për mbajtjen e një
ushtrie të madhe rritën edhe nevojat e shtetit
turk për të holla. Kjo nevojë i bëri
qeveritarët turq të ndryshonin sistemin
e vjeljes së taksave. Duke filluar nga pjesa
e parë e shek. XVII, taksat e veta shteti turk
nuk i mblidhte më si me parë me anën
e nëpunësve të posaçëm,
por në formën e sipërmarjeve (iltizamit).
Sipërmarrësi (myltezi), i cili zakonisht
ishte sanxhakbeu ose ndonjë ortak i tij, duke
i paguar arkës perandorake shumën e caktuar
të iltizamit fitonte të drejtën të
mblidhte për vehte taksën ose taksat që
kishte marrë në iltizam.
Në kushtet e korruptimit të përgjithshëm
që kishte pushtuar administratën perandorake
otomane, ky sistem u linte fushë të lirë
feudalëve mytezime të kryenin shpërdorime
të mëdha dhe të nxirrnim në kurriz
e fshatarëve të ardhura të shumta.
Më vonë, nevojat e sulltanëve për
të holla u rritën edhe më tepër
kur edhe shpenzimet e ushtrisë jeniçere,
e cila nuk nxirrte, si më parë të ardhura
nga grabitjet që bënte gjatë luftave
fitimtare, rënduan gjithnjë më shumë
mbi buxhetin e shtetit. Veç kësaj, sulltanët
u detyruan t'u jepnin jeniçerëve herë
pas here shpërblime të mëdha për
të evituar kryengritjet e tyre të cilat
megjithatë filluan të bëheshin të
zakonëshme.
Pesha e shfrytëzimit të shtetit, spahiut,
sanxhakbeut dhe myltezimit, mori gjatë gjysmës
së dytë të shek. XVII përpjesëtime
të mëdha.
Ky shftytëzim i rëndë e thelloi varfërimin
e fshatarëve raja, të cilët tani ndjenin
edhe mungesën e tokave të punueshme dhe
nuk kishin të holla e mjete për të
blerë me tapi toka të reja. Gjatë shek.
XVII u rrit edhe më shumë numëri i
familjeve fshatare me toka të pamjaftueshme,
edhe si rrjedhim i shtimit të popullsisë
fshatare dhe i copëzimit të tokave-bashtine
midis trashëgimtarëve. Duke mos qenë
në gjëndje të përballonin jetesën,
fshatarët e varfëruar po zhyteshin ndër
borxhe, të cilat zakonisht i merrnin me fajde
të rëndë nga fondet e vakufuara prej
feudalëve e tregëtarëve. Kështu,
krahas shfrytëzimit të spahiut e të
shtetit mbi fshatarët e Shqipërisë
rëndonte tashmë edhe shfrytëzimi i
kapitalit kamator. Regjistrat e zyrave të sheriatit
të qyteteve të Shqipërisë të
zbuluara deri më sot, janë mbushur plot
me shënime borxhesh të dhëna me fajde
fshatarëve si dhe me reklamime dhe protesta për
mos shlyerjen e tyre. Në kushtet e regjimit feudal-ushtarak
otoman, kur fshatari duke vënë për
gararanci të borxhit tokën e vet, kapitali-fajde
filloi të lidhej me pronësinë tokësore
dhe të kontribuonte në çthurjen e
sistemit feudal-ushtarak, pa krijuar asgjë të
re dhe përparimtare në mënyrën
e prodhimit.
Nga varfërimi i vazhdueshem dhe nga pamundësia
për të shlyer borxhet, fshatarët raja
filluan të shisnin pronat-myik vreshtat, kopshtet,
shtëpitë, qetë e parmendës, më
në fund edhe tokat-bashtinë. Në këtë
mënyrë, fshatarët e timareve, përdorues
të tokës, mbi të cilët mbështetej
regjimi feudal-ushtarak, po xhvisheshin nga ngastra
e tokës, dhe po ktheheshin në fshatarë
pa tokë (në fshatarë-bujq) ose në
fshatarë me toka të pakta (në fshatarë-paraqendarë).
Me xhveshjen e rajave nga bashtina që kishin
në përdorim u minua edhe në Shqipëri
baza mbi të cilën mbështetej regjimi
feudal ushtarak otoman.
