Faqja Kryesore  >> Historia  >> Pashalleqet e medha
 

Historia e Shqipërisë - Pashallëqet e Mëdha

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Marrëdhëniet midis Pashallëqeve

Pasi përfshiu brënda kufijëve pashallëkut gjithë Toskërinë, Ali Pashë Tepelena filloi të ndërhynte në grindjet feudale të gegërisë për të vendosur edhe këtu autoritetin e vet. Ai përfitoi nga pakënaqësia që kishte shkaktuar në mjaft feudalë të Shqipërisë qendrore dhe veriore politika e Ibrahim Pashë Bushatlliut dhe e shtriu ndikimin e vet në krahinat e tyre. Në Shqipërinë e mesme Ali Pasha u lidh me sundimtarët e Krujës, Elbasanit dhe Matit që ishin armiq sundimtarit të Shkodrës. Ai mundi të bënte për vehte kapidanin e Mirditës, Preng Lleshin, i cili ishte armiqësuar me Bushatlliun qysh më 1806.

Pas vdekjes se Ibrahim Pashës, më 1810, Sulltani emëroi mytesarif të Shkodrës birin e tij, Tahir Pashë Bushatlliun. Me shkathësi të madhe, Aliu ndërhyri edhe në grindjet feudale për pushtetin që plasën menjeherë në Shkodër. Duke përfituar nga fakti se Tahiri ishte në moshë të vogël, Aliu mundi të bënte për vehte kujdestarin e tij jo Bushatlli. Xheladin Beun. Por kalimi në fakt i sundimit në duart e Xheladin Beut dhe ndërhyrjet e Aliut shkaktuan pakënaqësinë e shkodranëve. Më 1811, këta ngritën krye, dëbuan nga Shkodra Xheladin Beun dhe caktuan në vend të tij një kujdestar tjetër, Mustafa bej Bushatlliun. Njëkohësisht ata kërkuan nga Stambolli të dërgohej fermani i emërimit të Mustafa Beut mytesarif në Shkodër në vend të Tahirit të vogël.

Këto veprime e zhytën Shkodrën në një krizë të thellë politike e cila solli si pasojë ringjalljen e grindjeve feudale. Më 1811 Shkodra u nda përsëri në dy tarafe, pikërisht si në gjysmën e parë të shekullit XVIII. Përkrahësit e Tahir Pashës dhe të Xheladin Beut formonin tani partinë kundërshtare. Ata gëzonin përkrahjen e Portës së Lartë. Prapa tyre vepronte gjithashtu dora e Ali Pashë Tepelenës. Në favor të tyre morën pjesë edhe feudalët e Krujës edhe kapidani i Mirditës, Preng Lleshi. Përkrahësit e Mustafa Beut, të cilët kishin sundimin në dorë por jo fermanin e emërimit nga sulltani, gëzonin përkrahjen e tarafit të Tabakëve dhe të malësorëve të sanxhakut.

Grindjet e tyre u kthyen në luftime të armatosura. Ato vazhduan gjatë vitit dhe përfunduan me fitoren e Mustafa Bushatlliut. Sulltani u detyrua t'i dërgonte Mustafait fermanin e emërimit mytesarif si dhe titullin pashë.

Me ardhjen në fuqi të Mustafa Bushatlliut, grindjet feudale në Shkodër pushuan dhe pashallëku e rimëkëmb përsëri. Kujdesi i Mustafa Pashës ishte të forconte autoritetin e vet brenda pashallëkut dhe të fitonte besimin e Portës së Lartë. Prandaj ai ndoqi një politikë afrimi si me forcat kryesore politike të pashallëkut ashtu dhe me Stambollin, duke iu shmangur me çdo kusht konflikteve me sulltanin. Mustafa Pasha u afrua gjithashtu edhe me Ali Pashë Tepelenën.

Aliu nga ana e vet, duke parë se Mustafa Bushatlliu e siguroi sundimin në Shkodër, vendosi t'i realizonte qëllimet e veta me rrugë tjetër. Ai hoqi dorë përkohësisht nga qëndrimi i mëparshëm armiqësor dhe u përpoq të lidhte miqësi me të. Afrimi i tyre u bë pa ndonjë vështirësi. Për të sanksionuar miqësinë, Mustafa Pasha u martua, më 1812, me Aishe Kadëmin mbesën e Aliut. Por kjo miqësi vazhdoi vetëm pak muaj. Ali Pashë Tepelena, me gjithë krushqinë e lidhur midis tyre, nuk hoqi dorë nga synimi për të shtrirë sundimin e vet edhe në kurriz të Bushatlliut i cili tani ishte bërë dhëndri i tij. Pas disa javësh, Mustafa Pasha dyshoi se Aliu kishte kurdisur me anën e Aishe Kadëmin, një komplot kundër tij. Kështu, marrëdhëniet miqësore midis këtyre dy sundimtarëve të mëdhenj u prishën menjëherë.

Kjo e bëri Mustafa Pashën të afrohej edhe më tepër me Stambollin. Porta e Lartë nga ana e vet u përpoq të shfrytëzonte acarimin e marrëdhënieve midis dy sundimtarëve shqiptarë. Ajo vendosi të përkrahte Bushatlliun me qëllim që të hidhte atë kundër Ali Pashë Tepelenës. Për këtë qëllim sulltani e lejoi bile edhe e ndihmoi Mustafa Pashën që të zgjeronte autoritetin e Shkodrës në krahinat e Shqipërisë së mesme drejt kufijve të Pashallëkut të Janinës, në kurriz të autoritetit të Aliut. Më 1815 ai i dha Mustafa Bushatlliut titullin vezir i Shkodrës dhe detyrën e valiut mbi sanxhaqet e Gegërisë (Shkodrës, Dukagjinit dhe Elbasanit) si dhe mbi sanxhakun e Ohrit, nga të cilat dy të fundit, të Elbasanit dhe të Ohrit, Ali Pashë Tepelena i kishte futur nën ndikimin e vet. Më këtë politikë, Stambolli e thellonte edhe më tepër rivalitetin midis dy sundimtarëve të mëdhej shqiptarë për ta bërë të vështirë, në mos të pamundur, bashkëpunimin midis tyre. Prapa rivalitetit midis këtyre dy sundimtarëve, Porta e Lartë nxiste grindjen edhe midis popullësisë të dy pashallëqeve, midis toskëve nga njëra anë dhe gegëve nga ana tjetër, politikë të cilën ajo e kishte filluar që më parë.

Ali Pasha, si duket, e kuptoi dëmin që i kishte shkaktuar vehtes me ndërhyrjet e tij kundër Mustafa Pashës, prandaj u përpoq të mos hynte në konflikt me të. Edhe veziri i Shkodrës nuk guxoi të vepronte më tutje kundër Aliut. Për disa vjet, marrëdhëniet midis dy vezirëve shqiptarë mbetën të ndera.

Pashallëqet
e Mëdha

Pashallëku i Shkodrës
Pashallëku i Beratit
Pashallëku i Janinës
Turqia në shek. XVIII
Marrëdhëniet midis Pashallëqeve
Turqia kundër
Oxhaqeve shqiptare
Masakra e Manastirit
Fundi i Regjimit Feudal
Kryengritjet në Toskëri
Kryengritja e Shkodrës


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003