Në kohën kur ushtritë
turke ishin të zëna në luftën
kundër Mustafa Pashës në Shkodër,
bejlerët e Çamërisë dhe Zylyftar
Poda, në marrëveshje me Bushatlliun, filluan
edhe ata të lëviznin kundër forcave
turke. Bejlerët e Çamërisë,
me një ushtri kryengritëish prej 2 mijë
vetësh, dëbuan nëpunësit turq
nga krahina e Furamithisë dhe iu drejtuan Janinës
ku ndodhej një garnizon i fortë turk. Komandanti
i këtij garnizoni, Emin Pasha, u doli përpara
çamëve dhe i sulmoi më 3 qershor
1831 afër fshatit Velçisht. Bejlerët
çamë u detyruan të tërhiqeshin
dhe të mbylleshin në kalanë e Shën-Dhonatos
(Ajdonatit) ku qëndruan dy muaj, por më
në fund u detyruan të dorëzoheshin.
Pothuajse në të njëjtën kohë,
një ushtri tjetër turke, nën komanden
e Mahmut Pashës, filloi ndjekjet kundër
Zylyftar Podës i cili kishte grumbulluar një
ushtri fshatarësh nga rrethet e Kolonjës,
Leskovikut, Përmetit dhe Tepelenës dhe po
përgatej t'u binte turqve në një kohë
kur ata po i drejtoheshin Shkodrës. Por disfata
e Mustafa Pashë Bushatlliut në Babune dhe
ardhja e ushtrive të shumta të Mahmut Pashës
e detyruan Zylyftar Podën të tërhiqej
në Leskovik. Këtu forcoi kalanë e Melesinit
për t'u mbrojtur nga ushtritë turke.
Përpjekja e parë me repartet e Mahmut
Pashës u bë në Kullat e Qarrit, midis
Korçës dhe Ersekës. Zylyftari dhe
luftëtarët e tij u detyruan të tërhiqeshin
dhe të mbylleshin në kalanë e Melesinit.
Këtu ata u bënë ballë burrërisht
sulmeve të ushtrive turke. Luftimet vazhduan
pesë muaj me radhë. Më në fund
shqiptarët, të rrethuar shumë keq,
u detyruan të dorëzoheshin, pasi më
parë u siguruan nga Mahmut Pasha se do t'i linte
të lirë të iknin. Zylyftar Poda bashkë
me familjen kaloi në Korfuz.
Në mars të vitit 1833 plasi në jug
të Shqipërisë një kryengritje
tjetër. Disa bejlerë dhe agallarë të
Toskërisë (Abdyl Bej Koka, Tafil Buzi, Zejnel
Aga Gjoleka, Mahmut Bajraktari, etj.) të cilët,
për të shpëtuar nga ndjekjet e turqve
ishin aratisur në Greqi, u kthyen në Shqipëri
dhe filluan sulmet kundër qeveritarëve turq.
Edhe këta bejlerë, të shkëputur
nga lëvizjet e krahinave të tjera nuk mundën
t'u rezistonin për një kohë të
gjatë ushtrive turke të Emin Pashës
dhe u detyruan të kalonin përsëri në
Greqi.
Disa muaj më vonë, në gusht 1833,
plasi kryengritja në rrethin e Gjirokastrës.
Fshatarët bashkë me malsorët labë,
gjithësej 5 mijë veta, ngritën krye
kundër qeverimit të ri duke vrarë nëpunësit
turq. Në kohën kur po përgatiteshin
të sulmonin Janinën, Emin Pasha, në
krye të një ushtrie të madhe, i goditi
kryengritësit në verilindje të Vlorës
dhe i theu. Pastaj vazhdoi ndjekjen kundër bejlerëve,
derebejve dhe krerëve të tjerë të
kryengritjes, shumë nga të cilët u
vranë ose u internuan. Emin Pasha nuk u njohu
malsorëve labë venomet e vjetra.
Më 1834 u kthyen përsëri nga Greqia
krerët e arratisur shqipëtarë, Tafil
Buzi, Zenel Gjoleka, Abdyl Koka etj. Në mars
zbritën në Dukat të Vlorës dhe
s'andejmi, pa ndonjë pengesë pushtuan Tepelenën.
Pastaj në krye të 2 mijë kryengritësve
sulmuan e çliruan Beratin. Si organizuan fuqi
të reja, iu drejtuan Janinës, qendrës
kryesore të ushtrive turke. Por në fshatin
Cervar, gjashtë orë larg Janinës, u
rrethuan nga forcat turke. Të udhëhequr
nga Tafil Buzi, kryengritësit, pas 5 ditë
lufte, e çanë rrethimin dhe u tërhoqën
në Tepelenë. Turqit e vazhduan ekspeditën
dhe mundën me anën e Çelo Picarit,
që u bë vegla e tyre, t'i bindnin kryengritësit
të hiqnin dorë nga qëndresa, të
largoheshin nga Berati dhe të shpërndaheshin.
Më këto suksese që korrën turqit,
në Toskëri lëvizja ra përkohësisht.
Vetëm më 1837, kur qeveritarët turq
kërkuan të rekrutonin ushtarë në
sanxhakun e Beratit, në Myzeqe plasi një
kryengritje tjetër e drejtuar nga Ali Bej Frakulla.
Kundër kryengritësve u nis vetë valiu
i Janinës në krye të 5 mijë ushtarëve
turq dhe të fuqive ndihmëse mercenare. Në
perpjekje me turqit kryengritësit u thyen dhe
u shpërndanë. Ali Bej Frakulla bashkë
me 130 vetë të tjerë, ranë rob
në duar të valiut.