Fshatarët e varfëruar, për të
siguruar jetesën e tyre, u detyruan të mërgonin,
pjesërisht në krahinat e tjera të vendit
dhe pjesërish jashtë Shqipërisë.
Një pjesë e fshatarëve mërgoi
për punë vetëm gjatë disa stinave
të vitit. Këta fshatarë punonin kryesisht
si argatë në vise të ndryshme të
Shqipërisë dhe të Ballkanit (në
Sërbi, Bullgari, Thraki e gjetkë). Por me
kohë fshatarët e timareve filluan të
mërgonin për vite të tëra, duke
lënë në fshat familjet e tyre që
vazhdonin të merreshin me bujqësi.
Rastet e mërgimit të fshatarëve filluan
të bëheshin më të shpeshta. Në
mes të shek. XVI një udhëtar frëng
Belon dy Man, tregon se gjatë udhëtimit
të tij nëpër Ballkan, kishte ndeshur
rrugës grupe argatësh shqiptarë që
ktheheshin me kosa në krahë nga punimet
stinore të kryera në Bulllgari. Gjatë
shek, XVII mërgimet morën përpjestime
edhe më të mëdha. Relatori shqiptar
P. Mazreku, në raportin drejtuar Propaganda Fides
më 1652 na njofton se fshatarët shqiptarë
punonin gjatë disa muajve të vitit si punëtor
të thjeshtë në minierat e Sërbisë.
Por mërgimet në masë filluan gjatë
gjysmës së dytë të shek. XVII
dhe vazhduan pastaj gjatë gjithë shek. XVIII.
Gjatë këtyre dy shekujve, vendi që
tërhoqi më tepër kurbetllij nga fshatarët-raja
të Shqipërisë u bë Stambolli.
Në Stamboll, në sajë të privilegjeve
të dhëna nga Sulltani, rajaja nuk mund të
ndiqej nga spahiu edhe në rast se kishte braktisur
tokën-bashtinë pa lejen e tij. Veç
kësaj, në pjesën e parë të
shek. XVIII, në kryeqytetin e perandorisë
së osmanllijve u bënë ndërtime
të mëdha, të cilat kërkonin krahë
të shumtë, pune. Për këtë
qëllim sulltanët rekrutuan me forcë
nga Shqipëria specialistë kalldrëmxhij
etj. Në Stamboll, në këtë kohë
pati një lulëzim të zejtarisë
dhe një rritje të popullsisë. Këto
u dhanë mundësi shqiptarëve të
gjenin më lehtë punë. Profesionet e
zakonëshme të shqiptarëve të mërguar
në Stamboll ishin të thjeshta, disa nga
këto u bënë profesione tradicionale
të shqiptarëve si kasapë, shitës
zarzavatesh, salepçij, sheqerxhij, kopshtarë,
etj.
Por edhe në mërgim fshatarët nuk
i shpëtuam shfrytëzimit të feudaleve.
Me keq akoma ata shpesh herë mbeteshin për
vite të tëra pa punë. Veçanërisht
në Stamboll, masa e shqiptarëve të
mërguar, të pakënaqur nga shfrytëzimi
dhe nga papunësia, mori pjesë aktive në
lëvizjet antifeudale. Kështu shumë
shqiptarë morën pjesë në kryengritjen
e furishme qytetare që shpertheu më 1730
në Stamboll, nën udhëheqjen e Patrona
Halilit, edhe ky me origjinë shqiptare. Pas shtypjes
së kryengritjes, sulltan Ahmeti i III bëri
një spastrim në StamboIl nga elementët
e dyshimtë, duke dëbuar për disa kohë
nga kryeqyteti, midis të tjerëve, edhe shumicën
e shqiptarëve të mërguar.
Në shek. XVII proçesi i varfërimit
preku jo vetëm fshatarësinë e timarëve
por edhe fshatarët e krahinave të lira.
