Gjatë gjysmës së dytë
të shek. XVII dhe gjysmës së parë
të shek. XVIII, në qytetet e Shqipërisë
u shtua numri i zejtarëve dhe i prodhimit të
tyre. Tani këta prodhonin më tepër
për nevojat e popullësisë sa të
ushtrisë. Zejtarët prodhonin me shumicë
orendi dhe pajisje të tjera për nevojat
shtepiake të qytetarëve dhe fshatarëve.
Në pazaret e qyteteve shiteshin pëlhura
prej liri, pambuku e mëndafshi të prodhuara
jo vetëm në familjet e qytetarëve e
fshatarëve, por edhe në punishte zejtare.
Me pëlhurat e endura në vend terzitë
qepnin edhe petka me porosi, të cilat pastaj
kazazët i zbukuronin me qëndisje ari e argjendi,
sipas modeleve të kostumeve të vjetra shqiptare,
për të kënaqur kërkesat e shtresave
të pasura. Në shek. XVIII filloi edhe punimi
i armëve të zjarrit, i hutave dhe kobureve.
Armët e prodhuara në punishtet e Shkodrës
e të Prizrenit filluan të shiteshin jo vetëm
në Shqipëri por edhe në vendet e ndryshme
ballkanike.
Me rritjen dhe pasurimin e mëtejshëm të
aristokracisë feudale dhe të shtresës
së pasur të tregëtarëve dhe të
zejtareve u shtua edhe më tepër numri i
blerësve të sendeve të kushtueshme.
Kjo nga ana e vet solli zgjerimin e prodhimeve artistike.
Nga këto një lulëzim të veçantë
pati zejtaria e argjendarisë. Argjendarët
e Shkodrës, Prizrenit, Elbasanit punonin arin
e argjendin dhe prodhonin me to stoli për gra,
si vathë, unaza, gjerdana, pafta i brezash ose
zbukuronin armët e burrave si kondakët e
hutave, dorezat e jataganëve e kobureve, harbijet
e vezmet ose dekoronin me ornamente të ndryshme
objektet shtëpiake dhe kishëtare. Numri
i argjendarëve në Shqipëri, gjatë
shek. XVIII, ishte i madh. Në disa qytete punishtet
e tyre formonin lagje me vehte p.sh. në Shkodër
kishte gati 100 punishte argjendarie, në Elbasan
60. Një përhapje të madhe pati edhe
zejtaria e gdhendjes së drurit, e cila gjatë
shek. XVIII u bë me të vërtetë
një art popullor dhe u përdor në zbukurinin
e brëndshëm të kishave, xhamive dhe
shtëpive qytetare e fshatare. Një nga prodhimet
më të bukura të këtij arti që
qëndron edhe sot, janë orenditë e brëndshme
të kishës së fshatit Leusë (Përmet),
punuar në këtë shekull. Një dëshmi
e lulëzimit të zejtarive të shek. XVIII
është edhe përmirësimi i dorës
së mjeshtërve që zbukuronin kishat,
xhamitë, sarajet e feudalëve ose shtëpitë
e qytetarëve të pasur me kolona, ballkone,
portale të skalitura në gur.
Shtimi i prodhimit bujqësor e zejtar solli
shtimin e prodhimit për treg. Qysh gjatë
pjesës së fundit të shek. XVII u zhvilluan
edhe me tej marrëdheniet tregëtare midis
qytetit dhe fshatit si dhe midis qyteteve të
afërta. Shkodra, Berati, Prizreni, Elbasani,
Voskopoja, Durrësi. Vlora, Peja, u bënë
qendra të rëndësishme ku takoheshin
tregëtarë nga krahinat e afërta, bile
edhe nga viset më të largëta. Tregëtarët
e mëdhenj të Shkodrës, Beratit. Voskopojës,
etj. kryenin veprime të rëndësishme
tregëtare me qytetet e Shqipërisë dhe
qysh nga fundi i shek. XVII e zgjeruan edhe tregëtinë
me vendet e huaja. Ata përshkonin Ballkanin deri
në Selanik, Stamboll, Sofie, Nish, Beograd dhe
vizitonin shpesh herë qytetet trëgëtare
të Adriatikut (Venedik, Trieste, Raguzë,
Ankonë) dhe të Mesdheut (Korfuz, Maltë,
Marsejë, Aleksandri, Tripoli, Izmir e gjetkë).
