O malet' e Shqipërisë e
ju o lisat' e gjatë!
Fushat e gjëra me lule, q'u kam ndër mënt
dit' e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt' e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle
të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që
mbani ju e ushqeni,
O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.
Ti Shqipëri, më ep nderë, më
ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë
dhe me zjarr.
Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam
i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë zemëra s'e
ka harruar.
Kur dëgjon zëthin e s'ëmës qysh
e le qengji kopenë,
Blegërin dy a tri herë edhe ikën e
merr dhenë,
Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë
vetë,
E ta trëmbin, ajy s'kthehet, po shkon në
mes si shigjetë,
Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu
tek jam mua,
Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset
e tua.
Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu
në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m'erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
Atje lint diell' i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat' i bardh' e mirësija në atë vënt
janë mbluar;
Nat'atje'shtë tjatrë natë edhe dita
tjatër ditë,
Në pyjet' e gjelbëruar, atje rrinë
perënditë.
Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë
nga qyteti,
Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga
rrëmeti.
Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu
me dëshirë,
E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda
të jem,
Bashkë me shpest edhe unë t'ia thërres
këngës e t'ia them;
Të shoh kedhërit' e shqerrat, deshtë,
cjeptë, dhëntë, dhitë,
Qiellin' e sbukuruar, dhenë me lul'e me dritë.
Vashë bukurosh'e bariut! që vjen me llërë
përveshur,
Me zemërë të dëfryer e me buzëzë
të qeshur,
Me dy shqerëza ndër duar, të bukura
si dhe vetë,
Në sythit tënt e shoh gazë, që
s'e kam gjetur ndë jetë.
Dashi sysk e me këmborë, q'e ke manar, po
të vjen pas,
Dhe qeni me bes' i larmë të ndjek me dëshir'
e me gas.
Dashç Perëndinë, pa më thua,
a mos na pe bagëtinë?
- Pash' atje pas më të gdhirë,... ja
atje përtej tek vinë!
O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije bagëtija!
Vinë posi mblet' e plotë! I bekoftë
Perëndija!
Nëpër shesh' e nër bregore janë
përhapurë shqerrat,
E kecërit nëpër rripat dhe në
gjethet e në ferrat;
Sa me vrap e me gas bredhin edhe lozin shok me shok,
Aty përhapenë me nxit aty mblidhenë
prapë tok,
Edhe prapë tufë-tufë përhapenë
duke bredhur,
Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur.
Nxitojn' e s'lodhenë kurrë edhe, kur i merr
urija,
Secili futet në tufë, suletë ne mëm'
e tija,
Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i
hyn në gji,
Rri më gjunjë dhe zë sisën e qumështin
e ëmbël pi;
Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë
a ndo dele,
Bir' e vetëm e merr në gji me gas e me përkëdhele.
Sa të mirazë ke dhënë, Zot i
math e i vërtetë!
E ç'nom të bekuar vure për çdo
gjë q'është në jetë!
Sa më pëlqen blegërima, zër'i
ëmbël' i bagëtisë,
Qëngji edhe kec'i bukur, që rri më
gjunj' e pi sisë!
Përhapurë bagëtija nëpër
sheshe, nëpër brinja,
Nër lajthi e nëpër dushnja, ndër
murriza, në dëllinja;
Bijen zilet' e këmborët e fyelli e xhuraja,
Dheu bleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje,
maja,
Edhe gjithë gjë e gjallë ndjen në
zemër një dëshirë,
Një gas t'ëmbël' e të shumë,
o! sa bukur e sa mirë!
Pelën e ndjek mëz'i bukur, lopës i
vete viçi pas,
Dellëndyshja punëtore bën folenë
me të math gas,
Ogiçi ikën përpara, i bije tufës
në ballë,
Me zemër të çelur shumë vete
si trimi me pallë,
Zoqtë zënë këng' e valle dhe po
kërcejn' e këndojnë,
E nëpër dega me lule si ëngjëllit
fluturojnë,
Larashi ngrihet përpjetë, thua q'i shpie
Perëndisë
Një lëvdatë të bekuar për
gëzimt të gjithësisë,
Qielli sa ësht' i kthiellt e sa është
sbukuruar!