Me toka buke jashtëzakonisht të pakta, tani
në malësitë shqiptare popullsia ishte
shtuar përsëri në një shkallë
të tillë, sa ishte bërë e parnundur
jetesa e saj në këto krahina. Nevoja për
toka buke shtyu masa të tëra malsorësh
dhe fshatarësh të shtegëtonin së
bashku me familjet dhe bagëtitë nga fshatrat
malore në vise fushore. Pjesërisht ata u
vendosën në fushën e Myzeqesë,
Kavajës, Ishmit, Lezhës etj. ku kishte sipërfaqe
të mëdha tokash të lira. Një pjesë
tjetër, kryesisht malsorë dhe fshatarë-raja
të Shqipërisë së sotme veriore
dhe lindore si dhe malsorë shqiptarë të
malësive të Sharrit, Gjakovës, Pejës,
Dibrës Gostivarit, Tetovës, etj. Shtegëtuan
në fushat e Kosovës Rrafshit të Dukagjinit,
Kërçovës, Gostivarit e Tetovës.
Këto masa malësorësh e forcuan akoma
më shumë elementin shqiptar që kishte
qëndruar vazhdimisht në këto krahina.
Në këtë mënyrë qysh në
fund të shek. XVI, siç na e dëshmojnë
një varg udhëtarësh, këto krahina
i gjejmë me një popullësi kryesisht
shqipëtare. Qysh në fund të shek. XVI,
shkrimtari Antonio Bruni, në përshkrimin
që i bënte vijaletit të Rumelisë,
duke folur për vendbanimet e shqiptarëve,
përmendte ndër të tjera edhe Bjeshkën
e Sharrit (Monte Scardo) pranë Prizrenit në
Dardani (Kosovë) të banuar sikurse thotë
Bruni, më tepër prej shqiptarësh se
prej sërbësh". Vizitorët katolikë
që u dërguan nga Roma në Shqipëri
gjatë gjysmës së parë të
shek. XVII, përmendin në relacionet e tyre
se jo vetem fshatrat por edhe qytetet e rëndësishme
si Prizreni, Gjakova, Peja, Shkupi, etj. kishin një
popullësi të konsiderueshme shqiptarësh.
"Prizreni - rraportonte më 1623 Pjetër
Mazreku - ka 12 mijë frymë turke (myslimanë)
që prej natyre janë të shkathët
e të aftë për çdo punë,
pothuajse që të gjithë shqiptarë.
Katolikë të këtij kombi mund të
jenë rreth 200 frymë... Sërbianë
aty ka nja 600 frymë...". Disa vjet më
vonë, me 1638, kryepeshkopi i Tivarit Gjergj
Bardhi pasi vizitoi krahinat e Kosovës, raportonte,"
se ato janë vënde shqiptare dhe flasin po
atë gjuhë".
Këta udhëtarë, duke folur për
përbërjen etnike të këtyre krahinave,
dallojnë zakonisht, në lidhje me shtegtimet
e shqiptarëve, dy zona: atë midis Prizrenit,
Gjakovës dhe Pejës me popullësi vendëse
krejtësisht shqiptare dhe zonën me popullsi
të përzier shqiptare-sërbe, në
të cilën u vendosën shqiptarët
e shtegtuar. Kjo zonë e fundit përfshinte
Prishtinën, Novoberdën Prokupin, Shkupin,
Kratovën, Kumanovën, etj. Udhëtari
turk i çerekut të shek. XVII Evlia Celebi
ve në dukje se në këtë zonë,
qytete si Vuçiterni kishin një popullsi
shqiptare.
Shtegëtimet e shqiptarëve në këto
krahina vazhduan gjatë, shek. XVII e XVIII. Në
këtë kohë grupe malsorësh dhe
fshatare shqiptare shtegëtuan deri në rrethet
e Nishit, Novi-Pazarit, Velesit dhe Përlepit.
Në një numër më të kufizuar
ata u dyndën deri në viset e Bullgarisë,
Thrakisë dhe Epirit jugor. Koloni të shkëputura
fshatarësh, për t'i shpëtuar presionit
feudal turk, mërguan jashtë kufijve të
Perandorisë Otomane. Te tilla qenë mërgimet
e himariotëve në Itali me 1690, të
fshatarëve të Shestanit (rrethi Shkodrës)
në afërsitë e Zarës (Dalmaci)
më 1735 të malsorëve kelmendas në
Slloveni (Austri) më 1737 etj.