O vëllezrë shqipëtarë!
Pa të zëm' udhën e mbarë,
T'i bijem pas urtësisë
Dhe dritës e diturisë,
Të mos rrimë n'errësirë,
Se nuk është pun' e mirë.
Neve që qemë njëherë
Në gjithë botët të ndjerë,
Dhe të par' e të lëvduar,
E të rënd' e të dëgjuar,
Trima të fort e të mirë,
Të rrimë sot n'errësirë.
. . . . . . . . . . . . .
Ishin trima prindit tanë,
Pa emrë përjetë lanë.
Aleksandr'i Math i ndjerë
Dhe shumë shokë të tjerë,
Q'ishinë me të të parë,
Qenë gjithë shqipëtarë.
Muntnë së pari Greqinë,
Pasdaj muntnë dhe Persinë.
Zunë dhe Hind e Afrikë
Burratë trima pa frikë.
Faqen e dheut e fituan,
Më çdo anë mbretëruan.
Selefqinjtë, Ptolemenjtë,
Gjithë ç'qenë të mbëdhenjtë,
S'qen' as grekrë as bullgarë,
Ishin burra shqipëtarë.
Kombinë tën e nderuan
Dhe Evropën e shpëtuan
Nga kurt' i zi i Persisë,
Dh'i dhanë nder Shqipërisë.
Pirrua romanët mundi
E gjithë jetën e tundi.
Kostandin'i Math, q'i thonë,
Dh'ajy ish nga fara jonë.
Gjithë njerëzit e mbarë,
Thua, qenë shqipëtarë.
Shqipëtari ka lëftuar,
Dhe ajy ka mbretëruar.
Aleksandr' i Math Greqinë
E kishte bërë të tinë,
Me luft' e kishin marë
Prindit tanë kordhëtarë,
Pa në Thivë njerës lanë,
Thivasit u ngren' i vranë,
I vranë me të pabesë,
Pas zakonit të Moresë.
Shqipëtarët kordhëtarë
Thivësë i vunë zjarrë!
S'i kursyenë gjë zjarit,
Vetëm shtëpin' e Pindarit,
Se ish vjershëtor i ndjerë
Dhe i parë mi të tjerë.
Shqipëtarët pas Greqisë
Iu lëshuanë Asisë,
Njeri kurrë nuk i mundi,
As u qëndroi dot gjëkundi,
Gjithë përpara i vunë,
Faqen e dheut gjith' e zunë.
Burr' i math i Shqipërisë
Ndënji në fron të Persisë,
E arratisnë Daranë,
Njerëzit e ti e vranë!
Aleksandri dha lirinë,
E shpëtoi nga zgjedh' Asinë,
I dha nder dhe Shqipërisë,
Mëmës së ti, q'i dha sisë,
Përkujdesi njerëzinë
Dhe pruri qytetërinë,
Bëri udhë e qytetë,
Pru gëzim në gjithë jetë
Edhe sot Aleksandria
Na rrëfen punët e tija.
Evropën e ka shpëtuar
Nga një zgjedh e mallëkuar.
Këto punë shqipëtarët
I bënë, ata të parët,
Ata të parëtë tanë,
Edhe emërë na lanë.
Edhe Pirroja ish burrë,
Që s'ka pasur shokë kurrë.
Ay romasit i mundi,
Italinë tër' e tundi;
Tekdo që kishte lëftuar,
Botën e kish tëmerruar.
Kështu edhe shumë të tjerë
Shqipëtar' ishin të ndjerë.
Ishte mëm' e trimërisë
Edh' e zonj' e urtësisë
Shqipëria kurdoherë,
Që nxirte burra të vlerë.
Trima burra të vërtetë
Sa kanë qënë në jetë
Të gjithë ajo i polli,
Trimëria soje dolli.
Qe dhe një koh' e një ditë,
Që polli dhe perënditë,
I pat pjellë Shqipëria,
Pa u falej njerëzia,
Dhe besoninë qëmoti
Që në Shqipëri rrij zoti,
Vij rremet i njerëzisë,
E i falej Shqipërisë.
Tomori nuk ësht' i pakë,
Që nxjer dhe sot zë pa flakë,
Se rrininë perënditë
Ndë atë natë e ditë!
Prindit tanë i besonin
Perëndit' e s'i mërgonin.
Perëndi e trimërisë
Ishte mëm' e Shqipërisë.
Shqipëtari trim me fletë
Rronte gjithënjë në jetë,
Shigjet' e ti vrëngëllinte,
Vdekjenë me vet' e shpinte!
Perëndi e bukurisë
Me shijët të gjithësisë,
Q'ësht' e bardhë si dëborë
Nuk e lij kurrë Tomorë,
Flinte në shtratthit të artë
Shtat' i bardhë posi kartë.
Leshërat i kish të arta
Edhe faqezët të zjarta,
Ballë, gushë, krahëruar,
Llërë, pulpë, këmbë, duar,
Prej drite ishinë bërë,
Sikundër dhe trup' i tërë.
Si dëbor' e kishte gjinë,
Pa sill nër mënt bukurinë!
Kur kthehej e të shikonte,
Zëmrënë ta përvëlonte.
Zën' e kishte si bilbili,
Faqetë si trëndafili,
Diellin e urdhëronte,
Në gjit të saj perëndonte,
Në shtratthit të saj e vinte,
Edh' e mbant' e nuk e linte,
Tërë natën e pushtonte,
Pa në mëngjest e lëshonte.
Hëna këto duke parë,
Dhe duke tretur e tharë,
Ligej fort shum' e drobitej,
Kahënitej e venitej,
Se i haj zëmrën nakari,
Që djek i shkreti si zjarri.
Perëndi e bukurisë,
Q'i ip dritë njerëzisë,
Nga gjir' i saj dritë qitte,
Hënënë e përsëritte,
I ip pjesë bukurie
Edhe shij' e drit' e hije.
. . . . . . . . . . . . . . .