Me ekspeditën ushtarake kundër
Ali Pashë Tepelenës, qeveria turke filloi
fushatën e vet për zhdukjen e pashallëqeve
shqiptare dhe për centralizimin e pushtetit në
duart e Portës së Lartë. Prandaj, pas
vrasjes së Aliut, Hurshit Pasha me ushtritë
turke shpërtheu një fushatë të
egër ndëshkimore në Shqipërinë
e jugut duke i futur tmerrin popullsisë me varjet
dhe ekzekutimet në masë. Megjithatë
ai nuk mundi të rivendoste autoritetin e sulltanit.
Ai ndeshi jo vetëm në qëndresën
e përkrahësve të Aliut, por edhe të
oxhaqeve feudale e të derebejve shqiptarë.
Feudalët shqiptarë që morën
pjesë në ekspeditën turke nën
urdhërat e Hurshid Pashës kundër Ali
Pashë Tepelenës, synonin të përmbysnin
pushtetin e Aliut jo për të vendosur pushtetin
e përqëndruar turk, por për të
rivendosur pushtetin e tyre të mëparshëm.
Prandaj sapo u zhduk Ali Pasha, ata filluan të
organizonin ushtritë personale dhe të rimëkëmbnin
pushtetin e dikurshëm në pashallëqet
e veta feudale. Rimëkëmbja e pushtetit të
tyre solli edhe rifillimin e grindjeve të vjetra.
Me këto grindje feudale Shqipëria u zhyt
përsëri në anarki.
Në vitet 1822-1824, Porta e Lartë e la
mënjanë, përkohësisht. Fushatën
kundër oxhaqeve dhe derebejve shqiptarë.
Në këtë kohe problemi kryesor i saj
ishte shtypja e kryengritjes çlirimtare greke,
e cila me sukseset e mëdha që kishte korrur
po përhapte valën revolucionare në
gjithë popullsitë e shtypura të Ballkanit.
Me mijra shqiptarë orthodoksë, të entuziazmuar
nga thirrjet e zjarrta kundër turqve, kishin
lënë shtëpitë e tyre dhe ishin
bashkuar me kryengritësit grekë, duke u
krijuar turqve rrezikun e përhapjes së kryengritjes
edhe në Toskëri. Në këtë
kohë kur Greqia po i shkëputej Turqisë,
Porta e Lartë nuk donte t'i acaronte marrëdhëniet
me feudalët shqiptarë. Përkundrazi
ajo përpiqej që oxhaqet dhe deberejtë
e Shqipërisë, së bashku me forcat e
tyre, t'i hidhte kundër kryengritjes greke. Me
shpërblime dhe grada, Porta mundi të tërhiqte
një pjesë të bejlerëve shqiptarë,
Bile arriti të bënte për vehte disa
nga bashkëpuntorët e Ali Pashës si
Tahir Abazin, Ago Vasjarin, etj. Bejlerët që
nuk pranuan të niseshin në Greqi, Hurshit
Pasha i futi në grindje me njeri-tjetrin.
Në fund të vitit 1822, Hurshit Pasha,
me një pjesë të ushtrisë turke
u largua nga Janina. Këtu ai la zëvendës
feudalin shqiptar Omer Pashë Vrionin i cili pas
tradhëtisë në Aspropotam ishte vënë
në shërbim të sulltanit dhe ishte graduar
pasha. Por menjëhere pas largimit të Hurshitit,
shumë feudalë shqiptarë nuk e njohën
autoritetin e sundimtarit Vrionas. Njëri nga
këta feudale ishte Islam Poda i njohur me emrin
Zylyftar Poda, një nga adjutantet e Ali Pashë
Tepelenës. Nga Thesalia ku ishte strehuar Zylyftari
u kthye në fund të vitit 1822 në Shqipëri,
dhe në krye të një çete kryengritësish,
filloi sulmet kundër Omer Pashë Vrionit.
Në fillim të vitit 1824 edhe agallarët
çamërisë nuk e njohën autoritetin
e Omer Pashë Vrionit. Porta e Lartë e transferoi
atëhere në Selanik dhe në vend të
tij emëroi një feudal turk, Mehmet Pashë
Qytahiun. Ky u përpoq pa suksesë ta stabilizonte
qetësinë duke sulmuar kryengritësit
dhe vete feudalët e pabindur.
Disfatat që pësuan turqit në Greqi
e bindën më në fund dhe sulltan Mahmutin
e II, si dhe klasën sunduese turke të bënin
disa reforma për të rimëkëmbur
Perandorinë Otomane të shkatërruar.
Një pengesë kryesore për zbatimin e
këtyre reformave, ishin repartet e jeniçerëve,
të cilat ishin bërë një kërcënim
i vërtetë për Tuqinë. Më
1826, sulltan Mahmuti i II organizoi ushtrinë
e re dhe çfarosi në Stamboll korpusin
e jeniçerëve. Po atë vit, turqit
iu drejtuan Bosnjes për të rivendosur autoritetin
e tyre dhe mundën të çfarosnin me
dinakëri në Sarajevë rreth 300 feudalë
e derebej të pabindur boshnjakë. Dy vjet
më vonë, sadriazemi (kryeministri) turk
Mehmet Reshit Pasha u orvat të spasronte me tradhëti
edhe feudalët e derebejtë e pabindur shqiptarë.
Ai ftoi për t'u paraqitur në Janinë
mjaft nga këta feudalë të cilët
i vrau tradhëtisht si Ismail Pashën e Vlorës,
Izet Beun Gjirokastrës. Por shumë feudalë
e derebej si Zylyftar Poda, Asllan Beu, Veli Beu,
etj. dyshuan për qëllimet e kryeministrit
turk dhe nuk u paraqitën. Pas këtij komploti,
feudalët dhe derebejtë e Toskërisë,
të cilët ishin gjithashtu të pakënaqur
sepse Porta e Lartë nuk e kishte paguar rrogat
për pjesëmarrjen e tyre në fushatën
kundër kryengritjes greke, u egërsuan edhe
më tepër. Me sulmet e tyre kundër garnizoneve
ushtarake dhe me plaçkitjet e krahinave të
pambrojtura, ata u nxorën turqve ngatërresa
në Shqipëri.
Por, Porta e Lartë hoqi dorë përkohësisht
nga ekspedita për nënshtrimin e Shqipërisë,
për shkak të luftës ruso-turke që
filloi në vitin 1828.