Në tregjet e huaja tregëtarët shqiptare,
shisnin kryesisht prodhime bujqësore e blegtorale
drithë, lëkurë, lesh, vaj etj.) nga
ndonjë herë edhe prodhime zejtare (shajakë,
stali, pëlhura mëndafshi) të cilat
i grumbullonin në Shqipëri. Në të
njëjtën kohë blinin prodhime të
industrisë evropiane të cilat i shisnin
me shumicë e pakicë në qytetet e vendit.
Dalën gadalë tregëtarët shqiptarë,
në mënyrë të veçantë
tregëtarët shkodranë, filluan të
behëshin ndërmjetës për tregëtinë
që zhvillohej midis vendeve të afërta
të Ballkanit (Serbi, Mali i Zi, Bosnjë)
dhe skelave tregëtare evropiane. Në shek.
XVIII Shkodra, dhe në një masë më
të vogël Durrësi, u bënë
qendra të rëndësishme të tregëtisë
tranzit. Për të lehtësuar këto
shkëmbime që zgjeroheshin nga viti në
vit, disa nga shtetet më të interesuara
evropiane çelën konsullata në skelat
e rëndësishme të Shqipërisë.
Në fund të shek. XVII Franca, Venediku,
Holanda, Raguza dhe pak më vonë Austria
kishin në Durrës konsullatat e tyre. Nga
ana e tyre edhe tregëtarët shqiptarë
krijuan agjensi tregëtare në qytete të
ndryshme të vendit. Tregëtarët e mëdhenj
shkodranë, p.sh. kishin agjensi në Prizren,
Ulqin, Durrës, Tiranë e Berat. Po ashtu
tregëtarët e Beratit kishin agjensitë
e tyre në Durrës, Vlorë, Elbasan, Korçë
e gjetkë. Më kohë, tregëtarët
shqiptarë krijuan agjensi edhe në vende
të huaja. Në fund të shek. XVIII rreth
130 firma tregëtare të Shkodrës kishin
agjensitë e veta në Venedik.
Zhvillimi i tregëtisë i dha dorë
edhe rritjes së flotës tregëtare shqiptare.
Në fund të shek. XVII, në Ulqinin e
rimëkëmbur pas katastrofës që
pësoi më 1571 kishte gati 250 barka dhe
anije me vela. Pronarët e anijeve, agallarët
ulqinakë, lundërtarë të guximshëm,
preknin me anijet e tyre jo vetëm skelat shqiptare
por edhe limanet e qyteteve tregëtare të
Adriatikut e të Mesdheut. Veç veprimeve
tregëtare, lundërtarët ulqinake kryenin,
si shumica e lundërtarëve të vendeve
të tjera, edhe aksione piraterie kundër
anijeve të huaja dhe sillnin shpesh herë
në Ulqin jo vetëm plaçkë të
grabitur por edhe skllevër të rrëmbyer
të cilët i përdornin si rremtarë.
Ky zhvillim ekonomik i vendit dhe në mënyrë
të veçantë përhapja e shpejtë
e marrëdhënieve tregtare sollën rritjen
e disa qyteteve të cilat u bënë qendra
të rëndësishme ekonomike jo vetëm
për rrethin e tyre fshatar por edhe për
disa krahina të afërta. Kështu p.sh.
Shkodra, e cila gjatë shek. XVII u rrit me shpejtësi
të madhe, u bë qendra kryesore ekonomike
e Shqipërisë së Veriut. Zejtarët
shkodranë prodhonin tani jo vetëm për
nevoja e qytetit por edhe për krahinat e tjera.
Tregtarët shkodranë i shisnin këto
prodhime në të gjithë Shqipërinë
e veriut, pjesërisht i shisnin edhe në Shqipërinë
e mesme, në Kosovë dhe në Malin e Zi.
Nga këto krahina ata blinin lëndën
e parë për punishtet zejtare si dhe për
prodhime bujqësore për popullësinë
e qytetit. Si qendër tranziti, Shkodra e zgjeroi
fushën e veprimeve tregtare në krahinat
e brëndshme të Ballkanit dhe u bë ndërlidhëse
e tyre me vendet e ndryshme evropiane. Për tregtinë
me vendet e huaja Shkodra kishte dy skela: Ulqinin
në bregtet dhe Obotin mbi lumin Bunë, për
anijet e vogla. Në pjesën e parë të
shek. XVIII tregëtarët shkodranë filluan
të shtinin në dorë edhe tregëtinë
që zhvillohej në qytetin bredetar të
Durrësit, i cili ishte skela kryesore e tregëtisë
së krahinave të Shqipërisë së
Mesme.
