Faqja Kryesore  >> Historia  >> Pashalleqet e medha
 

Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Fundi i Regjimit Feudal

Sukseset që korri Porta e Lartë në fushatën e viteve 1820-1831, i dhanë asaj mundësinë të ndërmerrte në Shqipëri zbatimin e reformave. Një nga masat e para ishte zëvendësimi i pashallëqeve me administratën e rregullt shtetërore.

Qysh më 1831 Porta e Lartë suprimoi me ligje sistemin feudal-ushtarak që në Shqipëri në fakt ishte çthurur pothuajse krejtësisht gjatë egzistencës së pashallëqeve. Megjithatë tirmalijtë dhe zaimët u lanë përkohësisht në timaret dhe zeamet tyre deri sa të delnin dispozita të reja. Por tani ata nuk konsideroheshin më si më parë, zotërues të tokave të fshatarëve por vetëm si nëpunës tagrambledhës dhe më konkretisht si dhjetarë. Ata tani ishin të ngarkuar të mblidhnin të dhjetën në emër të shtetit dhe nga kjo e dhjetë ata kishin të drejtë të mbanin për vehte, në vënd të rrogës, një shumë të caktuar ose një sasi të caktuar drithi, kurse pjesën tjetër duhej t'ia dorëzonin shtetit. Duke u konsideruar si nëpunës-dhjetarë, spahijtë u shkarkuan nga detyrimi ushtarak. Më vonë, me një dekret tjetër, fëmijët e spahijve u përjashtuan nga trashëgimi i këtyre të drejtave. Në këtë mënyrë mori fund zyrtarisht regjimi i timareve dhe zeametëve që sundoi në Shqipëri për katër shekuj (1432-1831) Bashkë me të mori fund edhe funksioni historik i spahijve feudalë ushtarakë. Në të njëjtën kohë Porta filloi të dërgonte në Shqipëri nëpunës turq ose shqiptarë të bindur ndaj Stambollit. Këta do të ushtronin vetëm funksionet civile, kurse funksionet ushtarake do t'i kryenin oficerët (zabitët) e karierës që u vendosën në garnizonet e qyteteve.

Po atë vit përfundoi edhe regjistrimi i popullsisë së krishterë të Shqipërisë. Në vënd të xhizes që paguanin të krishterët e jugut ose haraçit që paguanin malsorët e veriut, tani ata ngarkuan me një tribut për çdo shtëpi siç kishte qenë para vitit 1690. Tani tributi ishte 40 grosh në vit për çdo, familje orthodokse dhe 60 grosh për çdo familje katolike.

Pasi suprimoi pashallëkët, Porta e Lartë bëri një ndarje të re administrative. Krahinat në veri të lumit Shkumbin u ndanë midis sanxhaqeve të Shkodrës, Ohrit, Dibrës, Prizrenit, Pejës e Prishtinës dhe këto u përfshinë si dhe më parë në vilajetin Rumelisë. Sanxhaku i Dukagjinit dhe i Elbasanit u suprimuan. Viset në jug të lumit Shkumbin u ndanë midis sanxhaqeve Beratit, Gjirokastrës dhe Artës dhe këto u përfshinë në Vilajetin e ri të Janinës që u krijua në këtë kohë. Këtë radhë Shqipëria u pjestua midis dy Vilajetëve. Në krye të çdo sanxhaku qëndron një mytesarif i veshur me funksione civile dhe pranë tij komandanti i ushtrisë së rregulltë, i nizamëve me gradën ferik (gjeneral divizioni). Çdo sanxhak u nda si dhe më parë në disa kaza që qeveriseshin nga një kajmekam dhe në nahije me nga një mydyrr në krye.

Funksionarët civile dhe ushtarake që u vendosën në krye të këtyre njësive administrative ishin në shumicë turq dhe nuk njihnin as gjuhën shqipe, as gjendjen dhe zakonet e popullit shqiptar. Duke u mbështetur kryesisht në fuqinë ushtarake, qeveritarët turq i shtuan internimet dhe burgimet e njerëzve me influencë dhe të njerëzve të tjerë të dyshimtë. Duke qëndruar vetëm për pak kohë në postet administrative, ata përpiqeshin të përfitonin sa më tepër nga posti i tyre për të plaçkitur me anë ryshfetesh dhe me përdhunë, me taksa e detyrime arbitrare popullsinë e pambrojtur dhe të varfëruar. Nga këto veprime, programi i reformave centralizuese turke e thelloi edhe më tepër pakënaqësinë e popullsisë shqiptare.

Por, me gjithë përpjekjet e Stambollit, autoriteti i qeverisë qendrore nuk mundi të vendosej në tërë vëndin. Porta e Lartë nuk ishte në gjendje jashtë qyteteve as të vilte taksat, as të mblidhte rekrutët, as të ushtronte të drejtën e gjyqit.

Në përpjekjet e veta për të vendosur pushtetin qendror, Porta e Lartë pati edhe përkrahjen e atyre çifligarëve që synonin t'i shfrytëzonin reformat turke për të përforcuar pozitat e veta feudale dhe për të rritur pronat çifigare. Reformat u përkrahën giithashtu nga tregëtarët e mëdhenj sipërmarrës e fajdexhij të lidhur me tregun e të interesuar për zhdukjen e kufijve të pashallëqeve dhe vendosjen e një administrate të rregullt shtetërore.

Megjithkëtë, Porta e Lartë kishte përballë saj në Shqipëri forca të mëdha kundërshtare. Në krye të këtyre forcave qëndronin oxhaqet e vjetra dhe derebejtë e panënshtruar që ndodheshin akoma në Shqipëri ose ishin aratisur jashtë vendit qysh nga masakra e Manastirit. Armiq të reformave ishin edhe spahijtë e pakënaqur nga xhveshia e funksioneve tradicionale. Por masën e kundërshtarëve e përbënin fshatarët mbi kurrizin e të cilëve po shtohej shtypja dhe shfrytëzimi, e përbënin malsorët që shikonin te përforcimi i pushtetit centralizues turk fundin e privilegjeve të vjetra. Më në fund edhe zejtarët me vegjëlinë qytetare ishin të pakënaqur nga reformat pasi këto po ia hapnin edhe më tepër shtegun regjimit të korrupsionit dhe të arbitraritetit të nëpunësve. Kundër Portës së Lartë qëndronin gjithnjë armiqtë e vjetër të Turqisë, popullsitë e krishtera, të përbuzura dhe të shtypura. Veç këtyre, kundër pushtetit qëndror otoman kishin hyrë në luftë edhe bektashijtë, të cilët po persekutoheshin me egërsi nga Porta e Lartë për lidhjet që kishin me jeniçerët. Bektashizmi, për hir të propagandës armiqësore që zhvillonte kundër Portës së Lartë, të tolerancës ndaj feve të tjera dhe të dallimit që bënte midis islamizmit dhe kombësisë, u përhap me shpejtësi në radhët e popullsisë myslimane të Shqipërisë.

Pashallëqet
e Mëdha

Pashallëku i Shkodrës
Pashallëku i Beratit
Pashallëku i Janinës
Turqia në shek. XVIII
Marrëdhëniet midis Pashallëqeve
Turqia kundër
Oxhaqeve shqiptare
Masakra e Manastirit
Fundi i Regjimit Feudal
Kryengritjet në Toskëri
Kryengritja e Shkodrës


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003