E dielli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar!
Gjithë këto lule ç'janë, që
u ngjallë menjëherë?
Ngaha qielli ke xbritur? Ver', o e bukura verë!
Çdo lulezë ka me vehte një emër
e një fytyrë,
Një bukuri, një mirësi, një shtat,
nj'erë e një ngjyrë,
Si dhe çdo dru e çdo pemë, edhe
çdo bar e çdo fletë;
Sa është e bukur faq' e dheut! S'të
zë syri gjë të metë.
Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të
ketë mbleruar,
A me të matht të ti' Zoti pej parajs'e ka
dërguar?
Veç një njeri shoh pa punë dhe të
mjer' e të brengosur,
Të këputur, të mjeruar, të grisur
e të rreckosur;
Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru
përtimi,
S'i ka mbetur gas në zemrë, se s'i la vënt
hidhërimi.
Eshtë njeri, si dhe neve, po epini, o të
pasur,
E mos e lini të urët dhe të mjer' e
buzëplasur,
Se përtimn' e zi, q'e pruri të gjorën
më këtë ditë,
Nuk' e dimë vet' e zgjodhi, apo ia dhanë
Perënditë.
Edhe për një mizë, kur heq, i vjen
keq njeriut të mirë,
Zëmëra s'thuhetë zëmrë me
mos pasurë mëshirë.
Ah! edh' atje tej mbi udhë i duket i shkreti
varri,
Rrethuar me lul'e me bar, një të gjori udhëtari,
Që ka vdekur i ri shumë e ka rarë lark
shtëpisë,
Mërguar nga mëm' e motrë dhe pej gjithë
njerëzisë;
Një zok i helmuar mi varrt i rri si mëmëzë
dh'e qan,
Ndarë nga të gjithë shokët edhe
zi për të mjerë mban.
Tomor! o mal i bekuar, fron i lartë, që
rrij Zoti,
Pas fesë vjetrë që kishinë shqipëtarëtë
qëmoti,
Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt' e tu
ke parë
Luftëra të mëdha shumë e punë
që kanë ngjarë.
O malet' e Shqipërisë, që mbani kryet
përpjetë,
Tëmerr e frikë përhapni, përpini
qiejt e retë!
Të patundurë përjetë jini, pa,
kur oshëtini,
Udhëtarit në zemër frikë të
madhe i vini;
Keni shkëmbenj, gërxhe, lisa, lumenj dhe
dëborë ndë gji,
Përsiprë lulëz' e gjethe dhe brënda
ergjënt e flori,
E ju fusha bukuroshe edhe të majm'e pëllore,
Ju sheshet e lulëzuar, ju bregore gjelbërore,
Q'u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule,
U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule,
Zemërn' e varfërë time aty ndër
ju e kam mbluar,
Tek buron nga gjithi juaj uj'i ftoht' e i kulluar;
Jam lark jush i dëshëruar edhe s'e duronj
dot mallë,
Po s'e di si dua unë do t'u shoh një herë
vallë?
Të paskësha vrapn' e veriut, të kisha
krahë pëllumbi,
Nxitimn' e lumit me valë, q'ikën me vërtik
si plumbi,
E të vija në gjit tuaj, nj' ujë të
ftohtë të pinja,
Edhe nëpër ato hije një copë herë
të rrinja,
Syt' e ballit t'i xbavitnja, zëmërënë
ta dëfrenja,
Gazë, që paçë njëherë,
prap' aty ndër ju ta gjenja.
Opopo! Kshu pse më vini përpara syve pa
pushim,
O ditët' e djalërisë, o moj kohëz'
e të rit tim?
O flutura krahëshkruar, që fluturon nëpër
erë,
As merr dhe zëmrënë time me vehtezë
dhe ma shpjerë
Nër malet të Shqipërisë, tek kullosën
bagëtija,
Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë
mënt' e mija,
Ku shkon me zile të madhe ogiçi përmes
lajthisë,
Pa zjen e oshëtin mali ngaha zër'i bagëtisë;
Marrënë vrapn' e nxitojnë, derdhen
në gjollë për kripë,
Dhëntë ndër shesh'e ndër brigje,
dhitë në shkëmb e në rripë.