Në pjesën verilindore të Shqipërisë,
në krahinat e Kosovës dhe Rrafshit të
Dukagjinit, si qendër kryesore ekonomike u zhvilluan
Prizreni dhe Peja.
Një qytet tjetër që mori një
rëndësi të veçantë ekonomike
qe Berati. Me prodhimet e zejtarëve të tij
të shumtë, Berati u bë gjatë kësaj
kohe qendra kryesore ekonomike pas së cilës
u lidhin mjaft krahina të Shqipërisë
qendrore dhe jugore. Edhe Berati përdorte dy
skela: Vlorën dhe Durrësin. Por ai nuk mundi
të zhvillohej me atë shpejtësi siç
u zhvillua Shkodra. Rreth e rrotull Beratit u krijuan
edhe qendra të tjera të rëndësishme
ekonomike. Një nga këto ishte qyteti i Voskopojës.
Ndonëse ngrihet në një vend malor (1.100
metra mbi nivelin e detit), nga fshat që ishte
në shek. XVII u bë tashti një qendër
e madhe zejtare e tregëtare e Shqipërisë.
Për popullësinë e Voskopojës në
shek. XVIII janë dhënë mendime të
ndryshme, disa prej të cilave e shpien deri në
60 mijë vetë. Por qyteti duket se nuk kishte
më tepër se 15-20 mijë banorë.
Shumica e tyre qenë vllehë dhe pjesa tjetër
shqiptare. Qytet tjetër i rëndësishëm
jo larg Beratit ishte edhe Ebasani, zejtarët
e tregëtarët e të cilit, sikurse edhe
ata të Voskopojës, konkuronin ata të
Beratit. Në të njëjtën kohë
tregëtarët e Beratit filluan të ndjenin
komkurencën e tregëtarëve të Shkodrës
të cilët po zhvillonin një veprimtari
të gjallë tregëtare në Shqipërinë
e mesme dhe veçanërisht në skelën
e Durrësit. Afër mezit të shek. XVIII
tregëtarët beratas pothuajse e humbën
fare rolin e tyre tregëtar në Durrës.
Berati nuk mundi të zhvillohej edhe sepse në
jug të tij u rrit një qendër e rëndësishme
ekonomike siç qe Janina. Me Janinën filluan
të lidheshin krahinat më jugore të
Shqipërisë, rrethet e Gjirokastrës,
Delvinës e Çamërisë, të
cilat bënin pjesë në sanxhakun e Delvinës.
Gjatë shek. XVIII Janina, kryeqendra e Epirit,
u bë një nga qytetet më të rëndësishme
të Rumelisë, ajo vinte në radhën
e tretë pas Edrenesë dhe Selanikut. Rreth
mezit të shek. XVIII kishte afërsisht 25-30
mijë banorë. Shumicën e madhe të
popullësisë e përbënin banorët
greke. Veç grekëve aty banonin shqiptarë,
turq e çifutë. Banorët grekë
merreshin me zejtari e tregëti, shqiptarët
shërbenin kryesisht në administratë
dhe në ushtri, çifutët merreshin
me tregëti, fajde dhe sarafllëk. Fshatarët
e rrethit ishin përgjithësisht greke. Krahas
punishteve të thjeshta zejtare, në Janinë
po lindnin disa fakturale që prodhonin stofa
leshi, pëlhura pambuku, mëndafshi e lini,
artikuj lëkure, etj. Marrëdhëniet tregëtare
të Janinës me vendet e huaja kryheshin nëpërmjet
skelave bregdetare të Çamërisë
e të Epirit, ndër të cilat skelat me
kryesore qenë Sajadja, Gumenica, Preveza dhe,
më në jug, Arta.
Kështu me çthurjen e ekonomisë
së mbyllur natyrore dhe me zhvillimin e ekonomisë
monetare të mallrave, në Shqipëri filluan
të krijoheshin tregje të rëndësishme
lokale, të cilat përfshinin në sferën
e vet një numër relativishit të madh
krahinash. Qëndrat e këtyre tregjeve, gjatë
shek. XVIII, u bënë gjithashtu qendra të
rëndësishme politike.