Faqja Kryesore  >> Historia  >> Pashalleqet e medha
 

Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Masakra e Manastirit (1830)

Duke përfituar nga largimi i ushtrive turke në frontin rus në Shqipëri oxhaqet e feudale dhe derebejtë me repartet e tyre si dhe bandat e hajdutëve kishin gjetur fushë të lirë veprimi. Anarkia në të cilën qe zhytur Shqipëria arriti kulmin në vitet 1828-1829. Repartet e pakta të garnizoneve turke qenë mbyllur brënda kalave dhe mezi i bënin ballë sulmeve që kryenin kundër tyre bandat e armatosura të feudaleve shqiptarë. Funksionarët turq nuk guxonin të vilnin në Shqipëri asnjë taksë.

Më 1829, me mbarimin e luftës ruso-turke, mori fund dhe çështja greke me njohjen e pavarësisë së Greqisë. Porta e Lartë tani ia kushtoi vëmendjen rivendosjes së autoritetit të saj në Shqipëri. Për këtë qëllim, në korrik të vitit 1830, nisi Mehmet Reshit Pashën në krye të një ushtrie të madhe dhe moderne.

Sadriazemi turk kishte një plan të caktuar veprimi. Ai mendonte të çfaroste me dinakëri feudalët e mëdhej dhe derebejtë e pabindur shqiptarë që ishin pengesa kryesore e centralizimlt të pushtetit otoman, dhe pastaj të fillonte ekspeditën për të ndjekur e çfarosur kryengritësit dhe kundështarët që do të shpëtonin nga kurthi i tij dinak, duke vendosur njëkohësisht administratën shtetërore turke.

Pasi arriti në Manastir, ai ftoi, në gusht të vitit 1830 të paraqiteshin këtu të gjithë feudalët dhe derebejtë e Toskërisë, kundërshtarë e të dyshimtë, për të marrë gjoja shpërblimet e prapambetura, dekretet e faljes dhe të drejtat që u takonin. Midis të ftuarve, rreth një mijë veta, qenë edhe Zylyftar Poda, Tafil Buzi Çelo Picari, Zejnel Gjoleka, të cilët, bashkë me disa derebej dhe bejlerë të tjerë, dyshuan ose u informuan për kurthin që ishte kurdisur dhe nuk u paraqitën. Feudalët besnikë të Turqisë nuk u ftuan ose u lajmëruan nga vetë sadriazemi të mos paraqiteshin.

Mehmet Reshit Pasha kishte organizuar për të ftuarit në Manastir një pritje madhështore. Për nder të tyre u zhvillua më 26 gusht 1830, një paradë ushtarake për t'u treguar atyre ushtrinë e re turke të organizuar sipas sistemit evropian. Por ndërsa parakalonin përpara mysafirëve, ushtarët përnjëherësh, sipas udhëzimeve, u ndalën, u kthyen nga tribunat dhe filluan të qëllonin në befasi mbi feudalët dhe derebejtë shqiptarë. Brenda pak minutave u çfarosën kështu me tradhëti më tepër se 500 feudalë e derebej, kokat e të cilëve u dërguan në Stamboll. Në të njëjtën kohë organizoi dhe Emin Pasha, biri i Mehmet Reshit Pashës, në Janinë një kurth të tillë. Por këtu u çfaros vetëm një numër i vogël feudalësh e derebejsh.

Me gjithë organizimin e mirë të planit të sadriazemit mjaft feudalë dhe derebej mundën t'i shpëtonin masakrës. Mehmet Reshit Pasha me këtë masakër mori emrin "shqiptar-vrasësi".

Ngjarja e Manastirit shkaktoi një pështjellim të madh në Shqipëri. Paniku që u përhap nga shpërthimi i papritur i terrorit ua dha turqve inisiativën për të sulmuar. Feudalët dhe derebejtë shqiptarë që shpëtuan nuk i dorëzuan armët por u detyruan të luftonin për të mbrojtur vehten. Ndjekjet e turqve qenë të shpejta dhe raprezaljet e tyre të pamëshirshme. Gjatë këtyre operacioneve, mjaft feudalë dhe derebej bënë një qëndresë të ashpër. Më në fund shumë prej atyre që shpëtuan u detyruan të fshiheshin nëpër male ose të aratiseshin në Greqi, në Shtatë ishujt e gjetkë. Ushtritë turke e përshkuan anë e mbanë Shqipërinë jugore e qëndrore, duke djegur e rrënuar kudo kalatë dhe sarajet e feudalëve të pabindur e të dyshimtë.

Me këto operacione Porta e Lartë nuk kishte për qëllim të luftonte kundër klasës feudale në tërësi. Ajo synonte të çfaroste vetëm bejlerët dhe derebejtë e pabindur shqiptarë, të cilët nuk pranonin t'i nënshtroheshin disiplinës shtetërore. Qëllimi i qeveritarëve otomanë ishte t'i zevëndësonte sundimtarët vëndas separatistë me funksionarë të bindur turq, për të zbatuar me anën e tyre programin e reformave në interes të Perandorisë Otomane dhe të klasës feudale turke.

Me gjithë suksesin që korri me fushatën e vitit 1830, Porta e Lartë kishte akoma përballë saj feudalin më të fuqishëm të Shqipërise, Mustafa Pashë Bushatlliun.

Pashallëqet
e Mëdha

Pashallëku i Shkodrës
Pashallëku i Beratit
Pashallëku i Janinës
Turqia në shek. XVIII
Marrëdhëniet midis Pashallëqeve
Turqia kundër
Oxhaqeve shqiptare
Masakra e Manastirit
Fundi i Regjimit Feudal
Kryengritjet në Toskëri
Kryengritja e Shkodrës


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003